E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshillat për mbrojtjen e fëmijëve nga virozat

02/02/2010  Fluksi i të prekurve, në urgjenca paraqiten më shumë se 230 pacientë të vegjël
Shtohet ndjeshëm numri i urgjencave që paraqiten në spitale për marrjen e shërbimit mjekësor, kundrejt problemeve të shkaktuara nga rënia e vazhdueshme e temperaturave. Gjatë ditëve të fundit, problemet me të mëdha janë shfaqur në urgjencën e pediatrisë, e cila rezulton të jetë dhe shërbimi me fluksin më të lartë të pacientëve të prekur nga virozat dhe gjendjet gripale të stinës. Sipas të dhënave, rezulton se më shumë se 230 pacientë të vegjël kërkojnë çdo ditë ndihmën e mjekut specialist. Po ashtu i lartë rezulton të jetë dhe numri i pacientëve të rritur, që shfaqin probleme të prekjes nga gripi, sidomos pranë shërbimit të kardiologjisë, ku paraqiten rreth 80 urgjenca në ditë. Megjithatë, mjekët kërkojnë kujdesin maksimal gjatë këtij muaji jo vetëm ndaj fëmijëve, por edhe kundrejt kategorive të tjera, pasi jemi futur sezonin ku shpërthimi i fluksit të të infektuarve mund të marrë edhe përmasat epidemike.
Situata
Mjekët e shërbimit të urgjencës pohojnë se pjesa dërrmuese e pacientëve që vijnë për trajtim shfaqin temperaturë të lartë, dhimbje të forta koke dhe gjymtyrësh, ethe dhe të vjella, të cilat janë shenja tipike të virozave të stinës. Mostrajtimi i kujdesshëm i tyre jo në pak ka raste ka çuar në shfaqjen e formave të rënduara, siç janë infeksionet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, e veçanërisht rastet pneumonike. Sipas mjekes së shërbimit, shfaqja e këtyre virozave manifestohet me temperaturë të lartë, që pëson rritje të menjëhershme deri në 39 apo 40 gradë. Gjithashtu, pacienti shoqërohet edhe nga ethe të forta, dhimbje të kokës, që më pas zbret në shpatulla dhe në gjymtyrë, duke i dobësuar ato gjithnjë e më shumë. Po ashtu karakteristike është edhe kolla e fortë dhe e thatë, e cila mund të zgjasë për ditë të tëra, derisa të shndërrohet në sekrecione. Sipas mjekes, shumë prej fëmijëve ankohen edhe nga dhimbje të gjoksit dhe djegie të fytit. Ndërsa në rastet tipike të gripit gjendja shëndetësore e fëmijës rëndohet nga dhimbja e kokës, e cila manifestohet me probleme dhe vështirësi ndaj ndriçimit të fortë. Lëkura e fytyrës skuqet, po ashtu dhe fyti. Këto simptoma mund të zgjasin për dy-tri ditë, ndërsa temperatura mund të vijojë deri në pesë apo gjashtë ditë. Pavarësisht kësaj temperature, këshillohet që asnjëherë të mos përdoren antibiotikë, pasi e rëndojnë edhe më shumë gjendjen e pacientit, në vend që ta përmirësojnë.
Këshillat
Për trajtimin e duhur dhe pa efekte të këtyre virozave këshillohet mbajtja e një regjimi të rreptë higjieno-sanitar, ku larja e duarve me sapun duhet të jetë sa më e shpeshtë. Gjithashtu është e nevojshme kryerja e vizitave te mjeku specialist, i cili në varësi të simptomave përcakton edhe kurën që duhet të ndjekë pacienti. Këshillohet shmangia e ambienteve ku ka përqendrim të lartë njerëzish, pasi mund të përhapet edhe më lehtë.
Kjo, pasi përhapja e infeksionit mundësohet në rrugë ajrore nëpërmjet prekjeve, kontakteve apo spërklave. Njëkohësisht është e domosdoshme që të konsumohen sa më shumë lëngje dhe sa më pak ushqime, që shpërbëhen me vështirësi. Për rastet kur nëna me gji është e prekur nga virusi i gripit, duhet që të mbajë një higjienë shumë strikte personale, si dhe të përdorë maskë në fytyrë kur i jep fëmijës për të pirë.
Simptomat
Temperaturë e lartë
Djegie fyti
Dhimbje koke
Dhimbje gjoksi
Dhimbje gjymtyrësh
Ethe, kollë e thatë
Sekrecione
Diarre, të vjella
Këshilla
Evitimi i ambienteve me shumë njerëz.
Shmangia e përdorimit të antibiotikëve .
Marrja e sa më shumë lëngjeve.
Konsumi i sa më shumë vitaminave në përbërje të ndryshme.
Marrja e paracetamolit një herë në katër orë.
Mbajtja e higjienës së rreptë personale.
Mbulimi i gojës e hundës kur teshtin.
Shmangia e kontakteve me njerëz të tjerë të prekur.
Ndalohet kategorikisht përdorimi i antibiotikëve
Pjesa dërrmuese e pacientëve të prekur nga virozat e stinës dhe gripi sëmundjen e manifestojnë me temperaturë të lartë, e cila mund të zgjasë për ditë të tëra. Sipas mjekes, është normale që në tri ditët e para temperatura të jetë e lartë, madje në raste të caktuara mund të shkojë edhe në 5 ditë. Por është kategorikisht e dëmshme që në këto raste të përdoren antibiotikë për të qetësuar simptomat, pasi antibiotiku nuk jep efekte kuruese, sepse nuk e lë organizmin të reagojë. Ndaj është e nevojshme që kjo sëmundje të mbahet nën kontroll. Përdorimi i antibiotikëve apo qetësuesve të tjerë mund të aplikohet vetëm në rastet kur jepet rekomandimi i mjekut. Përgjithësisht ndodh që marrja e antibiotikut të jepet në raste të caktuara, kur viroza apo gjendja gripale e prek për të dytën herë pacientin.
Kështu, medikamenti më i mirë që mund të ndihmojë në uljen e temperaturës, sipas mjekes, është përdorimi i paracetamolit, që duhet shoqëruar edhe me konsumimin e sa më shumë lëngjeve. Gjithashtu, mjekja sqaron se edhe përdorimi i paracetamolit duhet marrë në kohën e duhur (këshillohet një herë në katër orë dhe jo më shumë).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›