E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Këshilli Kombëtar i Integrimit/ Varhelyi: Keni mbështetjen time. Balla: Koha kur politika i jepte urdhra Prokurorisë, ka përfunduar

Është mbajtur këtë të enjte (16 mars) mbledhja e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian për temën: “Çfarë pritet nga Shqipëria gjatë procesit të negociatave me Bashkimin Evropian?”. Në fjalën e tij, i pranishëm në këtë mbledhje, Komisioneri Oliver Varhelyi ka vlerësuar masat që ka marrë vendi ynë në lidhje me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Varhelyi është ndalur gjithashtu te pavarësia e gjyqësorit, ku ka kërkuar që sistemi i drejtësisë në Shqipëri të funksionojë.

“Si takim i parë jam i inkurajuar sepse vij nga një vend ku polarizimi politik është dukuri e përditshme.ky organizëm është këtu për të punuar që Shqipëria të bëhet anëtare e BE. Mendoj se kjo është baza mbi të cilat ky organizëm duhet të punojë. Shpresoj që ky organizëm të vazhdoj. Tanimë do mbështetet nga një ligj që ofron sfondin ligjor të nevojshëm. Jam i inkurajuar nga anëtarët e gjyqësorit që janë të angazhuar për të dhënë rezultate. Ky nuk është një punë në vetvete, është punë e përditshme për të siguruar pavarësinë e gjyqësorit për të ruajtur funksionimin e sistemit të drejtësisë, që të japë drejtësi në vetvete. Jam këtu edhe vetë për ta ndihmuar këtë proces. Në çfarëdo mënyre që do ndihmoj këtë organizëm mund të mbështeteni te unë”, tha ai.

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla nuk ka kursyer ironinë ndaj opozitës, ku ka dhënë një mesazh të qartë se koha kur politika në Shqipëri i jepte urdhra Prokurorisë, ka përfunduar.

Balla u shpreh se sot në Kuvend do të miratohet një ligj që rregullon marrëdhënien mes qeverisë dhe Parlamentit. Po ashtu, Balla theksoi se Shqipëria ka nevojë për amnistinë fiskale, ndërsa u shpreh se do vijojnë konsultimet me ekspertizën më të mirë që ofron KE.

“Shpresoj që të na mund të na lani borxhin e vonesës me afrimin e konferencës së dytë ndërqeveritare duke u nisur me një fakt optimist dhe pozitiv që lidhet me përfundimin e procesit screenin për klasterin e dytë. Palët në Shqipëri kanë ditur të marrin përgjegjësinë e tyre.

Koha kur politika në Shqipëri i jepte urdhra prokurorisë ka përfunduar. Ne jemi të barabartë me çdo qytetar të këtij vendi.

Për dialogun politik ne miratojmë sot në Kuvend një ligj, i vetmi në rajon, që rregullon marrëdhënien mes qeverisë dhe parlamentit. Komisioni për çështjet evropianë do jetë parësor në rolin e vet ku do adresohen çështjet që ndërlidhen në punë e Kuvendit me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sa i përket çështjes së amnistisë fiskale, Shqipëria ka nevojë. Për pasaportat e arta, ne jemi tërhequr nga kjo çështje”, u shpreh ai.

Ndërsa kreu i SPAK, Altin Dumani garantoi se ky institucion është i përkushtuar peër të përmbushur detyrimet ligjore, ndërsa shtoi se prokurorët e SPAK ushtrojnë në pavarësi funksionet e veta.

“Ajo që und të them është që SPAK është institucion funksional dhe me byronë kombëtare të hetimit në gjendje të ushtrojë funksione e veta pa ndikim nga jashtë apo brenda institucionit.

Prokurorët e SPAK ushtrojnë në pavarësi të plotë funksionet e tyre për ushtrimin e ndjekjes penale. Treguesit, ne kemi raportuar në mënyrë periodike, vahdojmë të jemi të përkushtuar të përmbushim detyrimet tona ligjore. SPAK është vetëm një institucioni, ka nevojë dhe për bashkëpunim me institucionet e tjera.

Bashkëpunimi i tyre është i rëndësishëm për të patur rezultate. Kemi një seksion të posaçëm për hetimin e korrupsionit, ky seksion mbulon dhe krimet zgjedhore, çdo subjekt politik është i mirëpritur me kallëzimet e tyre në institucionin tonë, angazhimi është maksimal pa lënë pas dore dhe hetimin e Prokurorisë së Posaçme. Vetëm për dy dispozita jemi përgjegjës”, tha Dumani.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›