Kerry sekretar i Mbrojtjes, Rice sekretare e Shtetit?

Presidenti amerikan, Barack Obama, po mendon t’i kërkojë senatorit John F. Kerry që të pranojë detyrën e sekretarit të Mbrojtjes, si pjesë e një ri-formatimi të ekipit të sigurisë kombëtare, që do të përfshijë edhe zëvendësimin e drejtorit të dorëhequr të CIA-s, David Petraeus.
Edhe pse Kerry thuhet se dëshiron detyrën e sekretarit të Shtetit, zyrtarët e administratës janë të bindur se ky post do t’i shkojë ambasadores amerikane në OKB, Susan E. Rice.
John O. Brennan, këshilltari i presidentit kundër terrorizmit, është një kandidat potencial për drejtimin e CIA-s, gjithmonë nëse do të dëshirojë, saktësojnë burimet e cituara nga “Wall Street Journal”.
Nëse Brennan vazhdon me planin e tij për të braktisur qeverinë, atëherë Michael J. Morell, drejtori në detyrë i agjencisë, është favorit për të marrë detyrën me kohë të plotë.
Zyrtarë të administratës thanë me kujdes se diskutimet në Shtëpinë e Bardhë janë ende në fazat fillestare dhe ende nuk është marrë një vendim.