Në pritje të presidentit të botës
Bota është duke pritur 4 nëntorin. Kandidatët për president të SHBA-së – demokrati Barack Obama dhe republikani John McCain, tashmë janë të njohur jo vetëm për opinionin amerikan, por për mbarë botën. Zgjedhjet presidenciale në SHBA nuk janë zgjedhje vetëm për këtë vend. Duke pasur parasysh ndikimin e madh të këtij shteti në botë, ndoshta nuk do të ishte keq që gjithë bota të merrte pjesë në përzgjedhjen e presidentit amerikan. Kjo nuk është e mundshme. Por, e mundshme është që të vështrohet, përmes medieve, sa e mundimshme është rruga e një kandidati drejt Shtëpisë së Bardhë.
Secili pretendent për kryetar duhet t’i nënshtrohet me muaj të tërë një skanimi kritik, një armatë gazetarësh zbulon pothuaj të gjitha hollësitë e jetës, qëndrimet politike, animet fetare, orientimin seksual dhe moral, e kështu me radhë. Nëse e krahasojmë zgjedhjen e presidentit në Amerikë dhe zgjedhjen e kryetarit të Rusisë, atëherë Washingtoni mbetet simbol i shndritshëm i demokracisë. Në Rusi mjaftoi një procedurë pseudodemokratike dhe një fushatë për pengimin e kandidatëve të tjerë për të vendosur në fronin e presidentit Dimitrij Medvedjevin. Demokracia ruse është një demokraci me shofer, sepse pushtetmbajtësit mendojnë se ndryshe Rusia do të fundosej, prandaj dikush, në rastin konkret Vladimir Putini, duhet ta mbajë drejtimin, ekuilibrin e asaj që quhet “demokraci ruse“.
II.
Me gjithë faktin se Amerika vazhdon të jetë një demokraci shembullore për shumë vende të botës, imazhi i këtij vendi në tetë vjetët e fundit është zbehur. Nga vendi i lirisë, i shpresës, i inspirimit është shndërruar në një vend që duhet të luftojë për përmirësimin e imazhit. Pas një solidariteti të jashtëzakonshëm, të cilin Amerika e përjetoi pas sulmeve barbare të 11 shtatorit, presidenti George W. Bush u hodh në aventurën e luftës kundër Irakut. Arsyet e prezantuara për luftë dolën të rrejshme. Regjimi i Sadam Huseinit vërtet ishte kriminal dhe antinjerëzor, por nuk kishte lidhje me rrjetin terrorist të Al-Kaidës. Pas marshimit në Irak simbol i zbehjes morale dhe i diskreditimit të Amerikës u bë fotografia e qytetarit irakian Satar Jabar, i cili ishte detyruar të qëndronte mbi një karton dhe me duar të lidhura në elektroshok në burgun Abu Graib. Edhe retorika e Bushit për “Boshtin e së keqes“ s’ishte asgjë tjetër përveç se një përpjekje për të ringjallur fantazmat e së kaluarës, duke iu referuar figurave të rëndësishme historike, si Winston Churchillit dhe Ronald Reaganit. Derisa i pari në Luftën e Dytë Botërore e kishte shpikur nocionin “Fuqitë e boshtit“, ky i dyti e kishte quajtur botën komuniste nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik “një perandori të së keqes“. Disa prej vendeve që Bushi i kishte renditur në “Boshtin e së keqes“ tani janë hequr nga lista (Libia, Iraku, Afganistani, Panamaja). Kjo është një dëshmi tjetër se nën drejtimin e Bushit Amerika ndoqi një politikë të jashtme, e cila përgjithësonte në stilin „i mirë – i keq“, „i bardhë – i zi“.
Këtë stil është përpjekur ta korrigjojë në katër vjetët e fundit sekretarja e shtetit, Condoleeza Rice.
III.
Tetë vjet nën George W. Bushin e kanë dobësuar Amerikën. Tani një fillestar (Barack Obama) dhe një veteran (John McCain) dëshirojnë t’ia rikthejnë Amerikës imazhin e një hegjemoni dashamirës. Parashikimet se cili prej kandidatëve do të fitojë tani për tani janë të vështira. Barack Obama ka notuar disa muaj në valën e entuziazmit, madje nganjëherë nga mbështetësit e tij ai më tepër është shikuar e admiruar si “popstar“ (yll i muzikës pop) sesa politikan që mund të marrë vendime të vështira. Me kurorëzimin e senatorit Joe Biden si kandidat për nënpresident, Obama ka pranuar tërthorazi axhamillëkun e tij në politikën e jashtme. Biden është përfaqësues tipik i klasës politike të Washingtonit, njohës i konflikteve në botë, kryetar i Komisionit për politikë të jashtme në Senat – me një fjalë: një njeri me përvojë. Sipas anketave, amerikanët do të ndiheshin të sigurt sikur presidenti eventual Obama do ta kishte afër 65-vjeçarin Joe Biden-it. Me kartën e sigurisë dhe përvojës lufton edhe John McCain. Para zgjedhësve amerikanë ai prezantohet si politikan i rryer, si veteran i luftës së Vietnamit, si hero, i cili ka mbijetuar torturat e trupave guerile vietnameze. Nga kjo pozitë McCain ia lejoi vetes një aventurë politike: ai zgjodhi si kandidate për zëvendëspresidente një grua praktikisht të panjohur. Sarah Palin para gati dy vjetësh është zgjedhur guvernatore e Alaskës. Arsyet pse McCain u përcaktua për 44-vjeçaren Palin janë të qarta: kjo grua, e cila është kundërshtare e rreptë e abortit, e cila mban lart flamurin e vlerave konservative, e cila është një kursimtare e rreptë e buxhetit – kjo grua është një dhuratë nga qielli për grupet religjioze në Amerikë. Por Palin është po ashtu e pranueshme edhe për grupet e moderuara, sepse nuk është një konservative e ngurtë.
