E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilla dashamirëse apo kërkesa legjitime?

Gjatë takimeve të vizitës së fundit të Shtefan Fyle në Tiranë, Komisione-ri i Bashkimit Europian për Zgjerimin inkurajoi qeverinë, opozitën dhe aktorët e tjerë të skenës politike të vendit tonë që të vazhdojnë përpjekjet për të arritur progres të mëtejshëm në zbatimin e reformave, duke u bazuar në konsensusin mes tyre, çka do të ishte e nevojshme jo vetëm për procesin e integrimit në BE, por edhe për të përmirësuar jetën e përditshme të popullit shqiptar. Pasi konfirmoi se rezultatet e para konkrete, që rrjedhin nga zbatimi i Planit të Veprimit për të adresuar prioritetet kyçe të Opinionit të Komisionit Europian, qartësojnë që gjërat janë duke shkuar në drejtimin e duhur, zoti Fyle përcolli njëherazi edhe mesazhin, se tashmë është koha që Shqipëria të tregojë progres të besueshëm e të qëndrueshëm në reformat kyçe të ndërmarra, nëpërmjet një dialogu stabël politik dhe një axhende kombëtare gjithëpërfshirëse.
Pra, me gjithë transmetimin e ca sinjaleve pozitive rreth mundësive reale për të përfituar statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, Komisioneri nga Brukseli tërhoqi vëmendjen e politikanëve shqiptarë për të arritur, siç është shprehur, rezultate konkrete të pritshme në një kohë konkrete. Në këtë drejtim, ai u ndal veçanërisht në disa pika kyçe, ose objektiva të rëndësishme për t’u arritur sa më të shpejt, si: përfundimi i reformës zgjedhore, që zhvillimi i zgjedhjeve të qeta dhe të lira të bëhet realitet; realizimi i reformës parlamentare, si një bazament i mirë për efektshmërinë e demokracisë përfaqësuese; sundimi i ligjit, nëpërmjet krijimit të një sistemi të pavarur gjyqësor që mund të bëjë plotësisht të mundur sidomos luftën kundër korrupsionit dhe hetimin tërësor të tragjedisë së 21 Janarit; marrja e masave përkatëse për sigurimin e një standardi të lartë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e grupeve të cenuara dhe të pakicave.
Gjithashtu, gjatë takimeve me kreun e qeverisë dhe me atë të opozitës, si edhe gjatë fjalës së mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë përpara deputetëve tanë, Shtefan Fyle nuk la mënjanë edhe rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës për zgjedhjen e një presidenti të ri konsensual, që sipas frymës së Kushtetutës të tregojë unitetin e popullit dhe të përçojë drejt Bashkimit Europian një shenjë të spikatur të maturisë së politikës shqiptare. Për këtë të fundit, Kryeministri ynë – lider i mazhorancës parlamentare përdori në konferencën e shtypit të dhënë pas takimit me zotin Fyle një retorikë të ngatërruar dhe të paartikuluar mirë vetëm ndaj adresimit te një proces negociatash, por pa dhënë shpjegime të mëtejshme.
Mirëpo, për përmbushjen e porosive të përmendura më lart nevojiten reflektime të pjekura dhe të pavonuara, përkundër deklarimeve me solemnitete emocionale që bien erë hipokrizi të rëndomtë dhe tipike të disa politikanë tanë. Sidoqoftë, menjëherë pas atyre çka u tha gjatë vizitës së posaçme në Tiranë të një përfaqësuesi politik të Komisionit Europian, ndoshta më e rëndësishme është thellimi në përgjigjen e pyetjes: “A janë këto porosi të zotit Fyle këshilla dashamirëse vetjake, apo kërkesa të palëkundura legjitime të Bashkimit Europian për Shtetet Anëtare të tij?”. Ashtu sikurse u shpreh edhe vetë Komisioneri, ato nuk janë këshilla, por nga plotësimi i prioriteteve kyçe varet drejtpërsëdrejti integrimi i Shqipërisë. Pra, tërheqja e vëmendjes së aktorëve të politikës shqiptare nga politikani europian, Shtefan Fyle, nuk është thjesht shprehje e dëshirave të mira të tij për mundësinë e vërtetë që i hapet këtë vit Shqipërisë në ecjen e saj më pranë Bashkimit Europian, por me zbatimin e disa masave parësore të domosdoshme, që përbëjnë një nga tre kushtet kryesore për aderimin në BE. Madje, më shumë se sa kritere politike, ato kanë të bëjnë me parimet që sinonimizojnë vlerat themelore të konsakruara edhe në aktet juridike të Unionit.
