E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Këshilli Drejtues i RTSH-së hap konkursin për Drejtor të Përgjithshëm

Këshilli Drejtues i RTSH-së hapi procedurën për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar. Me vendim unanim të anëtarëve prezent çdo kandidat që plotëson kushtet e ligjit, mund të hedhë kandidaturën për të drejtuar median publike të Republikës së Shqipërisë.

Me vendim unanim të tetë anëtarëve nga 10 që ka Këshilli Drejtues i RTSH-së, kjo trup vendimmarrëse hapi zyrtarisht procedurën për zgjedhjen e drejtorit të ri të Radio Televizionit Publik.

Faza e aplikimit do të jetë e hapur 10 ditë siç e përcakton ligji, duke nisur nga mbledhja plenare që zyrtarizoi nisjen e procesit për plotësimin e vendit vakant në krye të medias publike shqiptare.

Kryetari i Këshillit Drejtues, Leka Bungo njoftoi po sipas ligjit kriteret që duhet të plotësojnë kandidatet për të qenë drejtor të përgjithshëm të RTSH-së.

Nuk lejohen të kandidojnë ata që kanë qenë deputetë apo kandidatë për deputetë në dy legjislaturat e fundit, ata që janë anëtarë partish politike apo organizatash politike, ata që janë të zgjedhur në pushtetin vendor.

Pasi kandidatët që do të hyjnë në këtë  garë të dorëzojnë dokumentet dhe platformën e tyre, anëtarët e Këshillit Drejtues do të mblidhen për të përzgjedhur ata persona që plotësojnë kriteret ligjore.

Më pas procedura parashikon seanca dëgjimore me çdo kandidat për drejtor të përgjithshëm dhe në fund anëtarët e Këshillit Drejtues do të votojnë në mënyrë të fshehtë për të zgjedhur drejtuesin e ri të RTSH-së.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›