E Enjte, 5 Nëntor 2026

Këshilli Kombëtar i PD-së miraton në bllok emrat e sekretarëve, Basha kërkon ndryshime kushtetuese

Mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, që pas zgjedhjeve në PD, nuk ka prodhuar surpriza. 300 anëtarët kanë votuar në bllok emrat e propozuar nga Basha, sa i përket 11 sekretarëve të PD dhe të Komisioneve parlamentare. Zoti Basha tha se do të jetë në funksion të  suksesit të betejës kundër asaj që ai e quan “regjim i korruptuar”. 

Basha kërkon ndryshime Kushtetuese

Ndryshime Kushtetuese. Kjo duket se do të jetë një ndër aksionet e para të PD, në nisje të legjislaturës së re të Kuvendit. Kështu deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD. Sipas Bashës, ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më “nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci”.

“Qëllimi kryesor i aksionit tonë është ta bëjmë Shqipërinë një vend të jetueshëm me mundësi për çdo shqiptar që sot po braktis vendin, dhe për të arritur këtë duhet të përfshijmë çdo qyetare dhe çdo qytetar të këtij vendi. Është detyra jonë të organizojmë shumicën e shqiptarëve dhe rruga për ta bërë këtë është ajo me të cilën ndezëm të gjithë bashkë shpresën dhe besimin në zemrat e njerëzve për ndryshim: duke iu dhënë prova se nuk u futëm në beteja vetëmohuese, duke hequr dorë nga cdo pushtet dhe cdo privilegj, për veten apo për karriket tona, por e kemi bërë dhe vazhdojmë ta bëjmë për Shqipërinë, për demokracinë dhe për shqiptarët, që janë viktimat kryesore të masakrës zgjedhore dhe të modelit të Edi Ramës. Jeta e tyre preket nga pasojat që ka prodhuar ky model shkatërrimtar. Ekonomia lëngon për shkak të korrupsionit dhe mungesës së konkurencës, rendi dhe siguria janë në mëshirën e krimit me të cilin ka bashkëpunuar për të masakruar zgjedhjet, institucionet janë të kapura dhe u shërbejnë klientëve të regjimit jo qytetarëve. Plagët që ky model shkakton në shoqërinë shqiptare janë të shumta, prandaj ne duhet të jemi çdo ditë pranë çdo qytetari dhe në mbrojtje të interesit publik. Nga deputetët e zgjedhur te strukturat më të largëta të Partisë Demokratike, detyra jonë është që zëri i çdo shqiptari të dëgjohet dhe shqetësimet e tyre të mëdha apo të vogla të jenë të përfaqësuara. Sikurse kam theksuar në Kuvendin Kombëtar, për të zhbërë kapjen e shtetit nga korrupsioni dhe krimi dhe për t’ua kthyer institucionet dhe të drejtën për të vendosur qytetarëve, ne do të ndërtojmë në bashkëpunim me të gjitha grupet shoqërore që duan një ndryshim cilësor të jetës politike dhe ekonomike në vend, Platformën qytetare për demokracinë. Është tashmë e qartë që ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve, ndaj për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, duhen ndryshime rrënjësore që duhet të vijnë si një reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një demokraci funksionale”, tha Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›