E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet shembja e Piramidës, asnjë kosto për Parlamentin e ri

SHKRUAN: Fejzi Braushi 13-07-2011 11:01

Kuvendi i Shqipërisë heziton të japë një shifër të kostos financiare të ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar, që është parashikuar të jetë aty ku sot ndodhet ish-muzeu i diktatorit Hoxha, apo siç njihet ndryshe, Piramida. Megjithëse dje Komisioni i Ligjeve ka miratuar projektligjin me 9 nene, mbi bazën e të cilit do të bëhet ndërtimi i kësaj godine të re, deputetët e mazhorancës nën kujdesin direkt të kreut të komisionit, Ilir Rusmali, nuk kanë pranuar të japin një shifër sesa do t’i kushtojë shqiptarëve konkretizimi i kësaj nisme. Megjithatë, tashmë dihet publikisht se kostoja shkon diku te 100 milionë euro, që kryeparlamentarja mësohet se i ka siguruar në formën e një borxhi pa interes nga miqtë e saj arab.

Mbledhja

Komisioni i Ligjeve ka marrë dje në shqyrtim dhe ka miratuar nismën ligjore të një grupi deputetësh të mazhorancës, me anë të të cilit përcaktohen procedurat dhe mekanizmat, me anë të cilit do bëhet ndërtimi i kompleksit të ri parlamentar. Në emër të grupit nismëtar, nismën e ka prezantuar deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili ka pranuar në të njëjtën kohë t’i përgjigjet dhe pyetjeve të deputetëve të tjerë. “Do procedohet në bazë të këtij projektligji, iniciativë deputetësh që përbëhet nga 9 dispozita dhe që përmban në vetvete veçse një disiplinim për ndërtimin e kompleksit dhe disiplinim të të drejtave, detyrimeve, afateve dhe procedurave të gjithë institucioneve të tjera, që në bazë të ligjit në fuqi janë të përfshirë në këtë proces”, - tha Alibeaj, ndërsa ka konfirmuar vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë në rolin e investitorit që ta përfundojë ndërtimin e këtij projekti brenda afatit të caktuar, pra 28 nëntori i vitit 1912, si përvjetori i 100-të i shpalljes së pavarësisë. Ai ka sqaruar gjithashtu se në bazë të projektit, parashikohet që qeveria t’i japë pronësinë Kuvendit për sheshin e ndërtimit, që do të jetë pikërisht vendi ku sot ngrihet Piramida.

Leja

Alibeaj ka sqaruar edhe se në bazë të këtij projektligji është përcaktuar se këto leje do bëhen në një akt të vetëm administrativ, që në këtë rast do të jepet nga KRRKTRSH. Ndaj këtij parashikimi kanë shprehur interes dhe deputetët, të cilët kanë kërkuar të dinë nëse kjo përbënte marrje të kompetencave të pushtetit vendor apo jo. “Ju mendoni që mund të anashkalohet dhënia e lejes nga pushteti vendor, KRT e bashkisë?”, - ka pyetur deputeti Dashnor Sula. Lidhur me këtë debat, Alibeaj ka sqaruar se ligjet në fuqi, por edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2006 i jep të drejtë KKRRTRSH-së që të japë dhe leje ndërtimi në rastet e objekteve të rëndësisë historike. “Në bazë të tij është miratuar se KRRTRSH miraton jo vetëm studime urbanistike lokale e kombëtare, por ka të drejtë të japë leje sheshi ndërtimi për objekte të rëndësisë së veçantë. Kompleksi i ri që do nderohet në pozicion gjeografik të caktuar përmban interesin publik, jo vetëm lokal, por dhe kombëtar dhe kjo justifikon faktin jo vetëm për shkurtim të procedurave, por për shkak të rëndësisë, por dhe simbolikës, duhet të miratohet nga organi më i lartë teknik dhe jo vetëm teknik për miratimin e lejes”, - tha Alibeaj. Megjithatë, ai s’ka qenë në gjendje t’i japë përgjigje pyetjes tjetër të Sulës, dhe që kishte të bënte me koston financiare të ndërtimit të kompleksit. “Sa është vlera e këtij kompleksi dhe nëse financimi do jetë tërësisht nga buxheti shtetit apo me kredi? Nëse me kredi, sa është %?”, - pyeti Dashnor Sula. Por e menjëhershme ka qenë ndërhyrja e kryetarit të Komisionit, Ilir Rusmali, i cili i ka treguar Alibeajt se për sa kohë projektligji nuk flet për koston, nuk mund t’i jepte përgjigje interesit të deputetit. “Besoj për pyetjen e parë, nëse ka dispozita projektligji se nëse nuk ka dispozita s’ka përgjigje”, - tha Rusmali

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›