Kërpudhëzimi i partive, quo vadis?
Ilir Kalemaj
Duket se me afrimin e stinës zgjedhore të radhës, numri i partive politike po rritet në proporcion. Vetëm kohët e fundit, krahas Aleancës Kuqezi dhe partisë së deklaruar të pasuesve të Presidentit Topi, paralajmëruar nga Oketa dhe Biberaj, janë edhe një duzinë partish të tjera, që po nxitojnë të zënë nga një vagon në lokomotivat përkatëse, që do udhëheqin dhe zgjedhjet e ardhshme. Nga Lidhja për Drejtësi dhe Progres e Elmaz Sherifit, te Shqipëria e Re e Edmond Vlashajt apo Partia Civile e një grupi aktivistësh të rinj, që pretendojnë se do hyjnë të vetëm në zgjedhje. Nuk ngelen pas as minoritetet.
Tashmë ekzistojnë parti me profil rajonal si ajo e maqedonasve të Prespës apo partia e Romëve, ndërkohë që jo shumë kohë më parë u krijua dhe partia e Vllehëve, ndërkohë që minoritarët grekë kanë nisur përpjekjet për ribashkim të PBDNJ-së, çka u shenjua nga nisma e fundit e Dules me Karamelon. Në përgjithësi, në skakierën politike ekzistojnë edhe parti me emra të tillë si Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë, Partia Socialkristiane, Partia Lëvizja Monarkiste Demokrate Shqiptare, Partia e Biznesit Shqiptar, Partia Ardhmëria Shqiptare, Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare, madje dhe parti të tilla si Partia Demokratike Pezë Gjirokastër e Shqipërisë, ec e mere vesh këtë emër.
Duket se dalldia e krijimit të partive që po kërpudhëzohen çdo ditë e më shumë, është një risi që nuk ka ekuivalencë në asnjë vend evropian. Kjo edhe për shkak të vendosjes së pragut të lartë, por edhe të sanksioneve financiare në rast dështimi të marrjes së një kuorumi të caktuar. Përjashtim bëjnë vetëm viset e tjera shqiptare, ku duket se Kosova po ndjek me shpejtësi të njëjtin trend, ndërkohë që e tillë është situata edhe në Maqedoni, ku janë së paku nja 3-4 parti kryesore shqiptare dhe disa të tjera më periferike, ndërkohë që edhe Mal i Zi me diku te 5 përqind popullsi shqiptare ka së paku shtatë parti respektivë me të cilat përfaqësohet në jetën publike në vend.
Paradoksi është që në të njëjtën kohë që ka një dalldi drejt shumëzimit të partive të reja, nuk duket aspak qartë se përse u dashkërkan krijuar kaq shumë?! A thua kanë diferenca ideore, vlerore apo përfaqësojnë shtresëzime të ndryshme të elektoratit?! Në fakt, me përjashtime të rralla, shumica e partive ekzistojnë më tepër që në forma pazaresh të arrijnë të bëjnë marrëveshje me krerët e partive të mëdha në këmbim koncesionesh, proporcionalisht të pabarabarta me peshën specifike të tyre.
E thënë me fjalë të tjera, për të arritur të marrim ndonjë copë nga torta e pushtetit, në varësi të animit të peshores politike të radhës. Kuptohet që mazhoranca ka një koalicion shumë herë më të zgjeruar (i referohemi këtu zgjedhjeve të fundit, si parlamentare, por edhe vendore), ku Aleanca për Qytetarin përfshinte nja 30 parti më tepër se Aleanca për të Ardhmen, edhe si rezultat i joshjes më të madhe që mbart pushteti ekzistues. Pak a shumë, e njëjta histori pritet të përsëritet në zgjedhjet e vitit që vjen.
Por a ka nevojë për kaq shumë parti? Në fakt, hiq pak parti ekzistuese, ato të cilat janë edhe parti parlamentare, plus dhe ndonjë parti tjetër, të tjerat duket se nuk plotësojnë ndonjë vakuum ideologjik apo përfaqësim grupimesh të caktuara shoqërore. Lajm i mirë është se për herë të parë në thuajse dy dekada, gara e ardhshme elektorale duket se ka për të qenë më tepër e fokusuar te programet dhe idetë ekonomike, politikat publike, alternativat e modeleve të zhvillimit dhe çështjet e përfaqësimit se garat paraardhëse. Këtë e kishte parashikuar saktë edhe Blushi, i cili doli para pak kohe me një platformë të re për Partinë Socialiste, me një timon të prerë qartësisht majtas.
Duket se ka një evoluim në këtë drejtim në lidhje me devizën përtej së majtës dhe të djathtës që ishte dhe lajtmotivi i zgjedhjeve të kapluara. Në këtë pikë duket se ka ngjashmëri me ndërrimin e stafetës nga era Bler në erën Miliband në politikën britanike dhe ndryshimin respektiv të kursit edhe atje. Fokusimi i debatit në politikat fiskale (taksë e sheshtë apo progresive), politikat e zhvillimit, të orientuara drejt një dinamizmi industrial, në rritjen e profilit si vend tranzit, tërheqja e kapitalit dhe investimeve të huaja apo një model i orientuar drejt energjisë së rinovueshme, turizmit, fuqizimit të bujqësisë nëpërmjet politikave agrare dhe turizmit duket se janë disa nga fushat ku qeverisja aktuale do ballafaqohet me opozitën në zgjedhjet e ardhshme.
Ngushtësisht lidhur me këto janë çështjet e punësimit, ofrimi i një modeli për reformën në sigurimet shoqërore, reforma shëndetësore, lufta ndaj korrupsionit, çështja e subvencioneve shtetërore, ritmi i privatizimeve etj. Nuk ngelet pas edhe projektimi i një politike të jashtme të përcaktuar qartë, një përkufizim më i artikuluar i interesit kombëtar, i bashkëpunimit me fqinjët, i kursit të reformave për t`u integruar më shpejt në Bashkimin Evropian, një qëndrim më koherent në lidhje me pakicat shqiptare jashtë kufijve, me tregtinë rajonale etj.
Partitë, dhe jo vetëm ato dy më të mëdhatë, kanë shumë për të thënë dhe duhet të thonë në lidhje me shumëçka më sipër. Pozicionimi i hapur, i qartë dhe pa ekuivok edhe në lidhje me çështje të tilla si prona, të persekutuarit, mbrojtja e të drejtave gjinore apo natyra dhe roli i institucioneve dhe reforma administrative janë pluse për këdo që do të ndërtojë një profil politik të besueshëm dhe përfaqësues.