E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, Berisha: Shkodra, një mrekulli ujore

Kryeministri përjashtoi përgjegjësinë njerëzore dhe i cilësoi provat e opozitës si spekulime, amorale dhe të ulëta

TIRANË - Zonat e përmbytura në veriperëndim të vendit, Kryeministri i vendit, Sali Berisha i cilësoi dje si një mrekulli ujore. Në seancën e jashtëzakonshme, që u mbajt në Kuvend për përmbytjet në veriperëndim, dhe ku mungoi opozita, Berisha theksoi se Shkodra pas përmbytjeve i ngjan një mrekullie ujore.

Duke e konsideruar një sukses të qeverisë së tij, se nuk u shënua asnjë humbje njerëzore, Berisha theksoi se është detyrë e qeverisë që Shkodra të mos rrezikohet më nga përmbytjet.

"Cilido që njeh Shkodrën, kupton se gjendet brenda një mrekullie ujore. Është detyrim i kësaj qeverie, i këtij shteti që Shkodra të mos qëndrojë më si shpatë demokleu nga përmbytja ujore", - tha dje Berisha.

Por, situata e krijuar në zonat e përmbytura, u politizua nga deputetët e mazhorancës, veçanërisht nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kjo e fundit, nuk mungoi të shfaqë nota suksesi për qeverinë dhe veçanërisht për kreun e saj, Sali Berishën, që arriti të menaxhojë situatën në zonat e përmbytura pa pësuar asnjë humbje njerëzore.

Duke iu referuar takimeve të zhvilluara me banorë në zonat e përmbytura, Topalli theksoi se të gjithë falënderonin liderin e mazhorancës, Berishën.

"Një qytetar më tha: 'Jozefinë m'i bëj të fala Sali Berishës, Jozefinë mos harro Sali Berishën'," - tha dje Topalli. Ndërkohë, Kryeministri Berisha e cilësoi operacionin e kryer nga emergjencat civile në zonat e përmbytura, si një nga operacionet më të mëdha të realizuara në historinë e vendit tonë.

Kreu i qeverisë u shpreh se ky operacion bëri të mundur evitimin e humbjes së jetëve njerëzore dhe pësimin e një dëmi minimal për gjënë e gjallë. "Shpëtimi i saj (i zonave) pas jetës së njerëzve, ka qenë objektivi më madhor, janë evakuuar mbi 5000 qytetarë, u zhvillua ndërkohë operacioni më me sukses në historinë e vendit. Një solidaritet i madh u shpalos si jashtë edhe brenda vendit.

I gjithë ky operacion bëri të mundur që të vijmë sot pa jetë të humbura, të vijmë sot me dëmin më minimal në gjënë e gjallë, të vijmë sot me programin më të qartë afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë për problemet që nxori kjo fatkeqësi natyrore", - u shpreh Berisha.

Përgjigja

Kryeministri hodhi akuza edhe në drejtim të qëndrimit të opozitës, se qeveria e keqmenaxhoi situatën e përmbytjeve. Sipas Berishës, të gjitha akuzat që janë bërë për menaxhimin e situatës në zonat e përmbytura janë amorale dhe të ulëta. Sipas tij, ndryshe nga pretendimi i opozitës, ka pasur një bashkëpunim midis KESH-it dhe autoriteteve vendore.

"Të gjitha spekulimet që bëhen për sa i përket menaxhimit janë amorale dhe të ulëta. Ata të cilët çirreshin lart duart politika atyre do t'u them dritëshkurtër për të mos u thënë më shumë.

Aty ku jetët e shqiptarëve janë nën kërcënim të rrezikut, aty politika është më aktive se kurrë për t'i shpëtuar ato. Dhe të mos mendojnë këta se kaskada e Drinit, digat dhe liqenet janë mullinj personal i tyre. Përkundrazi është bërë një harmonizim i madh midis KESH-it, autoriteteve vendore të Dajçit, Anës Malit, Bushatit, Velipojës, qytetit të Shkodrës", - nënvizoi Berisha. Kreu i ekzekutivit vuri në dukje gjithashtu se, qeveria do të dëmshpërblejë të gjithë banorët e dëmtuar nga përmbytjet.

Zhdëmtimi ndaj banorëve, sipas Berishës, do të shoqërohet me një transparencë të plotë. "Kjo fatkeqësi kërkon një trajtim shumëplanësh. Qeveria do të dëmshpërblejë një për një banorët.

Njerëzit që kanë humbur shtëpitë, është mbytur investimi që ata kanë bërë në dekada, qeveria disponon të gjitha fondet e mjetet e një zhdëmtimi të ndershëm dhe total, jo vetëm në orenditë e shtëpive, por edhe në pasuritë e tjera. Sikundër gjer sot, në çdo gjë do të ketë transparencë të plotë, transparencë në përllogaritje, në disbursim", -shtoi Berisha.

Ligji i digave

Kryeministri shtoi gjithashtu se kompensimi do të bëhet në bazë të ligjit të digave. Ligj flet gjatë për detyrimet që ka KESH-i qoftë edhe ndaj të tretëve kur humbjet e kanë origjinën nga diga.

Por, duke qenë se qeveria aktuale e përjashton kategorikisht përgjegjësinë njerëzore, atëherë kryeministri i vendit i referohet vetëm një pike të nenit 9 të ligjit, ku thuhet se rastin kur dëmet shkaktohen nga forca madhore, pamundësisht të parashikueshme në projekt, në kompensimin e humbjeve merr pjesë edhe shteti.

Përmbytjet, deputetët e PD-së ofrojnë para për banorët

TIRANË - Përmbytjet që sollën mijëra dëme materiale në veriperëndim të vendit, përveç solidarizimit nga shumë institucione e qytetarë si jashtë e ashtu brenda vendit, kanë solidarizuar edhe politikanët shqiptarë. Deputetët e Partisë Demokratike do të ofrojnë një shumë modeste prej 5000 lekësh të reja në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura.

Numri i deputetëve të Partisë Demokratike që zënë vendet në Parlament shkon në 68 dhe prej një llogaritje të thjeshtë, del se nga 5000 lekë të reja që do të ofrojë secili prej tyre, në ndihmë të banorëve shkon një shumë prej 340. 000 lekësh të reja. Deputetët, të cilët përfitojnë një rrogë mujore mbi 100 mijë lekë të reja, do të heqin nga rroga e tyre një shumë të vogël parash, që do të shkojnë për mbulimin e nevojave aktuale jetësore të banorëve në zonat e përmbytura të Nënshkodrës dhe Lezhës.

Megjithatë, peshën më të madhe e të rëndësishme, për dëmshpërblimin e tyre do ta zërë fondi që do të jepet nga strukturat shtetërore, i cili do të ofrohet edhe në bazë të rregullores së digave të hidrocentraleve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›