E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reflektimet shqiptaro-serbe

Dhjetë fotografë nga Prishtina dhe Beogradi, për tre muaj, kanë komunikuar ndërmjet vete pa fjalë dhe pa e njohur njëri tjetrin. Mjeti i tyre komunikues ka qenë fotografia. Nga Alfred Beka më 20 prill 2011 në ora 20:27

Dy qytete, dhjetë fotografë të rinj, fotografi të panumërta dhe një rrëfim. Për tre muaj, artistët e rinj nga Beogradi dhe Prishtina kanë komunikuar vetëm nëpërmjet fotografisë, pa e ditur emrin, historinë dhe prapavijën e njëri tjetrit. Këto reflektime të realiteteve lokale shfaqin ndryshimet ndërmjet dy qyteteve, nëse ka të tilla.

Projekti i quajtur ‘Face the reflection’ ka filluar para tre muajve dhe në fund ka rezultuar me ekspozitën ‘Face the reflection’, e cila është hapur në qendrën kulturore të Beogradit ‘Grad’ më 14 prill. Pas një muaji kjo ekspozitë do të hapet edhe në Prishtinë.

Fotografët e rinj i kanë përballur reflektimet e realiteteve të tyre me rrëfime përmes fotografive. Secili nga ta ka krijuar një temë me imazhe e jo më fjalë. Artistët tjerë kanë paraqitur përgjigje fotografike ndaj temës së caktuar një herë në javë. Kjo është mënyra përmes së cilës barrierat gjuhësore nuk do të ekzistojnë më. Deri në javën e parë të prillit, autorët dhe vendet ku janë bërë fotografitë kanë qenë të panjohura. Pas tre muajve të komunikimit virtual këta artistë të rinj janë paraqitur në hapjen e ekspozitës dhe aty, më në fund, kanë pasur rastin ta njohin njëri tjetrin.

Ideatore e këtij projekti ka qenë Ana Dragic, studente në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd. Ajo ka thënë se ideja ishte e thjeshtë sikurse edhe vet koncepti i projektit – lidhja e të rinjve nga Prishtina dhe Beogradi me qëllim të tejkalimit të urrejtjes së shkaktuar nga vendimet e këqija politike nga e kaluara.

“Ne, në fakt, jetojmë në botë paralele dhe për këtë as që jemi të vetëdijshëm. Unë shkova e vetme në Prishtinë, ua shpjegova idenë dhe u thashë: Ende nuk e di nëse do të jeni në gjendje për të ardhur dhe nëse do të jemi në gjendje të organizojmë ekspozitën. Por, lë të fillojmë të komunikojmë në mënyrë virtuale nëpërmjet websajtit. Pesë fotografë nga Prishtina dhe pesë nga Beogradi. Secili e vendosë nga një foto temë, ndërsa të tjerët përgjigjen në mënyrë ndërlidhëse. Nuk ka fjalë, as shpjegime, pasi që të gjitha këto gjera interpretohen në këtë apo në mënyrën tjetër. Dhe kjo filloi. Ata janë fotografë. Nuk janë të ngarkuar me politikë edhe pse do të duhej të ishin. Thjesht, arti si i tillë nuk njeh kufij”, ka thënë Dragic në hapje të ekspozitës.

Projekti është realizuar me ndihmën e Shoqatës për promovimin e kulturës së pavarur ‘Kisobran’, Iniciativës së të rinjve për të drejtat e njeriut dhe fondacionit Heartefact.

Fotografi nga Prishtina Petrit Rrahmani është njëri prej fotografëve kosovarë që ka marrë pjesë në këtë projekt. Ai sapo është kthyer nga Beogradi, ku ka qenë në hapje të ekspozitës. Ai thotë se janë pritur mirë në Beograd. Tema të cilën e ka caktuar ai ka qenë jeta e natës. Ai u shpreh për Express se një pjesë e fotografëve e kanë marrë këtë punë më seriozisht, ndërsa një pjesë e tyre jo edhe aq.

“Shumë pak kam qenë i kënaqur me përgjigjet që janë bërë ndaj kësaj teme. Ka pasur shumë poza të thjeshta, që tregon se shumica nuk e kanë kuptuar temën të cilën e kam caktuar”, tha fotografi Rrahmani.

Ai shtoi se projekti si i tillë ka qenë interesant.

“Ky projekt më është dukur interesant, pasi që nuk jemi njohur me njëri tjetrin, nuk e kemi ditur se me kënd po komunikojmë, pasi që i vetmi komunikim ka qenë përmes fotografive. Do të kishte qenë mirë të ketë më shumë projekte të tilla në të ardhmen”, tha Rrahmani.

Fytyrat

Kompozicioni i fotografive ‘Fytyrat’ është nënprojekt i ‘Face The Reflection’, plotësim dhe kontribut i saj. Ky nënprojekt është një ballafaqim tjetër për fotografët nga Beogradi dhe Prishtina. Është kompozicion i përbërë nga pesëdhjetë fotografi. Janë dhjetë artistë të rinj, pesë nga secili qytet, të etur për të treguar punën e tyre dhe të takojnë miq të rinj. Të gjitha fotografitë duhet të përshkruajnë fytyra të fotografuara përballë. Qëllimi i kompozicionit është nënvizimi i mëtutjeshëm i ngjashmërive ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›