Rama mbledh ushtarakët, premton shfuqizimin e ligjit
Eljona Ballhysa
Fill pas miratimit të Aktit Normativ për pensionet e ushtarakëve në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me përfaqësues të këtij komuniteti. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Rama premtoi se PS-ja do ta shfuqizojë këtë ligj kur të vijë në pushtet. Ai e akuzoi Berishën se ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se nëpërmjet miratimit të këtij akti po del mbi institucionet e pavarura. Rama gjithashtu u tha ish-ushtarakëve se Partia Socialiste, kur të vijë në pushtet, do të ndjekë një model të ri qeverisës.
Qëndrimi
“Ne jemi këtu për t’ju dhënë mbështetjen tonë. Shteti ka nëpërkëmbur ushtarakët deri në poshtërim të qytetarëve të këtij vendi që i kanë shërbyer me devocion shtetit”, - theksoi Rama. Ai tha se e drejta nuk mund të gjendet në një shtet që qeveris me vota të vjedhura, ku demokracia nuk funksion dhe qeveria nuk respekton as vendime të rëndësishme si ato të gjykatave. “Edhe pse Gjykata vendosi pro ushtarakëve, shteti dërgon në Parlament një Akt Normativ kundër vendimit, që është një karshillëk i hapur ndaj shtresës së ushtarakëve”, - është shprehur kryesocialisti. Po ashtu Rama e akuzoi Berishën se nuk ka asnjë vizion për vendin dhe për mirëqeverisjen e Shqipërisë. “Saliu investon për pushtetin e tij dhe gënjen orë e çast për atë që bën. Kryeministri ka dështuar dhe e ka ai fajin për gjendjen e Shqipërisë sot, për Parlamentin e dalë nga shinat, për ekonominë që do të plasë në duart e njerëzve të zakonshëm, e ka ai fajin për borxhin”, - është shprehur Rama.
Në takimin me ish-ushtarakët Rama premtoi se PS-ja do të shfuqizojë Aktin Normativ. “Pa dyshim, do të shfuqizojmë dhe Aktin Normativ që Saliu, në kundërshtim me Kushtetutën dhe në mungesë të plotë respekti për dinjitetin tuaj, do të kalojë ditën e enjte në Parlament. Ndryshe nga Saliu ne dimë t’i lexojmë dhe kemi dëshmuar tradicionalisht se dimë vetëm t’i respektojmë vendimet e gjykatave”, - tha kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Më tej lideri i opozitës tha se qeveria është shndërruar në organizatë fitimprurëse për njerëzit e pushtetit, duke e shndërruar padrejtësinë në sistem. Kryesocialisti deklaroi se do të vijojë protestat për të mbrojtur të drejtat e të gjithë shqiptarëve, duke premtuar model të ri qeverisës. “Ne nuk ju premtojmë as ju dhe askujt tjetër mrekullinë, por angazhimin tonë, me mish e me shpirt, që qeverisja të jetë për njerëzit e zakonshëm, që jeta e shqiptarëve të zakonshëm të normalizohet. Ne ju premtojmë ju që sot vuani padrejtësinë e kthyer në sistem qeverisës, nxjerrjen nga balta ky ju ka lënë Saliu”, - tha Rama. Kreu i PS-së tha se Berisha ka dështuar në qeverisje, duke sjellë si shembull përmbytjet e fundit në Veri, që për kreun e opozitës kanë si shkaktar papërgjegjshmërinë dhe korrupsionin në qeveri.
