Prifti: Me 27 dhjetor, i çova letër urgjente Berishës

Ministri i Energjetikës paralajmëroi dje se situata ishte kritike që në datën 26 dhjetor. Megjithatë shkarkimet vijuan vetëm disa ditë më pas
TIRANË - Përfaqësuesit e mazhorancës, përfshi këtu edhe kryeministrin dhe ministrat e kabinetit të tij qeveritar në një seancë të emërtuar të jashtëzakonshme, janë përpjekur dje të justifikojnë, por pa u koordinuar siç duhet përmbytjet e ndodhura në qarqet Lezhë dhe Shkodër në ditët e para të këtij viti.
Ndërsa kryeministri dhe përfaqësuesit e tjerë të kësaj shumice ia kanë vënë fajin temperaturave të larta që sipas tyre shkrinë borën në male dhe shirave të dendur që ritën ndjeshëm prurjet e liqenet e kaskadës së lumit Drin, Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ndryshe nga ata i është përmbajtur një linje tjetër faktorësh, duke përjashtuar në mënyrë kategorike shkarkimet nga digat.
Sipas tij, përmbytjet në Shkodër nuk erdhën si pasojë e ujërave që vërshuan nga liqenet e hidrocentraleve, por nga një fenomen, sipas tij i ngatërruar natyror, që bëri që deti Adriatik t'i vërsulet tokës, duke bllokuar derdhjen e Bunës në të.
"Kjo ishte e nevojshme për të kuptuar se përmbytja në Shkodër nuk erdhi aspak si rrjedhojë e shkarkimeve nga kaskada e Drinit, por rrjedhojë e disa fenomeneve natyrore tepër komplekse", - tha Prifti.
Duke iu referuar pikërisht një raporti të disa specialistëve të Ministrisë që ai drejton, Prifti ka theksuar se pozicioni i rrallë hapësinor i tokës, hënës dhe diellit, rriti vlerat e tërheqëse duke rritur në mënyrë të paparë nivelin e detit në baticë.
"Përmbytja e janarit e këtij viti, sipas specialistëve, shqiptar e ka zanafillën në valën baticore të 31 dhjetorit dhe në vazhdim, e cila u shkaktua nga pozicioni hapësinor hënë-tokë-diell. Siç vumë re në natën e nderimit të viteve toka mbuloi 8 për qind të sipërfaqes së hënës, çka do të thotë se të tre këto objekte ndodheshin në një vijë të drejtë mes tyre.
Ky pozicion hapësinor përfaqëson gjithmonë aplitudë baticore maksimale. Në rastin tonë në datën 31 dhjetor 2009 koinçidon me ditën e 15 të hënës muharrem, çka do të thotë që batica dhe zbatica e kësaj hënë ka shfaqur vlerat më të larta të nivelit të ujit në detin Adriatik", - deklaroi ministri.
Por, nga ajo që paraqiti vet Prifti dje në Kuvend, duket se ndikimi baticës në këtë situatë përmbytjesh ishte një element plus, por jo më kryesori, pasi siç edhe theksoi vet ai që para vitit të ri, pra duke filluar që në datën 26 dhjetor, ishte vënë re rreziku i përmbytjeve për shkak të situatës së rënduar me reshje në veri të vendit, pa llogaritur fare vërshimin e detit drejt tokës.
Pikërisht një ditë më pas bëri të ditur Prifti, ai personalisht i kishte nisur një letër kryeministrit dhe ministrave të qeverisë ku i informonte mbi situatën e rrezikshme dhe i ftonte ata që të merrnin masat për të evituar më të keqen.
"Më datën 27 dhjetor kam bërë një letër e cilësuar kjo tepër urgjente, ku kam njoftuar kabinetin e kryeministrit dhe të gjithë ministritë kryesore për situatën dhe nevojën e masave urgjente për të përballuar një situatë të vështirë.
Në të njëjtën ditë kryeministri ka urdhëruar që të mblidheshin të gjithë ministrat kryesorë për situatën dhe ne u mblodhëm në Ministrinë e Brendshme", - u shpreh Prifti.
Por, duket se edhe pas këtij alarmi reagimi i strukturave qeveritare ka qenë vetëm deklarativ dhe pa ndikuar aspak në menaxhimin e situatës së kuotave në liqene, menaxhim i cili sipas tij bëhet nëpërmjet rregulloreve dhe jo siç është bërë e ditur deri tani.
"Menaxhimi i ujërave në hidrocentralet e kaskadës së Drinit është bërë nëpërmjet dy rregulloreve, njëra e vitit 1988 dhe një e miratuar nga ministri Ruli në 12 qershor të vitit 2006", - deklaroi Prifti.
Kuvendi u mblodh dje në një seancë të jashtëzakonshme. Miraton rezolutën falënderuese për qeverinë
Rezoluta e Kuvendit: Përmbytjet, fatkeqësi natyrore
TIRANË- Mes debatit për ta quajtur një seancë të jashtëzakonshme apo jo, Kuvendi ka rinisur dje punimet për sesionin e dytë të legjislaturës së XVIII.
