Mustafa: LDK'ja do të respektojë rezolutën për bisedime

Kohëve të fundit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, disa herë ka deklaruar se delegacioni i Kosovës për bisedime politike me Serbinë në Bruksel do të zgjerohet edhe me akterë nga opozita.
Këtyre deklaratave sot u është përgjigjur kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duke thënë se LDK-ja do të sillet konform rezolutës së Kuvendit të Kosovës, e cila i jep mandat Qeverisë që t’i zhvillojë këto bisedime mbi bazën e rezolutës në fjalë.
“Ne do t’i përmbahemi rezolutës së Kuvendit dhe do të veprojmë sipas rezolutës së Kuvendit. Ne kemi qenë për atë që dialogun ta zhvillojnë institucionet e Republikë së Kosovës, të cilat e kanë mandatin dhe të cilat përgjigjen para ligjit për mandatin e tyre. Prandaj, në këtë formë do të sillemi si LDK”, ka thënë ai.
Kurse i pyetur për rezultatet e këtyre bisedimeve, Mustafa ka thënë se tash është herët të flitet për rezultate, pasi që dialogu tashmë është në fazën fillestare.
Ai ka bërë të ditur se pritet që kryeministri Thaçi ta ketë një takim edhe me partitë opozitare, në mënyrë që t’i njoftojë edhe ata lidhur me takimin që e ka pasur me homologun e tij serb, Ivica Daçiq në Bruksel.
Ndërkaq, për rëndësinë e autostradës, Mustafa ka thënë se autostrada gjithmonë do ta ketë vlerën më të madhe në qoftë se lidhen më shumë shtete dhe nëse e shfrytëzojnë më shumë vende autostradën, sepse, sipas tij, nëse shtegu shkon deri në Serbi, atëherë natyrisht se do të ketë kalim edhe të vendeve të tjera, të cilat gravitojnë me Serbinë përmes kësaj autostrade dhe do të shtohet vlera dhe rëndësia e saj.
Këto deklarime Mustafa i bëri gjatë sot me rastin e përurimit të disa fushave sportive, si në lagjen Çamëria, Ulpiana dhe Gërmia për të cilat Mustafa tha se janë ndarë rreth 530 mijë euro.