E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intime Vikena sonte!?



Vikena Kamenica deri tani ka kënduar “ftohtë”, pra kuptojmë se i është kushtuar karrierës për të fituar famë në një rreth të gjerë artistik në kryeqytet. Por, pasi e ka kapërcyer këtë prag, ndjesia nuk ka qenë aq bosh sa t’ia kthejë gjithë karrierën në trishtim, sepse ajo mendon se tani ka ardhur çasti për një dedikim intim për jetën e saj profesionale. Dhe ky dedikim u takon miqve, jo atyre të zakonshmeve që njohim ne, që na rrinë afër. Vikena Kamenica ndryshon gjithë konceptin e kësaj miqësie në karrierën e saj artistike, duke dhënë një koncert recital, të parin në këtë lloj, për miqtë e saj; si koncept i marrëdhënieve që ajo ka ngritur me spektatorin gjatë gjithë kohës. “Më pëlqen ky koncert sepse trajtojmë publikun në skenë si miqtë e muzikës dhe të artit, në mënyrë që të servirim një mbrëmje krejt ndryshe”, - thotë në intervistën e mëposhtme Vikena. Kjo marrëdhënie që lidhet me spektatorin, është trajtuar në koncertin e saj recital që do të jepet sonte në mbrëmje, mezzo-soprano Vikena Kamenica në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. “Një album për miqtë”, kështu është titulluar koncerti ku, nëpërmjet të cilit, këngëtarja Kamenica premton të sillet ndryshe mbi skenë. Në këtë realizim ajo shoqërohet në piano nga Rudina Ciko, si dhe marrin pjesë tenori Armaldo Kllogjeri dhe soprano Dorina Selimaj. Recitali e ka vënë para përgjegjësisë Kamenicën, pas të cilit ajo zbulon se fshihet një qëllim...

"Një album për miqtë" është koncerti që do të mbani sonte në Teatrin e Operës. A mund të na tregoni diçka për këtë?

Ky koncert vjen në kuadër të stinës koncertore të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Duke qenë se në muajin maj, së bashku me pianisten Rudina Ciko ishim të ftuara për një koncert recital në Korçë, menduam që një program të veçantë të ngritur me shumë dashuri ta sillnim edhe për publikun e Tiranës.

Pse është koncert për miqtë, cilët janë ata, sipas jush, që ia vlejtka të nderohen aq shumë?

Ky nuk është një koncert i zakonshëm, që në përgjithësi mbajnë të veshur koncertet me autorë klasikë, por një lloj ngrohtësie në përzgjedhje të repertorit nga këta autorë që jemi munduar t’i sjellim në një orë program. E veçanta e këtij recitali është marrëdhënia që ndërtojmë me spektatorin gjatë gjithë kohës. Më pëlqen ky koncert, sepse trajtojmë publikun në skenë si miqtë e muzikës dhe të artit, në mënyrë që të servirim një mbrëmje krejt ndryshe.

Cilët janë pjesët që do të luhen sonte në mbrëmje? Çfarë përmban albumi?

Janë pjesë të larmishme, të ilustruara me ngjyra të bukura. Nëpërmjet tyre kalojmë nga stile dhe karaktere të ndryshme, në arie dhe romanca nga autorë si Bizet, Donizetti, Strauss, Zoraqi, Stolz, Puçini, Offenbach etj.

A ka këngë të reja, enkas vetëm për këtë projekt apo janë një grumbullim

këngësh ndër vite?

Në fakt, kemi të bëjmë me një lloj tjetër realizimi. Pra, kemi të bëjmë me formën klasike të këtij koncerti dhe interpretimit të tij, që nuk përmbajnë termin “këngë”. Është e vërtetë që përbëhet vetëm nga karaktere të ndryshme, që do të thotë se do të sjell në skenë atë repertor që kam kënduar në këto tetë vjet si soliste në TKOB.

Në piano do të shoqëroheni nga Rudina Ciko. Pse pikërisht me këtë pianiste?

Bashkëpunimi erdhi shumë natyrshëm. Kur u bë propozimi për koncertin që duhej mbajtur në qytetin e muzikues, pra Korça (më pëlqen ta quaj të tillë), si mbiemri Kamenica, ashtu edhe Ciko kanë një domethënie shumë të madhe për këtë qytet.

Si ndiheni para koncertit? Çfarë ju bën të ndiheni më shumë përgjegjëse

lidhur me këtë aktivitet?

E emocionuar si gjithmonë para eventeve të tilla. Në radhë të parë më emocionon fakti që unë do të sjell një format ndryshe nga herët e tjera në skenë e si rrjedhim kjo na vë përpara një përgjegjësie të madhe, në mënyrë që të realizojmë atë çka vërtetë dëshirojmë të sjellim.

Çfarë qëllimi fshihet pas këtij formati të ndryshëm?

Të jemi sa më afër publikut dhe ta bëjmë pjesë të emocioneve apo edhe sadisfaksionit që jep muzika, në të njëjtën kohë.

Si e vlerëson Vikena miqësinë në ditët e sotme?

Të rëndësishme dhe që përmbush një pjesë të mirë të jetese.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›