Kerry: Të përfundoj “jobalanca” në Siri

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry tha sot se mbështetësit e opozitës së Sirisë do ta shtojnë ndihmën ushtarake dhe atë të natyrës tjetër, me qëllim që të përfundojë “jobalanca” në terren, që është në favor të regjimit të Bashar al-Assadit.
Më tutje, duke folur në konferencën e “Miqve të Sirisë” në nivel të ministrave të jashtëm në Doha të Katarit, Kerry theksoi se Washingtoni mbetet i përkushtuar për planin e paqes, i cili përfshin konferencën në Gjenevë dhe qeverinë e tranzicionit, të formuar nga regjimi i Assadit dhe opozita.
Sipas zyrtarit të lartë amerikan, kryengritësve në Siri u duhet më tepër mbështetje “për qëllimin që të jenë të aftë të shkojnë në Gjenevë për të pasur mundësi ta diskutojnë jobalancën në terren”, transmeton Rel.
Kryeministri i vendit mikpritës të konferencës, Sheikh Hamad bin Jassim al-Thani tha se furnizimi i kryengritësve me armatim është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e konfliktit.
Në takim u përfaqësuan 11 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane e rajonale./Indeksonline/