E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kerry përshëndet planin për reforma në Egjipt

Nga Express më 07 shkurt 2011 në ora 13:13

Senatori amerikan, John Kerry, ka mirëpritur bisedimet e pashembullta ndërmjet nënpresidentit të Egjiptit dhe opozitës, përfshirë lëvizjen e ndaluar Vëllazërinë Myslimane, me qëllim të planifikimit të reformave si rrjedhojë e protestave masive kundër qeverisë.

Kryetari i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, demokrati Kerry nga Masachusets, përshkroi bisedimet mes zëvendëspresidentit egjiptian, Omar Suleiman dhe përfaqësuesve të opozitës si “të jashtëzakonshme”.

“Të numërojmë ato që kanë ndodhur gjatë 12 ditëve të fundit: Presidenti Mubarak njoftoi se nuk do të kandidonte në zgjedhje. I biri i tij nuk do të kandidohet. Ai ka caktuar në detyrë një nënpresident. Ai është përfshirë në dialog me protestuesit. Ai tani po premton të shfuqizojë ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme, që është një hap tejet i madh drejt ecurisë demokratike, duke i lejuar njerëzit të organizohen, të flasin, të takohen në kafene. Mendoj se ky është fillimi”, tha Kerry.

Kerry foli në program e kanalit NBC, Meet the Press, ndërkohë që protestat kundër qeverisë në Egjipt vazhduan për të 13-tën ditë. Protestuesit po kërkojnë që Presidenti Hosni Mubarak të japë dorëheqjen menjëherë dhe të mos presë deri pas zgjedhjeve, që priten të mbahen në shtator.

Në programin Meet the Press, u paraqit edhe ish-drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Mohamed ElBaradei.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›