E Diel, 1 Nëntor 2026

Guvernatori i BSH, Fullani i gatshëm për një mandat të dytë

TIRANË Sërish, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka konfirmuar se është i gatshëm për një mandat të dytë, në rast se ai propozohet nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Në konferencën e djeshme për shtyp, Fullani nuk i është përgjigjur drejtpërdrejt kësaj dileme, por ka lënë hapur të kuptojë se është i gatshëm për një sfidë tjetër. “Guvernatori është në detyrë dhe raporti i sotëm tregon se Banka e Shqipërisë është e gatshme për të përballuar sfidat e ardhshme”, - u shpreh Fullani. Ai theksoi se ekonomia shqiptare po vazhdon të ruajë një trend pozitiv rritjeje dhe tregues financiar të përmirësuar. E ndërsa dje është treguar i rezervuar, plot një muaj më parë Fullani e tha hapur ambicien e tij për një mandat të dytë. “Gjithsecili ka dëshirë t’i çojë sfidat deri në fund...”, - u shpreh ai pak kohë më parë. Paraprakisht Ardian Fullani gëzon mbështetjen e mazhorancës duke siguruar kuorumin e nevojshëm për t’u miratuar. Fullani duket se gëzon edhe mbështetjen e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, edhe pse burime pranë këtij institucioni shprehen se ende zyrtarisht nuk është vendosur asgjë mbi emrin e ardhshëm të Guvernatorit të Shqipërisë. Neni 161 i Kushtetutës citon se Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Që të rizgjidhet guvernator, parimisht Fullani duhet të marrë votat për të qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës. Neni 44 i ligjit për Bankën e Shqipërisë citon se Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë, ku përfshihet edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›