PS nën optikën e teorisë së lojës
Për të vlerësuar sjelljen politike të kohëve të fundit të PS-së, ka dy versione të mundshme: I pari, një vlerësim prej amatori, ku mund të thuhen të gjitha opinionet apo deliret e mundshme, pasionet militantiste, që prodhon mendja njerëzore. Versioni i dytë kërkon që vlerësimi të bëhet mundësisht mbi një bazë që mbështetet në një skemë të përpunuar nga metodologjia e shkencave politike. Duke iu përmbajtur këtij të dytit, dëshiroj të them se për ta bërë këtë analizë, do të mbështetem tek teoria e lojërave, një nga teoritë më moderne, me baza matematikore dhe më të përdorura kur gjykohen fenomene politike, ekonomike apo të llojeve të tjera.
Çfarë është kjo teori e lojërave? Për të shpjeguar këtë teori do t’i referohem një mendimtari francez shumë në zë në shekullin e njëzetë, Raymond Boudon.
Sipas teorisë së lojës, janë dy parimet kryesore për të bërë analizën e sjelljeve politike dhe në këtë rast të lëvizjes së fundit politike të PS-së.
Parimi i parë lidhet me atë se çdo njeri apo aktor kolektiv politik priret t’i bëjë mirë llogaritë e veta. Por, i ndodhur në një bashkëveprim me lojtarë të tjerë, nuk luan ashtu sikurse do të dëshironte, pra nuk ndjek dot realizimin e qëllimit të vet final, por e formulon qëndrimin e tij, në funksion të mundësive, të lojës së të tjerëve dhe këtë e paraqet si zgjedhjen racionale më të mirë të mundshme. Pra, bën një përllogaritje se si i del më mirë. Më konkretisht, PS nëpërmjet radikalizimit të situatës do të dëshironte të detyronte qeverinë për t’i hapur rrugë qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të parakohshme. Kjo për disa arsye. Së pari, qeveria teknike do të shërbente për të siguruar kuorumin e nevojshëm për të miratuar disa reforma të rëndësishme në drejtim të integrimit të vendit dhe të përmirësimit të kodit zgjedhor. Së dyti, duke qenë në qeveri do të mund të minimizonte tentativat e pozitës për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme. Së treti, duke imponuar nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme si pasojë e krizës politike do të mund të influenconte më shumë tek elektorati i pasigurt. Ky do të ishte qëllimi i dëshiruar, virtualisht, i PS-së, por jo zgjedhja racionale sa kohë në skenën politike ka edhe parti politike të tjera që nuk e lejojnë këtë gjë, siç është pala kundërshtare, e cila është në pushtet dhe ka disa arsye për ta mos dorëzuar atë. Së pari, qeveria e ka të legjitimuar pushtetin e saj nëpërmjet rezultatit të zgjedhjeve që janë certifikuar nga 7 anëtarët e KQZ–së, nga 20 mijë komisionerë socialistë dhe nga të gjitha institucionet ndërkombëtare, OSBE/ODHIR, Asambleja Parlamentare e OSBE-së, KE, Komisioni Evropian, qeveria e SHBA-së dhe shumë liderë perëndimorë dhe nuk ka arsye dhe prova në planin institucional të pranojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Së dyti, qeveria nuk do të dëshironte të prishte marrëdhëniet me aleatin kryesor, LSI, aq më shumë që po afrojnë zgjedhjet e përgjithshme lokale dhe një ndarje me këtë parti, do ta fuste koalicionin e djathtë në një qorrsokak. Teoria e lojërave ndan pra dëshirën nga përllogaritja racionale e forcave. Dëshira: mundësisht të detyrojë qeverinë t’i hapë rrugë formimit të qeverisë teknike dhe përcaktimit të datës për zgjedhje të parakohshme e kalkuluar në zgjedhje racionale e bërë sipas hesapeve të veta. Por, të njëjtin kalkulim bën edhe qeveria e cila nuk ka arsye për të bërë zgjedhje të parakohshme dhe njëkohësisht nuk mendon të prishë aleancat qeveritare për shkak të presionit të opozitës. Si përfundim, ardhja në pushtet me çdo kusht dhe çmim nga ana e PS-së i korrespondon analiza racionale e palës kundërshtare në këtë rast PD, për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.
