E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja e ujërave, PS, pa asnjë argument juridik



Në një seancë maratonë prej 7 orësh, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë dëgjuar palët për pretendimet për marrëveshjen e ndarjes së ujërave me shtetin helen. Ekspertët e Partisë Socialiste nga një anë si dhe përfaqësuesit e institucioneve nga ana tjetër, kanë dhënë argumentet e tyre në lidhje me këtë marrëveshje. Partia Socialiste e përfaqësuar nga deputetët e zgjedhur të saj, Sajmir Tahiri e Damian Gjiknuri si dhe Myslym Pashai, kërkuan rrëzimin e kësaj marrëveshjeje. PS kërkoi që pakti i ujërave me Greqinë të kthehet për rinegocim, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e ekspertëve të huaj për këtë çështje, por në argumentet e saj, PS nuk dha asnjë argument juridik se pse marrëveshja nuk duhet të miratohet. Ekspertët e PS-së u morën me çështje koordinatash. Deputetët socialistë janë shprehur se marrëveshja me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar me Shqipërinëm e nënshkruar këtë vitm është antikushtetuese, pasi fazat e përgatitjes së saj shkelin rëndë Kushtetutën. PS kërkoi që Ministria e Punëve të Jashtme të paraqesë protokollin e vitit 1958 që vendi ynë ka nënshkruar me Greqinë dhe protokollin e vitit 1997. Sipas PS-së ky protokoll bën fjalë për kontrollin e përbashkët të kufirit. Ata u përqendruan tek transparenca, duke thënë se qeveria nuk e bëri një gjë të tillë.

Nga ana tjetër, pala e qeverisë e përfaqësuar nga zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, Kristaq Gerveni, argumentoi se marrëveshja është realizuar në bazë të të gjitha ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare. Gerveni tha se marrëveshja e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë nuk cenon sovranitetin territorial të Shqipërisë. Përfaqësuesja e Kuvendit nga ana tjetër tha në Gjykatën Kushtetuese se PS-ja nuk legjitimohet si subjekt, pasi deputetët e saj nuk janë betuar. Ndërkohë, përfaqësuesja nga Këshilli i Ministrave deklaroi në seancën e djeshme në Gjykatën e Kushtetuese rreth paktit se kërkesa e PS-së nuk është e bazuar në ligj.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dërgoi një letër në Gjykatën Kushtetuese, ku shprehej se nuk ka asnjë koment për këtë marrëveshje dhe shprehej se beson vendimin e Gjykatës për këtë çështje. Gjykata Kushtetuese ende nuk ka bërë të ditur se kur do të japë një vendim përkatës në lidhje me këtë marrëveshje. Ajo është pozuar në Kuvend, pasi pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nëse është e ligjshme ose jo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›