Këshilla për mitingun e ardhshëm të opozitës
Mitingu i opozitës, ndoshta më i madhi që ajo ka bërë prej vitit 1997 në Shqipëri, pati dhe telashet e veta, larg syve të njerëzve. Rama dhe Meta u përplasën lidhur me flamujt dhe pankartat që njerëzit e LSI mbanin në duar. I kapur pa përgatitur, Rama filloi të shante Ilir Metën, deri me fjalë banale. Ky i fundit, i kënaqur që ia kishte futur me flamujt dhe pankartat, nuk reagoi, po vazhdoi të nxirrte njerëzit e tij në krye të turmës. Por çudia ndodhi me mikun e rubrikës sonë, Flamurin. Atë e gjetëm në tarracën e kullave binjake, të përlotur dhe tërësisht të ndryshuar.
- Çfarë të ka ndodhur, i thashë.
- ǒtë më ndodhë, tha. Mu mbushën sytë më lot. Mu kujtua koha ime në opozitë dhe më vjen keq për këta sa keq janë të organizuar. Shiko, asnjë masë për mikrofonin, asnjë masë për tabelat, asnjë masë për masë për parullat e shkruara. Pastaj shumica e njerëzve nuk dinë nga të venë. Më kujtohet sa mirë i organizoja vet këto.
- Çfarë bëje ndryshe nga këta?
- Po ja, nga krahu i shkallëve të kryeministrisë rrinin ata me molotov në dorë. Në qendër, gra të vendosura që bërtisnin “Fatos Nano, kriminel, do të varim në çengel”. Pastaj nga krahu i Kuvendit ishin një grup që bërtisnin “Çeveri e krimit”.
Në pjesën nga sipër, nga ku filmonin kamerat, ishin protestues seriozë. Ata mbanin parulla: “Duka i krimit”, “Delijorgji, mafia në pushtet”, “Taçi Oil, kontrabandist nafte”, “Poshtë monopolet”, “Poshtë korrupsioni”, etj. E qanim këtë pjesë. Këta qenkan copë- copë. Dhe paskan gjithë këta njerëz. Unë me gjysmën e këtyre bëja namin. I vija të bënin xhiro 3 herë deri tek universiteti dhe ktheheshin prapë.
- Mos i ngatërron emrat ti, se këto parulla duhet t’i kenë këta?
- Jo mo, ne i kishim. Po aq informacion kishim. Ku e dinim ne që Delijorgji bënte punë të ndershme në ushtri. Kur e mësuam ne kur erdhëm në pushtet, s’i ramë në qafë më. As Taçi Oil-it. Bile, deshi ARMO-n, ia dhamë. Ato të shkuara, të harruara. Ka thënë ai burri, në fushatë lejohet të thuash ç’të duash se fushatë është. Dhe mirë e ka. Mban mend njeriu ç’thotë në fushatë.
- Po parulla për sigurinë e jetës keni pasur ju, apo tani ka dalë kjo temë?
- Jo mo, kemi pasur, si s’kemi pasur. Ka pasur pasiguri të madhe atëherë. Ra një autobus me nxënës shkolle në Mirditë. Bëmë namin. E hëngri Fatos Nano për atë, se atë ditë ishte në buzuk në Selanik. Aq deshëm ne, ia rrasëm. Ajo është pasiguri, jo Kosta Trebicka. Vete njeriu për gjah në anë të anës dhe vdes. Hajt merr vesh pse ka vdekur. Kurse ata dihej pse kishin vdekur. Ishte tamam aksident. Ra autobusi në humnerë. Ajo është përgjegjësi e qeverisë, jo kjo. Kjo s’dihet as ku ka rënë, as kur, as pse ka rënë. Dihet vetëm që ka vdekur.
- Ky Bogdani ka thënë që opozita nuk ka plotësuar kuorumin në miting. Përse e ka fjalën?
- Është e qartë përse e ka fjalën. Të gjithë e dimë që aty nuk ishte as gjysma e opozitës. Po t’i referohemi 2005-ës, e majta ka marrë rreth 500 mijë vota. Aty nuk ishin 250 mijë njerëz. Për këtë do të thotë që s’ka mbledh dot kuorumin. Unë nuk di sa ishin tamam, por e sigurt që nuk kanë qenë 250 mijë. Ia ka thënë ai burri Gertit, se ia thashë unë. Më tha, çfarë tu them ndonjë gjë Flamur, dhe i thashë këtë të kuorumit. U kënaq shumë se iu duk gjetje. Se nuk e përgënjeshtron njeri. Po ky Bogdani bëhet keq kur e merr vesh që unë ia jap idetë atij burrit, kur e urdhëron të bëjë deklarata. Se do të duket sikur i bën vetë, po e kuptojnë menjëherë të gjithë që është dora ime dhe e atij burrit. Se po të ishte për Bogdanin, në miting e kishe me familje.