E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelet konkursi letrar Don Kishoti i Mançes

Konkursi Ambasada spanjolle shpall fituesin në Ditën Botërore të Librit

Me rastin e Ditës Botërore të Librit, ambasada e Spanjës në Tiranë çel konkursin për tregimin e shkurtër “Don Kishoti i Mançes”. Në këtë konkurs mund të marrin pjesë të gjithë ata persona që i kanë kaluar të 16-at, si dhe mund të paraqiten vetëm një punim për autor. Bëhet e ditur se veprat e shkruara në gjuhën shqipe duhet të jenë origjinale, të pabotuara dhe të pavlerësuara në ndonjë konkurs tjetër e mbi të gjitha tregimi duhet t’i referohet Spanjës. Juria do t’i japë një çmim tregimit më të mirë ndër të gjitha punimet e paraqitura. Fituesi do të marrë shumën prej 100 eurosh, si dhe një set librash. Ambasada spanjolle, përmes njoftimit të saj bën të ditur se paraqitja e punimeve do të jetë e hapur deri në datën 18 prill. Rezultati i konkursit letrar për tregimin e shkurtër “Don Kishoti i Mançes” do të bëhet publik më 23 prill, që përkon edhe me Ditën e Librit, përvjetorin e vdekjes së Migel de Servantesit. Ambasada rezervon të drejtën e një publikimi të parë, jo komercial, të punës së vlerësuar me çmim, si dhe të finalistëve, duke e përjashtuar atë nga obligimet e të drejtave të autorit. Shkrimtari spanjoll, i famshëm për romanin e tij “Don Kishoti i Mançes”, lindi më 9 tetor të vitit 1547 dhe ndërroi jetë më 23 prill. Influenca e tij në letërsinë spanjolle ka qenë kaq e madhe sa spanjishtja është cilësuar si gjuha e Servantesit. Prej vitit 1996, 23 prilli është zgjedhur prej UNESCO-s si Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit, sepse pikërisht në këtë datë kanë ndërruar jetë tre autorë të mëdhenj, Uilliam Shekspir, Migel de Servantes dhe Garcilaso de la Vega.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›