E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kermabon në Serbi në 19 mars

Shefi i misionit europian për drejtësi dhe polici, EULEX, Yv de Kermabon, pritet që të qëndrojë në Beograd më 19 mars, në kuadër të turit të vizitave në kryeqendrat e vendeve të rajonit. Zyrtarë të EULEX-it thonë se Kermabon do të takojë ministrat serbë të drejtësisë, policisë dhe të financave. Vizita e tij në Beograd është e para e këtij niveli, që pas vendosjes se misionit EULEX-it në Kosovë, në dhjetor të vitit të kaluar. Sipas një zëdhënëseje të misionit europian për drejtësi dhe polici, Karin Lamdal, në takimet e Kermabonit me zyrtarët e lartë serbë do të trajtohen temat e bashkëpunimit të ndërsjelltë në fusha të ndryshme e, posaçërisht, në ato të rendit dhe të ligjit, duke përfshirë edhe ato të luftimit të krimit të organizuar dhe çështjet e krimeve të luftës. Vizita e tij në Beograd zhvillohet pak ditë para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e parashikuar të zhvillohet më 23 mars, dhe gjatë së cilës besohet se do të diskutohet për planin 6 pikësh të OKB-së, i cili është kundërshtuar nga autoritetet e Prishtinës. Plani u ofron serbëve të Kosovës, posaçërisht në veriun e saj, një autonomi më të zgjeruar në fushën e policisë, drejtësisë dhe të doganave. Zëdhënësja e EULEX-it, tha se një raport i misionit për punën e tij në tre muajt e parë i është dërguar OKB-së, nëpërmjet BE-së, por sipas saj, ky mision nuk do të raportojë drejtpërdrejt në mbledhjen e radhës të KS të OKB-së. Ajo tha se i takon OKB-së që të vendosë për raportin nëse ai duhet të jetë pjesë e një raporti të përgjithshëm të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon. Në takimin e radhës të KS të OKB-së pritet të marrë pjesë edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i cili ka thënë se do të kërkojë që misioni i UNMIK-ut të përmbyllë punën e tij në Kosovë. Por autoritetet e Beogradit thonë se do të kërkojnë vazhdimin e punës së UNMIK-ut, i vetmi institucion ndërkombëtar që njihet nga serbët e Kosovës. Më herët Shefi i misionit evropian për drejtësi dhe polici, Yv de Kermabon, kishte deklaruar se ishte i gatshëm që të udhëtonte në Beograd sa më shpejtë të ishte e mundur për të takuar zyrtarët e lartë serbë, me qëllim të vendosjes së lidhjeve teknike. De Kermabon tha se takimi me zyrtarët serbë ka për qëllim vendosjen e një situate ku mbretëron rendi dhe ligji, në pjesën veriore të Kosovës. Beogradi zyrtar e ka kundërshtuar vendosjen e misionit europian për drejtësi dhe polici në Kosovë, duke e cilësuar atë si mbështetës së pavarësisë së Kosovës. Serbët e veriut të Kosovës nuk e kanë pranuar shtrirjen e këtij misioni në vendbanimet e tyre duke e cilësuar atë si joligjor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›