Ministria e Financave: Akti Normativ parashikon pension më të lartë për ushtarakët
Pas deklaratës së Ramës ka reaguar dje Ministria e Financave, e cila ka shpjeguar se Akti Normativ parashikon një pension më të lartë për kategorinë e ish-ushtarakëve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. “Ligji që është çuar në Parlament përmes Aktit Normativ, prek interesat e vetëm 7400 ish-ushtarakëve nga 540 mijë pensionistë që aktualisht trajtohen me pagë pleqërie në Republikën e Shqipërisë, dhe synon të vendosë drejtësi sociale dhe trajtim të barabartë para ligjit përsa i takon trajtimit të shtetasve shqiptarë. Pensionet suplementare nuk janë një kontribut i paguar nga të punësuarit, por është një fond i alokuar nga buxheti i shtetit për trajtimin preferencial të ish-ushtarakëve të dalë në pension të parakohshëm. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vetëm 7400 persona përfitonin një shumë prej 1.2 miliardë lekësh në vit. Duke iu referuar këtij vendimi, theksojmë gjithashtu se vetëm gjysma e fondit me të cilin sot shpërblehen 11 517 persona, të cilët trajtohen me pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi, si ish-ushtarakë, është sa dyfishi i fondit të pensioneve që sot u shpërndahet 180 mijë pensionistëve në fshat”, - sqaron Ministria e Financave. Sipas deklaratës së kësaj ministrie, “sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, një ish-ushtarak që nuk ka plotësuar moshën për pension dhe ka vetëm 27 vjet punë, përfiton një pagë mujore të barabartë me 107 300 lekë të rinj në muaj. Kjo kur një nënë që ka punuar 27 vjet dhe nuk ka plotësuar vitet për pension, merr sipas ligjit, vetëm 7960 lekë. Ndërkohë që qeveria ka kompensuar nga buxheti i shtetit diferencën, për të garantuar një pension prej 11 400 lekësh për këtë kategori”. Ministria e Financave bën të ditur gjithashtu se, përveç pagës prej 107 300 lekësh të rinj, buxheti i shtetit paguan për ish-ushtarakët që trajton me pension të parakohshëm edhe 11.2% si kontribut për vjetërsi, derisa këta shtetas të plotësojnë vjetërsinë për të përfituar pensionin e pleqërisë, duke shtuar në këtë mënyrë një kosto për buxhetin edhe më të lartë se paga që raportojmë në këtë deklaratë. “Pra vendimi i qeverisë ka synuar të krijojë një drejtësi në trajtimin e shtetasve para ligjit, sigurisht duke u njohur të drejtën e pensionit suplementar ish-ushtarakëve, që shkon, sipas propozimit të qeverisë, deri në trefishin e pensionit minimal të qytetit dhe katërfishin e pensionit mesatar në fshat. Në këtë mënyrë, zhurma që bën kryetari i PS-së për trajtimin e ish - ushtarakëve me pension të posaçëm është thjesht demagogji politike”, - shkruhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Financave.
Komisioni i Ligjeve nuk pranon kërkesën e PS-së për komisionin hetimor
Komisioni i Ligjeve vendosi ta shtyjë sërish kërkesën e PS-së për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Socialistët e cilësuan vendimin e maxhorancës një stisje procedurale që bie në kundërshtim me ligjin. “Heqja nga rendi i ditës i projektvendimit tregon që qëllimi nuk është shqyrtimi i këtij projekti, po përpjekja për ta vonuar atë sa më shumë, për të dhënë atë përgjigje që dihej. Ata nuk dëshirojnë dhe nuk duan ta ngrenë këtë komision. Ne nuk po kërkojmë të ngremë një komision për magazinim, po një komision për hetim. Ajo që ngatërron zonja Topalli dhe të gjithë kolegët e saj, ngatërrojnë komisionin e magazinimit dhe çmagazinimit me komisionin e hetimit. Ka diferencë në Kushtetutë dhe në ligj”, - është shprehur Xhafa pas mbledhjes së komisionit. Ashtu siç vendosi Konferenca e Kryetarëve të grupeve, të enjten në seancë deputetët do të përcaktojnë me votë datën kur do të nisë shqyrtimi i kërkesës së socialistëve. Gjithsesi, pritet që Komisioni i Ligjeve ditët në vazhdim të rishqyrtojë formulimin e ri të kërkesës së PS-së.
Subashi: “Zgjedhjet e 8 majit mbeten peng i politikës”
Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, është shprehur dje se përgatitja e zgjedhjeve të 8 majit, ashtu si në çdo proces tjetër zgjedhor vazhdon të mbetet peng i politikës. Sipas Subashit, situata nuk është normale pas ende nuk ka filluar puna për administrimin e zgjedhjeve. “Zgjedhjet janë pjesë e politikës, politika ende nuk është në rrugën e saj për të qenë në një situatë krejt normale për përgatitjen e zgjedhjeve. Vetë politika është pjesë e administrimit të procesit zgjedhor dhe sigurisht që të mbërrihet në një proces zgjedhor të kërkuar, kërkohet një klimë tjetër politike, një situatë, e cila, për garuesit e politikës, të jetë e barabartë. Kërkohet që t’u jepet drita jeshile në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë të barabarta për të gjitha palët dhe të pranueshme për të gjitha palët. Drita jeshile është të dilet nga kjo situatë të mendohet për ndryshimet e domosdoshme të Kodit Zgjedhor, të administrimit zgjedhor, administratës zgjedhore për të cilat ka pretendime dhe kjo ditë arrihet pa diskutim nëpërmjet forcave politike me miratimin e ndryshimeve që kërkon Kodi Zgjedhor”, - është shprehur Subashi.
15 Dhjetor 2010