E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja pse pse Zogu kishte simpati për politikën italiane

Zogu, Mbreti i Shqiptarëve (10)

Nga Terenc Toçi

Vijon nga numri i kaluar

Por ky djalosh mustaqepadirsur - pak vite më vonë, kur kishte mbushur 28 vjeç - dhe në Tiranë erdhi lajmi se në Itali mori pushtetin fashizmi, i cili do të ringrinte Italinë dhe do t'i jepte një impuls jetës europiane duke i hapur horizonte të reja, - më autorizonte t'i deklaroja Markezit të Durrësit, atëbotë Ambasador i Italisë në Tiranë, se mund t'i telegrafonte Romës se shqiptarët e shihnin me simpatinë më të madhe triumfin e fashizmit. Sepse nga një parti e përcaktuar për të mirën e kombit italian, të gjitha kombet e tjera s'duhej të prisnin gjë tjetër përveçse një bashkëpunim të sinqertë e vëllazëror.

Vizion i qartë, sintetik, realist, vizion që pati edhe pasoja të ndryshme, për të cilat nuk jam unë ai që duhet të shkruaj, por shkrimtarët e ardhshëm që do të vijnë, kur ne, dëshmitarë dhe autorë të këtyre faqeve të historisë, nuk do të jemi më në këtë botë.

Por, atyre që, megjithë këtë qartësi vizioni, ankohen, - ndoshta sepse janë prekur interesa që nuk mund të shprehen haptas, - duhet t'u them patjetër diçka me sinqeritetin dhe guximin e atij që ka bindjen e thellë se nuk mund ta përgënjeshtrojë kush, sepse ka punuar gjithmonë njëlloj dhe ndershmërisht për interesin e përgjithshëm e kombëtar.

Ahmet Zogu nuk ka penguar asnjë prej atyre që për shkak të një daltonizmi politik të pashërueshëm (daltonizëm: sëmundje kur sheh gjërat vetëm një ngjyrë; - shën. i përkth. N.K.) kanë mbrojtur idenë që të bëjnë një politikë që Shqipëria të siguronte një neutralitet të përhershëm dhe të fortë, nën krahët e Lidhjes së Kombeve (sot OKB; shën. ynë N.K.) ose shteteve mbështetëse të saj; ai pranoi që të mashtruarit të trokitnin në të gjitha dyert dhe të dërgonin këshilltarë teknikë dhe organizatorë që nuk dinin më shumë se ne, pinjoj të një populli që sapo doli nga errësira e një skllavërie shekullore; ai pranoi edhe që të kërkoheshin borxhe me shqetësimin e atij që është në buzë të greminës... borxhe nuk u dhanë kurrë.

Ai toleroi gjithashtu që ata të flirtonin - të mashtruarit me xhambazët, - të cilët për një buzëqeshje të zbehtë i lejonin vetes të thonin se ishin... radhitur pas një Fuqie të madhe botërore.

Gabimi i Ahmet Zogut, sipas miopëve dhe trutharëve ishte se i kishte parë gjërat në një prizëm, i cili bënte vlerësimin e gjërave sipas prejardhjes racore, zhvlerësimin e konflikteve potencialë me anë të ligjeve të jetës së njerëzve e të popujve, sipas parimit të shkuljes së karros së famshme.

Tepër të vegjël! Parce sepultis!

Udhëheqësi i shqiptarëve nuk donte të kishte brerje ndërgjegjeje.

Ai ishte i vendosur që të siguronte mbijetesën kombëtare me anë të çfarëdo rruge të lejueshme politikisht, me çfarëdo mjeti që është i pranueshëm për të mbrojtur ekzistencën tënde. E megjithatë edhe në raste që ishin nën dominimin absolut të tij e i mundësonin që me një goditje të lehtë të mund t'i shkatërronte kundërshtimet dhe harxhimet e forcave, Ai lejoi që gjërat të ecnin. Ai e di fare mirë se në jetën e një kombi - megjithë ashpërsinë e ligjit të hekurt që thotë se progresi nuk ka kohë të tepërt për të humbur - disa vite kanë një vlerë shumë relative.

Konkluzionet janë një autopsi politike.

Kërkonin instrumente të verbëta - lodra për merkaton popullore - për qëllime jo tonat. Kërkonin të ruanin hyrjen e urës ballkanike për interesa të largëta ose të kundërta me jetën kombëtare të shqiptarëve, duke na lyer me një llak të helmuar dhe mbytës. Kërkohej një përdorim i shprehjes së qelbur e shpirtngushtë bismarkiane: "Ballkani nuk vlen as sa kockat e një ushtari të Pomeranisë!"; por pa arritur as shkallën e parë të lartësisë që gjigantëzonte në trurin e fuqishëm të Kancelarit gjerman. Nëse do të më lejohej të shprehem me një sinqeritet të hapur, do të thoja se mendohej se kishin të bënin me një popull të paaftë, vetëm për shkak se ishim të rinj dhe të varfër!

