Minoreni vret pa dashje me armë moshatarin
02/02/2010 Po luante me pistoletën, ndërsa ka qëlluar në drejtim të 13-vjeçarit
Autori në gjendje të rëndë depresive, i jepet ndihmë mjekësore
POGRADEC- E. L., vetëm 13 vjeç, banor i fshatit Vërdovë të Pogradecit është ndarë përfundimisht nga jeta. Një bashkëmoshatar i tij ka shkrehur pistoletën në drejtim të Liçkollarit, duke i shkaktuar kështu vdekjen e menjëhershme. Gjithçka ka ndodhur aksidentalisht, kur 14-vjeçari kishte gjetur armën e zjarrit (pistoletën) dhe po luante me të. Ngjarja në fjalë është konfirmuar nga burime pranë Drejtorisë së Policisë në qarkun e Korçës. Nga të njëjtat burime mësohet se E. L. ka qenë duke luajtur me bashkëmoshatarët e tij te një ish-depo ushtarake, pranë fshatit Vërdovë. Pikërisht në këtë kohë, ndërsa pistoleta ishte gjetur nga njëri prej fëmijëve, ka ndodhur edhe vrasja. Dëshmitarë të ndodhur menjëherë pas ngjarjes pohuan se u bënë të gjithë përpjekjet për të shpëtuar jetën e fëmijës, por gjithçka kishte qenë e pamundur. Edhe pse u çua me urgjencë në spital, sërish u konstatua se vdekja e 13- vjeçarit kishte qenë e menjëhershme. Ndërkohë burime të policisë pohuan se në gjendje të rëndë mendore ka mbetur edhe 14-vjeçari që aksidentalisht vrau bashkëmoshatarin e tij. Burimet në fjalë pohuan se fëmija po përjeton një gjendje të rëndur depresive. Ndërsa 14-vjeçarit po i jepet ndihmë për ta nxjerrë nga gjendja e rënduar ku ka hyrë, në të njëjtën kohë, policia po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.