Konkretisht, në nenin 2 të Traktatit të Bashkimit Europian bëhet fjalë shprehimisht për vlerat “e respektimit të dinjitetit njerëzor, të lirisë, demokracisë, barazisë, Shtetit të së Drejtës, si edhe respektimit të të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e minoriteteve...”. Meqë këto vlera janë të njëjta për të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së, sigurisht që është e domosdoshme të respektohen edhe nga Shtetet që aspirojnë çeljen e negociatave për anëtarësim, nëpërmjet përfitimit të statusit të kandidatit. Vështruar në këtë kuadër, mbase nuk është e tepërt, qoftë edhe në këto pak radhë, për t’i hedhur një sy natyrës specifike të Bashkimit Europian, kryesisht në tre drejtime, ku u jepet përgjigje pyetjeve përkatëse.
Së pari: A ka BE-ja cilësi shtetërore? Juristë dhe autorë të ndryshëm bashkëkohorë nuk e konsiderojnë atë të tillë nëse pranojnë që Unioni ende ka disa atribute shtetërore. Meqenëse një nga tre elementët e përkufizimit klasik të Shtetit është ushtrimi i autoritetit sovran mbi territorin dhe popullsinë e tij, e drejta institucionale e Bashkimit Europian e vështron dhe trajton këtë sovranitet me limite të caktuara. Domethënë, meqë në planin e jashtëm çdo shtet duhet të respektojë sovranitetin e Shteteve të tjera, çështja bëhet e vlefshme vetëm në planin e brendshëm. Në këtë plan pra, sovraniteti është i kufizuar, ngaqë Shtetet Anëtare të Bashkimit nuk mund të marrin vendime të formës së prerë në fusha, për të cilat Traktatet i japin kompetenca vetëm Bashkimit. Kështu, vërtet që Bashkimi vetë nuk ka sovranitet, por Shtetet Anëtare kanë rënë dakord për transferimin e kompetencave në fusha që sipas terminologjisë së përdorur në një vendim të Këshillit Kushtetues francez “cenojnë kushtet kryesore për ushtrimin e sovranitetit kombëtar”.
Së dyti: A është më BE një organizatë ndërkombëtare? Duke u nisur nga arsyet përse Ai nuk duhet cilësuar si shtet, vizioni për ‘të hapej drejt një organizate ndërkombëtare, aq më tepër që Bashkimi është krijuar nga traktatet ndërkombëtare. Por, nëse në të drejtën unternacionale, efekti i drejtpërdrejtë i transferimit të kompetencave është një përjashtim, në rastin e Unionit ai është një rregull. Më tej, organizatat ndërkombëtare mbartin karakter ndërqeveritar, ndërsa Shtetet Anëtare brenda Unionit nuk janë subjekte të vetme të së drejtës, por me këtë cilësi vishen edhe individë të veçantë dhe bashkime të tyre, si persona fizikë apo juridikë. Duke pasur parasysh këtë dhe të tjera specifika, tashmë për Bashkimin është gjetur një përcaktues i ri: “Organizatë për Integrim”.
Së treti: A është BE një tërësi e tipit federal? Ndonëse në këto kushte është vështirë t’i bëhet Atij një përkufizim i prerë, nga disa këndvështrime, si ata të politikës së jashtme dhe të sigurisë së përbashkët, autorëve të ndryshëm u paraqitet me karakteristikat e një tërësie konfederale. Ndërsa, nga disa pikëpamje të tjera, si ato të sistemit juridik dhe politikave të përbashkëta, më shumë shfaqet forma e një strukture federale. Sidoqoftë, nuk mund të mohohet lidhja e Bashkimit me modelin federal, aq më tepër kur pranohet nga e drejta ndërkombëtare që Shteti nuk është forma e vetme e këtij lloj organizimi.
Megjithatë, përkufizimi progresiv i vlerave të përbashkëta ku bazohet më së pari BE dhe aderimi në ‘të i Shteteve të caktuara të kontinentit tonë ka krijuar bindjen dhe dëshmon për kërkimin e një identiteti europian, të tillë që bazamentin e ka te identitetet e veçanta të Shteteve Anëtare, duke grumbulluar apo lokalizuar karakteristikat e përbashkëta të tyre. Në këtë kuptim, është për t’u vlerësuar shumë fakti që Komisioni Europian ndjek nga afër dhe mbështet edhe Shqipërinë në zbatimin e Planit të Veprimit të vendit për të përmbushur 12 prioritet kyçe. Njëkohësisht, është përgjegjësi në radhë të parë e aktorëve politikë që të reflektojnë drejt, për të hedhur që në këto ditë, që në këto javë, që në këta muaj, që në këtë vit, hapa të shpejtë për ta kapur mundësinë që jepet, në interes të qytetarëve shqiptarë, në interes të të gjithë Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›