E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ shpërndan sot mandatet për këshillat bashkiakë të Tiranës

11/07/2011  Kolegji Zgjedhor miratoi të premten tabelën e nxjerrë më 25 qershor nga KQZ

Sot pritet të zhvillohet mbledhja e radhës e KQZ-së për shpërndarjen e mandateve për këshillin e bashkisë Tiranë, të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Pas vendimit të së premtes nga Kolegji Zgjedhor, i cili vendosi miratimin e tabelës së nxjerrë nga KQZ-ja më 25 qershor, pas numërimit të fletëve të votimit të kontestuara në 368 qendrat e votimit të Tiranës. Në këto tabela rezulton se koalicioni qeverisës “Aleanca për qytetarin” do të ketë 28 këshilltarë, ndërsa “Aleanca për të ardhmen” do ketë 27 këshilltarë. Ndërkohë që kjo tabelë u miratua me shumicë të thjeshtë në KQZ, mbeti për formalizim tabela me këshilltarët bashkiakë të minibashkive, e cila me vendimin e së premtes të Kolegjit Zgjedhor shpallet e vlefshme, sipas shpërndarjes së bërë nga përllogaritja e nxjerrë nga KQZ-ja. Kolegji Zgjedhor rrëzoi të premten kërkesën e Partisë Socialiste për të shpallur të pavlefshëm vendimin e KQZ-së, i cili i dha fitoren me 93 vota kandidatit Lulzim Basha, dhe urdhërimin e saj për marrjen në shqyrtim të kërkesës ankimore të PS-së. Kolegji gjithashtu ka rrëzuar edhe kërkesën e PS, për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra të votimit në Tiranë.

Votimi 4-3 në KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi 4 vota pro dhe 3 kundër në mbledhjen e 25 qershorit, tabelat e rezultateve të zgjedhjeve lokale për këshillin bashkiak të Tiranës.

Sipas votimit 4-3 me mbështetjen e anëtarëve të mazhorancës në KQZ, janë ndarë edhe mandatet e këshilltarëve sipas koalicioneve. Por pas votimit, KQZ-ja nuk ka mundur të shpërndajë mandatet për 27 këshilltarët e 11 minibashkive, për mungesë kuorumi. “Ju nuk erdhët tre muaj të bënit detyrën, do presim të votoni tani!”, tha pas votimit kryetari i KQZ-së, Arben Ristani. Nga ana e tyre anëtarët e majtë të KQZ-së kanë refuzuar të japin votën, duke e argumentuar këtë veprim me mosllogaritjen në rezultatin final fletëve për këshillat e minibashkive të rinumëruara në komision. “Duhet të pasqyrohen ndryshimet e tabelave të rezultateve, çfarë ndodhi faktikisht”, tha nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. Shqetësimit të nënkryetares i është përgjigjur vetë kreu i KQZ-së, i cili sqaroi duke thënë se “ato që ne gjetëm, i pasqyruam, dhe ju takon të interesuarve në rast se do t’i hyjnë procesin ankimor për këtë çështje. S’mund të ndërhyjmë te tabelat e KZAZ-ve”.

Debati në KQZ

Në mbledhjen e zhvilluar pasditen e së enjtes së 25 qershorit, përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Eridian Saliani, replikoi me përfaqësuesit e mazhorancës pas pretendimeve të ngritura nga për parregullsi në këto tabela. “Materiali i paraqitur nuk pasqyron ndryshimin e tabelave. Numri i fletëve të vlefshme dhe të pavlefshme s’përputhet me fletët në kuti, numri i votave të gjetura në kuti nuk korrespondon me numrin e votuesve”, tha përfaqësuesi i PS-së. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, ka deklaruar se numërimi i të gjitha votave nga KQZ është veprimi i duhur dhe një detyrim. “Tabela e paraqitur për miratim është e rregullt, në të pasqyrohen ndryshimet”, ka pohuar Kosovrasti.

Këshilli bashkiak i Tiranës

Numri i zgjedhësve që votuan 257 175

Fletë votimi në kuti 257 081

Fletë të vlefshme 248039

Aleanca për të ardhmen 121 624 vota

Mandate për këshillin 27

Aleanca Arbnore Kombëtare 1536

Partia Bashkimi i Pensionistëve 523

Partia Bashkimi Republikan 664

Partia Demokracia Sociale 2999

Partia e Bashkimit Mysliman 728

Partia Demokristiane 1777

Partia e Gjelbër 763

Partia e Punës e riorganizuar 422

Partia G 99 1664

Partia Ligj dhe Drejtësi 891

Partia Reformatore Demokratike 276

Partia Socialdemokrate 1946

Partia Socialiste 104785

Partia Socialiste e Vërtetë 91 2576

Aleanca për qytetarin 122 012 vota

Mandate për këshillin 28

Aleanca Demokratike 1676

Aleanca Evropiane Ekologjike 470

Bashkimi Liberal Demokrat 953

Lëvizja Socialiste për Integrim 21267

Lidhja Demokristiane Shqiptare 696

Partia Agrare Ambientaliste 715

Partia Aleanca Demokristiane 209

Aleanca për Demok. Solidaritet 193

Partia Aleanca Popullore 252

Partia Balli Kombëtar 1114

Partia Balli Kombëtar Demokrat 654

Partia Demokracia e Re Evropiane 332

Partia Demokratike 77 412

Partia Drejtësi Integ. e Unitet 7217

Partia e të Drejtave të Mohuara 515

Partia Konservatore 81

Partia Lëvizja e Legalitetit 3177

Partia Ora e Shqipërisë 172

Partia Pers. me aftësi të Kuf. 385

Partia Republikane Shqiptare 4479

Jashtë koalicionit 4399 vota

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar 3944 vota (asnjë mandat)

Partia Komuniste e Shqipërisë 459 vota (asnjë mandat)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›