Kryeministri: “Rama drejton mafien”
Ai e ka quajtur Ramën mafioz, ndërsa ka sulmuar sërish mediet që akuzojnë Berishën dhe qeverisjen e tij për korrupsion dhe paaftësi.
“Prej një vit e gjysmë, kreu i Partisë Socialiste ka ndërmarrë fushatën e shpifjeve, trillimeve dhe mashtrimeve, që në disa aspekte do t’ia kishte lakmi edhe ati i tij shpirtëror, diktatori gjakatar i shqiptarëve Enver Hoxha. Ai flet për qeverinë njësoj si Hoxha për imperializmin. Ai flet për Sali Berishën njësoj si Hoxha për udhëheqësit e vendeve të lira. Ai flet për sistemin që ndërtojmë njësoj siç flisnin udhëheqësit komunistë për kapitalizmin. Unë kam besim se ju do t’i rezervoni atij atë fund që meritojnë të gjithë ata që duan të ndërtojnë karrierën e tyre mbi mashtrimin tuaj dhe trillimin, të ndërtojnë karrierën mbi kthetrat e mafies që drejtojnë. Po të lexoni mediet që ai kontrollon, do të shihni se çdo ditë trillojnë, shpifin dhe mashtrojnë, do të shihni se si ushtrojnë moton ‘rroftë e liga, poshtë Shqipëria’. Ditën që Banka Botërore do të deklaronte se Shqipëria është e dyta në botë për reforma, në mëngjes fletushkat e Edvin Ramës do të hapeshin me tituj: Shqipëria, edhe 50 vende mbrapa në klasifikimin e investimeve. Kjo, sepse në teorinë e drurit të kuq, për të qytetarët janë drunj për t’u mashtruar, qytetarët janë qenie që besojnë çdo gjë që t’u servirësh, pranojnë çdo gjellë që t’u gatuash. Por ka ikur tashmë ajo kohë. Ajo që ka mbetur është mendësia e tij e vjetër, frymëzimi i tij. Një njeri që ka kaluar fëmijërinë duke lëpirë bustet e Enver Hoxhës, nuk mund të ndërtojë të ardhmen në këtë vend,” tha Berisha.