IV.
Cilat janë gjasat që presidenti i ardhshëm t’ia kthejë Amerikës imazhin e një superfuqie, që nuk lufton vetëm për naftë, por edhe për vlera? A do të jetë Washingtoni edhe më tutje shofer i botës? A do të jetë një vend i “hope” dhe “change”, siç ëndërron Barack Obama, i cili duket si një kopje e Paris Hiltonit në skenën politike? Shumë intelektualë amerikanë janë duke e trajtuar këtë temë në prag të zgjedhjeve të 4 nëntorit, të cilat cilësohen si historike.
Politologu me prejardhje indiane, Parag Khanna, ishte ndër të parët e zanatit të tij që paralajmëroi mbi vështirësitë që do të ballafaqohet Amerika në deceniet e ardhshme. Në librin “The Second World: Empires and Influence in the New Global Order” (Bota e Dytë: Perandoritë dhe ndikimi në rendin e ri global) Khanna shkruan se pas turpërimit në Irak dhe rrezikut që i kanoset nga një kapitalizëm i pafrenuar Amerika ka humbur shume pushtet dhe ndikim politik në botë. Sipas tij, në shekullin XXI “fatin e tokës” do ta përcaktojë Azia – “me apo pa Amerikën”. Në të ardhmen, shkruan Khanna, globi do të sundohet prej tri sferave të fuqisë: nga Amerika, nga Kina dhe nga Bashkimi Evropian. Rusia ndërkaq është një komb “në vdekje e sipër”, shkruan Khanna. Me gjithë kërcënimet, të cilat të kujtojnë kohërat cariste, me gjithë fitimet e majme nga resurset natyrore, ekonomia e Rusisë është ende e dobët,
Evropa me fuqinë e saj materiale mund ta blejë atë fund e krye, nënvizon Khanna. Ai mendon se Rusia i përket “Botës së dytë”, bashkë me vende të fuqishme, si Brazili, India, vendet arabe etj. Sipas tij, në “Botën e dytë” është duke u zhvilluar lufta vendimtare për ndikim.
Varësisht se cilës fuqi botërore i bashkohen këto vende, do të vendoset se cili pol, cila sferë e pushtetit do të jetë më e fuqishme. Khanna mendon se Perëndimi mund të ruajë ndikimin nëse forcohet Evropa, nëse Bashkimi Evropian shndërrohet në një lloj Perandorie Romake, duke integruar Turqinë dhe vendet e Magrebit.
Kryeredaktori i revistës Newsweek International, Fareed Zakaria, në librin e tij “The Post-American World” (Bota postamerikane) përshkruan fundin e mbisundimit amerikan. Sipas tij, prej shekullit XV deri në shekullin XVIII ka triumfuar racionalizmi perëndimor dhe, pastaj, Amerika është zhvilluar dhe është bërë superfuqi. Tani, shkruan Zakaria, u ka ardhur radha vendeve të tjera të përjetojnë ngjitjen në majat e zhvillimit.
Kjo, sipas tij, është meritë e Amerikës, sepse “globalizimi i botës – ka qenë vizioni amerikan”. Nga ky vizion, padyshim, kanë përfituar sidomos Kina dhe India. Zakaria mendon se Amerika duhet të përpiqet t’i afrojë këto vende, t’i integrojë në sistem, t’i bindë që ato ta përkrahin rendin global.
Krejt ndryshe mendon Robert Kagan. Ky intelektual me gjuhë të mprehtë ka qenë njëri ndër flamurtarët kryesorë neokonservativë në fushatën për intervenim ushtarak kundër Irakut. Në librin e tij më të ri “Demokracia dhe armiqtë e saj” ai mendon se qasja multilaterale në politikën botërore është një ëndërr e bukur e idealistëve, asgjë më shumë.
Këtyre idealistëve Kagan u thotë: Bota nuk funksionon kështu! Në “Washington Post” ai së fundi shkroi se me ndërhyrjen e Rusisë në Gjeorgji i erdhi fundi një faze të utopisë dhe harmonisë, tani, sipas tij, bota është kthyer në kontura të qarta, është kthyer në Luftën e Ftohtë. Kjo situatë, sipas Kaganit, do t’i ndihmojë Perëndimit të bashkohet në luftë kundër “armiqve të lirisë”. Njëri nga luftëtarët mund të jetë vetë Kagan. Ai është këshilltar i John McCainit.