E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keshilli Bashkiak ul me 30 taksat per luleshitesit dhe librashitesit

Këshilli Bashkiak vendosi që të ulë me 30% taksat për luleshitësit dhe librashitësit. Propozimi i kryetarit te Bashkise Lulzim Basha ka marrë dhe miratimin e keshilltarëve të majtë në këshillin bashkiak.

“Sot Këshilli u bashkua në dy çështje, për t’u ardhur në ndihmë këtyre qytetarëve specifikisht dhe se Bashkia, pushteti vendor paska mundësinë të ushtrojë influencën e vet politike nëpërmjet uljes së taksave. Kjo është një arritje për këtë qytet, është një arritje për këtë Këshill, nuk është një arritje e re për mua si Kryetar Bashkie. Kjo Bashki, në mënyre bipartizane, po tregon për herë të parë në historinë e pushtetit vendor që një bashki, sigurisht nuk mund të bëjë gjithçka por mund të bëjë diçka për përmirësimin e klimës së biznesit dhe në veçanti mund ta bëjë këtë përmes aplikimit të nxitësve të tillë si ulja e taksave. Deri më sot, është pretenduar se Bashkia nuk ka në dorë të bëjë diçka për taksat, është pretenduar edhe nga ata që sot pretendojnë taksën 0, është pretenduar edhe para një muaji. Sot, ne provojmë të kundërtën.
Këshilltarët e djathtë theksuan se miratimi unanimisht i propozimit për uljen në masën 30% të taksave për luleshitësit dhe librashitësit dhe heqja për një vit e taksave për 30 subjektet e biznesit të vogël, që u dëmtuan nga zjarri në tregun ushqimor me shumicë, pranë ish Kombinatit Ushqimor hedh poshtë pretendimet e ish kryetarit të Bashkisë Edi Rama se lehtësitë fiskale për biznesin e vogël dhe të mesëm janë në dorë të qeverisë, deklarim të cilin zoti Rama ka bërë disa herë në media dhë në rrjetin social Tëiter.
“Dikush pyet pse nuk u hoq taksa e biznesit të vogël kur ishe në bashki? Sepse sistemin e taksave e vendos qeveria jo bashkia. Kaq e thjeshtë”
Sipas këshilltarëve të djathtë për 11 vjet ish kryebashkiaku Rama nuk mori asnjëherë iniciativë për uljen e taksave, por vetëm për rritjen e tyre.

Basha: Mbledhja të reflektojë interesin e qytetarëve
Në nisje të fjalës së tij në mbledhjen e fundit të këshillit Bashkiak për këtë vit Kryebashkiaku Lulzim Basha i bëri thirrje këshilltarëve që të gjejnë konsensus për të mirën e qytetarëve.

“Shpresoj që mbledhja e fundit të të vërtetojë interesin e qytetarëve. Mendoj se këto janë vendime të rëndësishme dhe theksi duhet vendosur tek qytetarët. Edhe nëse nuk kemi pika takimi 100% mund të kemi takim për problemet e qytetarëve. Jam i sigurtë po të zhveshim mantelin që na detyron pozita e dyfishtë si këshilltar dhe anëtar të partive politike mundet që të gjejmë zgjidhje”, deklaroi Basha.

Ndërkaq në mbledhjen e sotme u miratua pika e parë e rendit të ditës, ajo e sistemit të taksave dhe tarifave vendore.

Po sot pritet të miratohet plani urbanistik i Tiranës në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak për këtë vit.

Pas konsultimeve me qytetarët dhe grupet e interesit plani rregullues i kryeqytetit është parashikuar ti nënshtrohet debateve midis këshilltarëve të majtë e të djathtë.

Në këtë mbledhje janë parashikuar të miratohen 11 projekt vendime midis të cilave edhe trajtimin me bonus strehimi të disa familjeve në nevojë si dhe trajtimin e familjeve që përfitojnë nga projekti për subvencionimin e interesave të kredisë.

Pika e fundit e rendit të ditës ka të bëjë me linjën e transportit qytetas Kombinat-Qendër-Kinostudio, për t’ia ofruar këtë shërbim operatorëve privat.

vijon...


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›