E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Shqiptarët po paguajnë për keqqeverisjen

***
Kryetari i opozitës deklaroi se brenda 20 muajsh kanë ndodhur tre katastrofa, për të cilat i gjithë populli duhet të paguajë

TIRANË - Menjëherë pas fjalës së kryeministrit Sali Berisha në Kuvend, ku foli vetëm për mot të keq dhe asnjë përgjegjësi njerëzore për atë që ndodhi, ka reaguar kryetari i opozitës, Edi Rama.

Ky i fundit përmes një konference për shtyp të zhvilluar dje në selinë rozë, ka deklaruar se në seancën e djeshme parlamentare përfshi edhe fjalën e kryeministrit nuk u dëgjua asnjë fakt, përveç gënjeshtrave dhe asnjë argument përveç paradës së suksesit qeveritar. "Vriten njerëzit në Gërdec, e njëjta gjë, Gërdeci voton për ne.

Shemben qindra milionat e euro borxhe në Kalimash, e njëjta gjë, s'ka problem, marrim borxhe të tjera përsëri nga xhepi juaj o shqiptarë dhe shkojmë përpara. Mbytet një copë Shqipëri, 4 herë më e madhe se Tirana, 11.400 hektar, zhyten nën ujë mijëra shtëpi, lemerisen mijëra e mijëra njerëz dhe përsëri e njëjta gjë. Zoti ju zhyt, qeveria ju shpëton. Dhe shqiptarët paguajnë, ndërkohë brenda 20 muajsh, drejtpërdrejt nga katastrofat dhe pas katastrofave një popull i tërë për riparimin e këtyre dëmeve.

Është i treti dëm kolosal që i shkaktohet këtij vendi brenda 20 muajsh dhe është e treta herë që i gjithë populli duhet të paguajë për këtë dëm dhe ndërkohë që për të tretën herë drejtësia shqiptare është e sfiduar nga një pushtet i korrupsionit dhe i paaftësisë që rrezikon për gjithë Shqipërinë të dalë përsëri i pa lagur", - tha Rama.

Kryetari i opozitës shtoi se ajo çka paraqiti PS-ja në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ishte një ekspoze e fakteve dhe provave lidhur me përmbytjet në veri-perëndim të vendit.

"Tërë Shqipëria e pa dje në historinë e asaj që ndodhi, që ne e ekspozuam vetëm duke ju referuar fakteve dhe provave, të marra drejtpërdrejt brenda sistemit elektro-energjetik shqiptar. Shkresave të mbledhura drejtpërdrejt nga brenda institucioneve që duhet ta kishin parandaluar këtë katastrofë dhe pa dyshim referencave drejtpërdrejt të dokumenteve që rregullojnë veprimtarinë shtetërore për të mos lejuar të ndodhë ajo që ndodhi.

Unë jam këtu sot për të përsëritur se kërkojmë drejtësi për atë që ndodhi në Shkodër dhe për atë që për shkak të kësaj fatkeqësie të radhës po i ndodh përsëris shqiptarëve, që si një popull i tërë duhet të paguajnë për keqqeverisjen", - tha ai.

Rama i bëri apel ndërgjegjes kombëtare dhe qytetare të të gjithë shqiptarëve që të kuptojnë se këto fatkeqësi janë thjesht dhe vetëm shprehje e kalbëzimit të plotë të shtetit dhe e paaftësisë së plotë të pushtetit.

"Dua ta ritheksoj, se ajo që ndodhi me Shkodrën për shkak të dorës së paaftë dhe për shkak të këtij pushteti të korruptuar, është një arsye më shumë që opozita të thërrasë gjithë popullin në protestë, për të dalë nga ky rreth vicioz krizash që kanë hyrë dhe po brejnë përditë e më shumë shoqërinë shqiptare, duke vrarë përditë e më shumë ëndrra dhe shpresa në këtë vend", - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›