Së dyti, sipas teorisë së lojërave, çdo aktor politik, ndonëse i bën vetë përllogaritjet e tij, nuk është në gjendje të dijë se çfarë rezultati do të arrijë nga pikëpamja elektorale në të vërtetë. E ardhmja është e paparashikuar, na thotë teoria e lojërave, sepse me vetë veprimin tonë ne ndryshojmë pak ose shumë të dhënat e kontekstit ku kemi bërë llogaritë paraprake. Nëse PS synon që ta detyrojë qeverinë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme nuk është e sigurt nëse do të arrijë të marrë një rezultat më të mirë se i zgjedhjeve të 28 qershorit, por njëkohësisht, këtë pasiguri e ka edhe qeveria aktuale e cila mendon se nëpërmjet radikalizimit të qëndrimeve nga ana e PS-së, mund të krijohet një destabilitet institucional, ekonomik, politik që do të reflektonte në qëndrimet e ndërkombëtarëve apo në uljen e investimeve të huaja. Dhe e gjithë kjo situatë duke iu faturuar qeverisë, mund t’i kthehet në vota kundra. E analizuar në këtë kontekst, aprovimi për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme nuk duket zgjidhje e mirë. Pra varianti për kompromis, kur të dyja palët të përfitojnë, bën që të rritet shkalla e pasigurisë. Së treti: Në teorinë e lojërave ka rëndësi edhe ajo që quhet “variancë e statuseve”. Me një fjalë, çdo aktor i bën vetë përllogaritjet e veta, në mënyrë shumë racionale, sipas tij, por puna është se ai shpesh nuk e di se kush është dhe nuk di se çfarë të kërkojë. Në rastin konkret, PS, një herë kërkon hapjen e kutive për të identifikuar parregullsitë dhe personat që e kanë shkaktuar atë, një herë tjetër kërkon të rihapen kutitë për të përcaktuar legjitimitetin e Parlamentit, ndërsa njëherë tjetër kërkon zgjedhje të parakohshme, sepse vendi është në krizë politike. Pra, që këtej, teoria e lojërave na mëson se brenda kësaj partie ka një kakofoni versionesh pa një qëndrim të përcaktuar qartë dhe një projekt se si dilet nga kjo gjendje. Ky është thelbi i teorisë së lojërave. Bëhen përllogaritjet racionale më të sakta të mundshme, por pa ditur asnjëherë se si do të dalin ato.
Çfarë kërkon teoria e lojërave?
Përllogaritjen e atyre që quhen kosto të daljes nga një konjekturë e caktuar politike dhe e shpenzimeve për të hyrë në një dinamikë tjetër politike me disa përfitime. Me çfarë bilanci del lideri i PS-së nga kjo lojë?
Së pari, brenda PS-së, lidershipi i saj ka arritur të rifitojë legjitimitetin e humbur pas 28 qershorit qoftë brenda strukturave të partisë, qoftë me aleatët e saj të cilët në ditët e zgjedhjeve e akuzonin për vjedhje të votave dhe pamundësinë për të drejtuar opozicionin e majtë në zgjedhjet e ardhshme.
Së dyti, z. Rama nëpërmjet radikalizimit të qëndrimeve të tij politike, ka arritur të bëjë të besueshme tek anëtarësia e PS-së, arsyen e mosdorëheqjes nga posti i kreut të PS-së dhe hapjen rrugë të riorganizimit të partisë për të synuar zgjedhjet e ardhshme.
Së treti, PS nëpërmjet protestës ka arritur të faktorizohet para opinionit ndërkombëtar për mbështetjen që i jep publiku kauzës së tij. Duke justifikuar në një farë mënyrë arsyet e injorimit të sugjerimeve të bëra nga ndërkombëtarët për t’u kthyer në Parlament dhe për të hequr dorë nga bojkoti.
Së pesti, u hapet rrugë kompromiseve në tryezë për anëtarët e KLD-së, zgjedhjen e Presidentit dhe garancitë për të siguruar fitoren në rast rikandidimi të z. Rama për Bashkinë e Tiranës.