Këshilli bashkiak, të premten shkarkohet Kosovrasti
Dorëzohet kërkesa e dytë mazhorancës për takim, njoftohen anëtarët për votimin e kryetarit të ri
Të dhëna
Shkarkimi - I kreut të këshillit bashkiak, Njazi Kosovrasti, është qëllimi kryesor i mbledhjes së thirrur nga mazhoranca e këshillit bashkiak ditën e premte
Kërkesa - Shumica e anëtarëve të këshillit bashkiak kanë kërkuar dy herë me radhë, nëpërmjet shkresave të firmosura prej tyre, mbledhjen e këshillit bashkiak
Transparenca - Pas emërimit të Aldrin Dalipit në krye të këshillit bashkiak pritet që mazhoranca e këshillit të jetë më e përfshirë lidhur me administrimin e fondeve në bashki
Lorina Mixha
Kreu aktual i Këshillit Bashkiak të Tiranës shkarkohet ditën e premte. Sekretari i këshillit bashkiak, përfaqësues i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur njoftimet me anëtarët e këshillit bashkiak se mbledhja do të bëhet të premten paradite në sallën e këshillit bashkiak.
Në kërkesën e fundit që këshilltarët i drejtojnë sekretarit të këshillit bashkiak kërkojnë që mbledhja më e afërt të zhvillohet ditën e premte, më datë 3 maj, në orën 11:00, me rend dite shkarkimin e kreut aktual të këshillit bashkiak, Njazi Kosovrasti dhe votimin e kreut të ri të këshillit.
Kreu i grupit të këshilltarëve të Partisë Socialiste, Aldrin Dalipi, është propozuar nga grupi i këshilltarëve të PS-së dhe LSI-së të jetë kryetari i ri i parlamentit vendor të Tiranës.
Mbledhja, e cila pritet të zhvillohet ditën e premte, në rend të ditës ka shkarkimin e kreut aktual, emërimin në postin e kryetarit të kreut të grupit të PS-së. Pavarësisht kësaj, secili prej grupeve apo këshilltarëve mund të diskutojë dhe të ngrejë si çështje probleme të caktuara apo sugjerime të tjera lidhur me mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni. Mbledhja e këshillit bashkiak është kërkuar fillimisht nëpërmjet një kërkese nga 1/3 e këshilltarëve dhe pritej që brenda afatit 10-ditor të merrej një vendim nga drejtuesit e këshillit bashkiak. Pasi ka përfunduar afati i ultimatumit të parë nga këshilltarët e LSI-së dhe PS-së është kërkuar për herë të dytë njoftimi i anëtarëve dhe mbledhja e këshillit brenda pesë ditëve. Duke respektuar afatet, ligjin dhe rregulloret e funksionimit të pushtetit vendor dhe konkretisht institucionit të këshillit bashkiak, ditën e premte zhvillohet mbledhja e kërkuar më shumë se dy javë më parë.
Anëtarët e këshillit bashkiak LSI dhe PS, tanimë në mazhorancë, kërkojnë të vendosen balancat e reja pas ndryshimeve dhe situatës politike. Njësoj si në sektorët e tjerë, sipas tyre nevojitet edhe realizimi i ndryshimeve në këshillin bashkiak, si rrjedhojë e zhvillimeve të fundit politike në vend.
Enver Reçi pritet të kthehet sërish pranë grupit të këshilltarëve të Partisë Socialiste, duke e shtuar numrin e mazhorancës në këshill.
Janë gjithsej 55 anëtarë të këshillit bashkiak, 23 prej tyre janë të Partisë Demokratike dhe PDIU-së ndërkohë që janë 32 anëtarë të Partisë Socialiste të cilët bëjnë mazhorancën tanimë në këshill, duke përmbysur balancën e mëparshme, pas bashkimit me grupimin e LSI-së.
Pas shkarkimit të kreut dhe emërimit të kryetarit të ri të këshillit bashkiak pritet që të ketë më shumë përfshirje të anëtarëve të parlamentit vendor në punët e bashkisë. Konkretisht do të kërkohet të inspektohen dhe kontrollohet veprimtaria e menaxhimit të fondeve dhe të gjitha parave që bashkia.
Mazhoranca e këshillit bashkiak do të kërkojë transparencë lidhur me menaxhimin e buxhetit akorduar pushtetit vendor, si dhe inspektimin e parave në investime e financime për punët dhe nevojat e institucionit dhe qytetit. Pas mbylljes së mbledhjes së këshillit bashkiak ditën e premte, do të pritet verifikimi i ligjshmërisë së saj nga prefekti Keltis Kruja.
Këshilli bashkiak, të premten shkarkohet Kosovrasti burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email