Në një sallë ku mungonin sërish deputetët e Partisë Socialiste dhe ku ndryshimi i vetëm ishin dy kolltuqet luksoz që ishin blerë për kryeministrin Berisha dhe kryeparlamentaren Topalli, mazhoranca e djathtë në rreth 5 orë diskutime, ka folur për situatën e krijuar në veriperëndim të vendit si pasojë e përmbytjeve, ku natyrisht është vlerësuar puna e qeverisë dhe është sharë qëndrimi i mbajtur prej opozitës. Në fund të fjalimeve që kishin përmbajtje të njëjtë, Kuvendi miratoi edhe një rezolutë për përmbytjet në veri-perëndim të vendit.
Rezoluta
Rezoluta e miratuar dje vetëm me votat e mazhorancës në thelb e ka cilësuar situatën e krijuar në veri-perëndim të vendit si fatkeqësi të rëndë natyrore, duke shkuar deri aty sa të flitej edhe për "menaxhim profesional dhe të përkushtuar të situatës hidrike në kaskadën e Drinit nga ana e strukturave të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare", edhe pse në fakt deputetët e mazhorancës u mbështetën vetëm në një fjali sipërfaqësore të Ministrit të Energjitikës, Dritan Prifti.
Sipas këtij të fundit, menaxhimi i ujërave në hidrocentralet e kaskadës së Drinit është bërë nëpërmjet dy rregulloreve, njëra e vitit 1988 dhe një e miratuar nga ministri Ruli në 12 qershor të vitit 2006. Në pjesën më të madhe të rezolutës, deputetët ishin kujdesur që të shprehnin falënderimet e rastit.
"Kuvendi vlerëson përpjekjet maksimale të Qeverisë dhe të Komitetit Ndërministror për Gjendjen e Emergjencës në Shkodër, nivelin e lartë të gatishmërinë së treguar, si dhe koordinimin e shkëlqyer që kanë realizuar.
Shpreh konsideratën për rolin e rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm që kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë kryetarët e njësive të qeverisjes vendore dhe anëtarët e këshillave bashkiakë dhe komunalë në qarkun e Shkodrës",- thuhet ndër të tjera në rezolutë. Ndërsa vetëm në fund të saj, rezoluta parashikon edhe masat që duhen marrë.
"Kuvendi vendosi: T'i kërkojë Qeverisë që të angazhojë të gjitha burimet financiare dhe njerëzore të saj për kapërcimin sa më të shpejtë të të gjitha pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore; T'i kërkojë Qeverisë të ndërmarrë të gjithë masat për vlerësimin real dhe objektiv si dhe zhdëmtimin e plotë të të gjithë qytetarëve dhe familjeve të prekuara dhe dëmtuara nga përmbytja;
Qeveria, ministritë dhe të gjithë agjencitë e vendit të nisin menjëherë punën për rehabilitimin e zonës së prekur, pastrimin mjedisor të saj, normalizimin sa më të shpejtë të jetës së njerëzve dhe veprimtarisë së tyre në këto zona; Qeveria të përparësojë të gjitha projektet që i japin zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë parandalimit të fatkeqësive të ngjashme natyrore",- thuhet në rezolutë.
Topalli
Ndërsa, në fjalën e saj hapëse të kësaj seance, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ka ripërsëritur edhe një herë se ajo ishte e jashtëzakonshme ashtu siç edhe e kishin kërkuar sipas saj deputetët e majtë.
Ndërkohë duke folur për përmbytjet në Shkodër, Topalli theksoi se ato erdhën si pasojë e "2,6 miliard m³ ujë të tepërt të mbledhura vetëm në dy javë për shkak të ndryshimeve klimatike, natyra i hodhi mbi Alpet e veriun e Shqipërisë".
Topalli ngriti lartë punën e bërë nga ekzekutivi dhe pushteti vendor në Shkodër duke shprehur besim të plotë se situata është drejt normalizimit të plotë të saj. Ndërkohë ajo ka bërë të ditur se çdo dëm i shkaktuar në pasuri, të mbjella e gjë të gjallë do të kompensohet nga shteti.
Gjithashtu krye-parlamentarja nuk ka lënë pa atakuar edhe opozitën, dhe kryesisht kryetarin e saj, të cilin e ka quajtur të papërgjegjshëm. "Gjatë këtyre ditëve të fatkeqësive natyrore, që ndodh një herë në 100 vjet dikush tha se 2,6 miliard m³ ujë nuk janë nga Zoti por nga robi. Kur e dëgjova për herë të parë thashë, është lajthitje.
Kur e dëgjova herën e dytë thashë është papërgjegjësi. Sot i them atij se ke kapërcyer të gjithë kufijtë. Je jashtë frymës, jashtë njerëzores, je jashtë racionales, je jashtë çdo morali. Nuk dua ta them, por e kam menduar vazhdimisht se ti shpresoje atë që kërkush nuk e donte", - tha kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.