PD merr drejtimin e 3 komisioneve parlamentare, nuk lë asnjë për LSI-në

Në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar mësohet se tre nga tetë Komisionet e Përhershme Parlamentare do drejtohen nga opozita. Ndryshe nga viti 2017, kur PD-ja e la komisionin për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë nën drejtimin e LSI-së, këtë herë duket se gjërat janë ndryshe. Kreu i Partisë Demokratike ka rezervuar për PD-në të tre komisionet, Shëndetësinë, Integrimin dhe Median. Agron Gjekmarkaj do të drejtojë Komisionin për Arsimin dhe mjetet e Informimit Publik, ndërsa Jorida Tabaku do të zëvendësojë ish-deputetin e PD-së, Genc Pollo në krye të Komisionit të Integrimit. Albana Vokshi do të jetë kryesuese e komisionit të Shëndetësisë që e ka drejtuar edhe në vitet 2013-2017.