Këshilli Bashkiak ; Shitja korruptive e tokës mban peng parkimet nëntokësore
Projektvendimi për kontratat koncesionare për parkimet nëntokësore në Tiranë u pengua sërish dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Anëtarët e Partisë Demokratike dje në mbledhjen e radhës së Këshillit kanë replikuar për projektvendimin e parkimeve nëntokësore. Këshilltarja e PD-së Suzana Guxholli ka kërkuar që ky vendim të miratohet, pasi të jetë zgjidhur konflikti i pronësisë mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Punëve Publike. Nga ana tjetër, edhe kryetari i grupit të këshilltarëve të PD-së, Ferdinand Poni, kërkoi votimin e këtij projektvendimi të ndarë në dy çështje: një çështje të veçantë për parkimet tek parku “Rinia” dhe tjetri tek sheshi “Italia”. Ndërsa nënkryetarja Albana Dhimitri ka sqaruar se në këtë mbledhje nga ky projektvendim pritej të diskutoheshin vetëm dy elementë: “E drejta për përdorimin e truallit dhe tarifat për parkim”. Ndërkohë që pas debateve të lindura, Sokol Dervishaj, kryetar i Këshillit, ka kërkuar që ky vendim të shtyhet për në mbledhjen e ardhshme, në mënyrë që edhe bashkia të sjellë materiale plotësuese në lidhje me çështjen në fjalë. Më tej, mbledhja vijoi me pikën e dytë. Në këtë pikë pritej të diskutohej për miratimin e treguesve ekonomikë dhe financiarë të Bashkisë së Tiranës dhe tavaneve përgatitore të programit të buxhetit afat-mesëm për periudhën 2010-2012. Mes shumë debatesh kryetari i Këshillit Bashkiak, pasi vërejti se në sallë nuk plotësohej kuorumi për marrjen e vendimit, kërkoi mbylljen e mbledhjes për marrjen e vendimeve në mbledhjen e radhës.