Maliq, reshjet përmbytin 100 hektarë tokë
02/02/2010 Situata nën monitorim
KORÇË- Reshjet e shumta të ditëve të fundit kanë përmbytur rreth 100 hektarë tokë në fushën e Maliqit. Kullimi i tyre paraqitet mjaft i vështirë, çka do të thotë se këto toka do të qëndrojnë edhe për disa kohë të përmbytura. Aktualisht po bëhen të gjitha përpjekjet që sipërfaqja e përmbytur të mos zgjerohet edhe më tej, ndërsa po merren masa për zvogëlimin e sipërfaqes të mbytur nga uji. Prurjet e lumit të Devollit dhe Dunavecit po rriten nga dita në ditë. Përmbytja e fushës së Maliqit në rrethin e Korçës është bërë e ditur nga burime të shtabit të emergjencave pranë Bordit të Kullimit, por në të njëjtën kohë këto burime sqaruan se përmbytja e rreth 100 hektarëve nuk ka ardhur si pasojë e hyrjes së ujërave të lumenjve në fushën e Maliqit, por vetëm nga reshjet e shumta të ditëve të fundit, ku reshjeve të shiut iu shtuan edhe ujërat e dëborës së shkrirë. Tashmë është evidentuar fakti se që prej vitesh niveli i tokës torfike në këto fusha po ulet nga viti në vit. Ky fenomen ka ardhur edhe si rezultat i djegies së torfës. Për këtë arsye, ndërsa niveli i tokës ka pësuar rënie, kanalet kulluese kanë dalë jashtë funksionimit, pasi tashmë këto kanale gjenden më lart se niveli i tokës torfike të Maliqit. Tashmë duket se kjo fushë po kthehet në një rezervuar, duke kërkuar gjithnjë e më shumë të rikthehet në origjinën e vet, kur vite më parë funksiononte si kënetë. Burimet e cituara më sipër, pohuan se aktualisht po mbahen nën një monitorim të plotë të gjithë veprat kulluese, siç janë: digat dhe rezervuarët, kolektorët dhe argjinaturat, saraçineskat e rezervave dhe niveli i ujërave në rezervuarët e këtij rajoni. Që nga dita e diel, sqaruan burimet në fjalë, është bërë mbyllja e kolektorit të Sovjanit, me qëllim që uji i lumit të Devollit të mos hyjë në tokat torfike. Ndërkohë saraçineskat e rezervuarve po mbahen të hapura, me synimin që sasia e ujit në to të mbetet në nivele optimale dhe të anashkalohet çdo rrezik i mundshëm. Deri më tani nuk ka pasur probleme me argjinaturat. Gjatë vitit të kaluar, theksuan burimet, janë kryer një sërë investimesh në lumin e Devollit, Dunavecit, kolektorin e Shamollit, si dhe në kanalet e ujërave të larta në Podgorie, të cilat përmirësuan ndjeshëm sistemin e kullimit, por rënia e nivelit të tokës torfike po bëhet gjithnjë e më problematike. Tashmë rreth 100 hektarë tokë ndodhen nën ujë.