Por nuk është turp - shpresoj unë - të kesh qenë gjithmonë me armë në dorë për t'u mbrojtur nga falangat e furtunat që u turren shkëmbenjve e shkrepave, dhe prandaj të kesh ngelur larg poezive e letërsisë; dhe nuk është turp të jesh mundur, pas shumë betejash të llahtarshme nga një popull luftarak si ai i Turkisë, që, pesë shekuj më parë, kishte bërë Europën të dridhej. Por nuk është e denjë për lëvdata të na bllokojnë dhe të na sabotojnë përpjekjet tona për të kapur kohën e humbur.

Udhëheqësin tonë e kanë sulmuar buburrecët nekroforë të popujve të vegël, për shkak se ai arriti të orientohej me një qartësi gjeniale në mes të një turme amorfe të mashtruarish, shumë herë të gabuar, dhe diti të gjejë rrugën e duhur.

Por kush është ajo që na ka shtrirë dorën qetësisht dhe sinqerisht, me një ndjenjë solidariteti njerëzor, në teatrin e gjithë këtyre tragjedive, në vend se të spekullonte edhe ajo?

Italia!

Më saktë, Italia Fashiste!

Shuani dritat: gërthasin zogjtë e errësirave. Le t'i lemë të rrinë e të gabojnë në errësirë.

Do t'i shpërndajë ndriçimi i qytetërimit të doktrinës romane dhe njerëzore të fashizmit.

Por ne do të na ngelet krenaria që të pohojmë se burrë-shtetasi i parë europian që u mor vesh me Musolinin, ishte Ahmet Zogu!

Dhe kur të shkruhet historia e kusarisë ndërkombëtare ndaj kombit tim të pafat, me një të kaluar madhëshore e të pasur që është tretur nëpër mjegullën dhe avujt e tokës së përgjakur nga masakrat, të dërrmuar nga e kaluara dhe që i ka lënë si trashëgim idealizmit kombëtar një turmë malarikësh, të cilëve u bëjnë shoqëri tuberkulozët dhe sifilitikët e një lufte të përjetshme, njerëz lakmitarë për rrecka trupi dhe për bukën e gojës, të turbulluar nga boshllëku dhe njëkohësisht nga pasioni për qëllime të larta, kur të mund të dokumentohet zhaurima e padenjë pasanikëve... të uritur, të lëshuar mbi trupat e të mbijetuarve nga përmbytja otomane, të uritur si çakenj mbi kufomat e braktisura nga Zoti ose nga njerëzit; - atëherë do të shpërthejë thellë në shpirtin tonë neveria për paragjykimet e atyre popujve që pretendonin të na shëronin plagët, duke na lënë nën skllavërinë shumëshekullore, ndërsa nuk kishin asnjë ndjenjë njerëzore për ne!

Unë nuk di, nuk mund, e as dua të zbuloj se cila ka qenë përshtypja e vërtetë e Udhëheqësit tim për paraqitjen e ngathët të këtyre flamurtarëve të shumtë të albanofilisë e të gjoja humanizmit. Por megjithatë një konstatim dua ta bëj.

Mbasi u bënë eksperimentet, dhe u provuan të gjitha rrugët pak a shumë të ndershme, Zogu I, President i Republikës, ka vepruar tamam si një zotni i madh nëse do të bëhej një analizë e njerëzishme, - lejoi që rreth tij të shfryhen të gjitha pasionet e të mashtruarve dhe të parazitëve. Më në fund, kur u lodh, tha: "Mjaft!" Dhe kështu u arrit Pakti i miqësisë shqiptaro-italian (27 nëntor 1926). Por, Pakti, bëri të mundur arritjen e një Traktati bashkëpunimi (22 nëntor 1927).

Të gjitha iluzionet, të ndershme por edhe ato të errëtat, ranë. Dhe çakallët ia mbathën nga frika e një gjahtari, i cili nuk di të ndalet ose të pushojë.

Ahmet Zogu ka thënë e deklaron sot e kësaj dite se: "Kombi im nuk ka paragjykime racore; dëshiron një paqe dhe një punë të begatë; dashuron dhe nuk urren. Shmang me bujari goditjet dhe fajtorët. Por përballë zërit të historisë, kundrejt realitetit të jetës, bën një konstatim dhe identifikon se baza dhe burimi i interesave vitale gjenden në bregun tjetër të Adriatikut".

Shumë e shumë njerëz janë prekur prej kësaj.

Çfarë kërkoni? Mbasi u mbyll përgjithmonë një merkato e turpshme e xhambazëve të ndjenjave, s'ka më kothere për njerëzit rrugaçë e të uritur.

Është një fakt historik e natyror: Italia e Shqipëria janë dy motra, prej të cilave e madhja mbështet të voglën dhe e nxit, e ndihmon të zhvillohet me një shpirt vëllazëror.

Për çfarë duhet të na vijë keq?

Më saktë, çfarë interesi i dukshëm dhe i ndershëm është dëmtuar?

1936

Fund

Përktheu nga origjinali italisht: Neritan Kolgjini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›