E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Bashkiak i Tiranës, KQZ diskuton për mandatet

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, ka nisur mbledhjen për konstituimin e Këshillit të ri Bashkiak të Tiranës dhe miratimin e 55 mandateve të reja.Për miratimin e mandateve të këshilltarëve të rinj të Bashkisë së Tiranës që dolën nga zgjedhjet administrative të 8 majit, kërkohet kuorum i cilësuar votash, pra 5 me 2. Kryetari Arben Ristani, në fillim të mbledhjes tha se gara zgjedhore ishte e vështirë dhe kandidatët u ndanë në numër të vogël votash.

Në këtë mbledhje, kanë qënë përfaqësuesit e Partisë Socialiste, të cilët kanë kundërshtuar shpalljen e 55 mandateve, pasi sipas tyre, tabela përmbledhëse ka shifra të vendosura në mënyrë alogjike. Përfaqësuesi ligjor në PS Eridian Saliani deklaroi:
“KQZ u bë pjesë e manipulimit zgjedhor. Sot, vendimmarrja juaj është e fundit. E kryet mirë rolin tuaj në funksion të politikës dhe shkatërrimit të zgjedhjeve”, tha më tej ai.

Ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti pohoi se Bashkia dëshiron Këshillin që meriton dhe se PS-ja, duhet të ankohej për tabelat në Kolegj.

Në zgjedhjet administrative të 8 majit, koalicioni qeveritar “Aleanca për Qytetarin” siguroi mazhorancën e vendeve në Këshillin Bashkiak të Tiranës kundrejt koalicionit opozitar, “Aleanca për të Ardhmen”. “Aleanca për Qytetarin” fitoi 28 këshilltarë, ndërkohë që “Aleanca për të Ardhmen”, 27 këshilltarë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›