E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkojnë ruajtjen e trashëgimisë kulturore

Nga Express më 20 prill 2011 në ora 15:22

Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ndërmarrë hapat e domosdoshëm, për mbrojtjen institucionale të trashëgimisë kulturore dhe historike, ka thënë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Memli Krasniqi.

Ai këto komente i bëri të mërkurën pas takimit me shefin e ICO-s, Piter Feirh, me të cilin kanë diskutuar lidhur me çështje që ndërlidhen me ruajtjen e trashëgimisë kulturore në vend.

Krasniqi ka nënvizuar nevojën e bashkërendimit dhe përfshirjen e ekspertëve dhe profesionistëve në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore

“U pajtuam me zotëri Feith se ekziston nevoja për një harmonizim edhe më të madh të çështjeve që ndërlidhen me trashëgiminë kulturore edhe veçanërisht me trashëgiminë tonë urbane, në mënyrë që të gjitha kapacitetet edhe institucionale të gjitha niveleve, por edhe të gjithë ekspertëve dhe profesionistëve të fushës të jenë të bashkërenduara më mirë dhe të jenë të koncentruar në funksion të mbrojtjes më të mirë edhe në kuptimin ligjor edhe në kuptimin institucional”, ka thënë Krasniqi.

Për më tepër, ai ka theksuar se institucionet vendore do të ndërmarrin hapat e domosdoshëm në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së pasur kulturore-historike.

“Qeveria e Republikës të Kosovës mbetet e përkushtuar për të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në të gjitha drejtimet, në mënyrë që trashëgimia kulturore në Kosovë dhe veçanërisht trashëgimia urbane dhe ajo që ndërlidhet me zonat historike në Kosovë të marrë trajtimin e merituar dhe të mundë të arrijë në nivelin kur kushtimisht shfrytëzimi i saj do të jetë në funksion të zhvillimit socio-ekonomik të vendit tonë të zonave respektive dhe po ashtu edhe në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor për të cilin Kosova pa dyshim se ka një potencial të çmueshëm”, ka thënë Krasniqi.

Nga ana e tij, shefi i ICO Piter Feith, duke potencuar si të rëndësishme fushën e trashëgimisë kulturore, ka kërkuar ruajtjen e pasurisë kulturore dhe asaj fetare.

“Kosova ka një kulturë të pasur unike, ka një histori të gjatë dhe të pasur ku popuj të ndryshëm kanë jetuar bashkë në shekuj dhe kjo duhet të ruhet dhe konferenca ishte e përqendruar në këtë çështje. Është me rëndësi për t’i paraqitur rezultatet e konferencës në mënyrë që të ngrisim vetëdijen te qytetarët e Kosovës te të gjitha përkatësive etnike që trashëgimia kulturore dhe religjioze duhet të ruhet”, ka thënë ai./Kosovapress/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›