Topi merr në pyetje kandidatët për kreun e Akuzës së Durrësit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka marrë dje “në pyetje” katër kandidatët për postin e drejtuesit të Prokurorisë në Durrës. Burime të konfirmuara të gazetës “Shqip” thanë se kreu i shtetit ka pritur në takim prokurorët Adnan Xholi, Përparim Kulluri, Ardian Ylli dhe Altin Binaj, të cilët janë kandidatët zyrtarë për postin e drejtuesit të njërës prej prokurorive më të rëndësishme në Shqipëri, e bllokuar pasi drejtuesit aktual, Bujar Sheshi, i ka mbaruar afati katërmujor i komandimit. Duke dashur ta zgjidhë këtë ngërç, Topi ka zhvilluar takime veç e veç me prokurorët kandidatë, ku i ka pyetur për karrierën dhe një prezantim të shkurtër të punës ndër vite. Gazeta është interesuar në Presidencë për qëllimin e këtyre takimeve, ndërsa ka marrë një përgjigje zyrtare se “nuk kemi asnjë informacion”. Ndërkohë, disa punonjës të stafit të prokurorisë, të informuar për këto takime të Presidentit, i kanë cilësuar si të paprecedentë, pasi asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që kreu i shtetit të marrë “në pyetje” një e nga një kandidatët për drejtues të një prokurorie. Ata e cilësojnë këtë veprim si “shmangie” të Prokurorisë së Përgjithshme dhe veçanërisht të Kryeprokurores Ina Rama, e cila duhet t’i propozonte kreut të shtetit një emër konkret dhe më pas Presidenti duhet të vendoste me dekret për drejtuesin e ri të Akuzës në Durrës. Megjithatë, kandidatët për postin e akuzës në Durrës, të kontaktuar nga gazeta, kanë deklaruar se takimi “kokë më kokë” me kreun e shtetit ka qenë një prezantim i shkurtër dhe nuk ka qenë përcaktues, por thjesht informues.
Kreu i shtetit“Ndërhyrja” e kreut të shtetit në njërën prej prokurorive më të rëndësishme në Shqipëri ka ardhur si pasojë e krizës në këtë institucion, pasi prej katër muajsh akuza qendrore ka vonuar emërimin e drejtuesit. Mungesa e titullarit e ka futur në një ngërç institucionin që drejton hetimet dhe ndjekjen penale në qytetin e Durrësit. Drejtuesi i komanduar në këtë akuzë ka qenë Bujar Sheshi, të cilit i ka mbaruar komandimi që prej datës 1 mars. Ai e mori detyrën më 30 tetor 2009 dhe u komandua nga Kryeprokurorja Ina Rama pas shkarkimit të prokurorit të mëparshëm të Durrësit, Arjan Ndoja. Sipas ligjit “Për Prokurorinë”, komandimi i prokurorit mund të bëhet për një afat katërmujor dhe mandati i tij mund të zgjatet vetëm me pëlqimin e vetë prokurorit të komanduar. Megjithatë, pas mbarimit të mandatit 4-mujor, pra më 1 mars, Prokuroria e Durrësit ka hyrë në një krizë institucionale, duke mos arritur të ushtrojë funksionet e saj. Në këtë akuzë ka një pamundësi të prodhimit të akteve të prokurorisë që nga fillimi i procedimeve penale, pushimi i dosjeve që nuk përmbajnë vepër penale, urdhër-arrestet, urdhrat e sekuestrimit, si dhe të tjera që marrin forcë ligjore vetëm pasi firmosen nga prokurori i rrethit.
PërplasjaDuket se akuza qendrore dhe presidenca nuk kanë gjetur një “akord” për emrin që do të drejtonte Prokurorinë në Durrës. Ndryshimet e shpeshta në këtë akuzë nuk e kanë bindur kreun e shtetit, i cili ka dashur të njohë personalisht të gjithë kandidatët që morën vota nga Këshilli i Prokurorisë. Sipas procedurës, emërimi i prokurorit të rrethit fillon me votimin e kandidaturës në Këshillin e Prokurorisë, i cili i propozon emrin ose emrat Prokurores së Përgjithshme. Kjo e fundit zgjedh emrin e prokurorit dhe më pas ia kalon atë Presidentit të vendit për dekretim. Nëse Presidenti nuk dekreton emërimin, çdo vendim i prokurorisë është i pavlefshëm. Emërimi i prokurorit të ri të Durrësit është zvarritur që nga 30 tetori i vitit 2009. Gjatë kësaj kohe ka pasur disa “negociata” për emrin e drejtuesit të ri. Këshilli i Prokurorisë ka shtyrë disa herë mbledhjen, pasi palët nuk binin dakord për emrin. Në fund është zhvilluar mbledhja e shumëpritur dhe janë votuar 15 kandidatë, nga të cilët katër kanë marrë votë. Siç duket edhe nga votimi, asnjë prej kandidaturave nuk ka marrë votat unanime, por ato janë ndarë. Asnjë prej preferencave të akuzës qendrore apo të palëve të tjera që kanë ndikuar në votim nuk ka marrë votat e nevojshme, duke e thelluar këtë krizë institucionale. Duket se në këtë pikë ka ndërhyrë Presidenti, i cili ka studiuar të gjitha kandidaturat dhe në rast të një propozimi të Kryeprokurores do të vendoste me përgjegjësi të plotë.
#