Këshilli i Europës mundohet të korrigjojë shënjestrën për Kosovën
Raportuesi i Asamblesë Parlamentarë të Këshillit të Evropës, Björn von Sydow, në një intervistë për BBC-në thotë se të gjitha vendet e Ballkanit, me përjashtim të Kosovës, kanë një perspektivë të qartë evropiane. Ai tha se pa arritjen e standardeve evropiane të jetesës, Kosova nuk do të ketë zhvillim dhe tërheqje të investitorëve të huaj. Von Sydow tha se në Kosovë ka mungesë të vullnetit politik për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe se përpjekjet e deritashme janë jo shumë të kënaqshme
BBC: Institucionet evropiane, a po i kushtojnë disi shumë rëndësi Kosovës, meqë gjatë javës ka patur një numër raportesh dhe rezolutash për të?
Von Sydow: Mendoj se rastësisht ishte një koincidencë që ndodh tani. Por përgjithësisht një numër i madh i porceseve vendimarrëse brenda Evropës, pak a shumë po mbledhin frutat tani. Shumë gjëra kanë ndodhur në Ballkan që ndërlidhen me vendet e rajonit me Këshillin e Evropës por edhe me BE-në. Në këtë rrafsh çështja e vizave dhe të tjerat po zhvillohen dhe unë mendoj se ndoshta ishte një rastësi por në anën tjetër kishte shumë procese në Evropë për Ballkanin në tërësi dhe për Kosovën.
Kjo nënkupton se tani Ballkani ka një perspektivë të qartë evropiane, përfshirë edhe Kosovën këtu.
Unë do të thosha se të gjitha vendet, me përjashtim të Kosovës, kanë një perspektivë të qartë evropiane. Kur bëhet fjalë për Kosovën unë nuk do të jap një përgjigje rreth çështjes së statusit. Por mund të them se raporti im, rekomandimi im për qeveritë, të gjitha mbështeten në standardet për kosovarët, qofshin shumica ose komunitetet e ndryshme pakicë, që të arrijnë dhe të vazhdojnë të jetojnë në standardet e nivelit evropian. Në këtë kuptim, përfundimisht ka një perspektivë evropiane edhe në raportin tim.
Kur thoni standardet, a mund të jeni më të saktë. çfarë standardesh kërkoni që kosovarët të përmbushin në këtë rrugë evropiane?
Të ardhurat mesatare në Kosovë janë shumë të ulta. Në realitet ka një zhvillim të ulët ekonomik në raport me atë që e kanë shumë vende në Evropë dhe kjo i referohet tregut, me para të pastra dhe pa korrupsion. Prandaj me qëllim të arritjes së një rritjeje të qëndrueshme ekonomike dhe nga kjo një produkt social që mund të shpërndahet në një mënyrë të drejtë tek të gjithë qytetarët, nevojiten vendime politike dhe një nga objektivat më të rëndësishme është modernizimi, efektshmëria dhe një sistem i pakorruptuar juridik, gjyqësor dhe i rendit e ligjit. Ashtu siç paraqiten gjërat tani, është shumë e vështirë që të ofrohen investitorët privatë dhe të tregojnë vëmendje për Kosovën. Mendoj se kjo ka të bëjë me investitorët ndërkombëtarë dhe ata kombëtarë. Kjo për faktin se ata nuk i besojnë këtij standardi aktual në sistemin e drejtësisë. Nuk mund të funksionojë ekonomia e tregut pa një sistem të drejtësisë të pavarur dhe efektiv. Mendoj se këto janë rekomandimet e mia për partnerët e ndryshëm të Kosovës, përfshirë administratën e OKB-së, ndërkombëtarët dhe në një masë edhe për marrëdhëniet me vendet fqinje. Duhet një përqëndrim në rend dhe ligj me qëllim të arritjes së një rrijtje dhe zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik.
Me sa e kuptoj ju po thoni se ka pak vullnet politik të autoriteteve të Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin?
Po ashtu është. Unë vlerësoj se përpjekjet që janë bërë janë jo shumë të kënaqshme dhe përderisa është kështu do të ketë zhvillim të pamjaftueshëm ekonomik në Kosovë. Në një afat të gjatë, Kosova nuk mund të mbështetet vetëm në remitencat nga jashtë ose nga prania e organizatave ndërkombëtare, me shumë kosovarë në listat e pagave. Duhet të ketë një paraqitje ekonomike në mënyrë të ngjashme me zhvillimet në vendet fqinje. Ato gjithashtu kanë një gamë të gjërë të reformave për veten, por për Kosovën kjo është këshilla ime kryesore dhe kjo është mirëpritur gjithashtu edhe nga Asambleja Parlamentare.
Ju po thoni se jeni neutral ndaj statusit por sipas asaj që po thoni duket se po i referoheni një shteti?
Unë po i referohem nocionit të Kosovës ashtu siç e njeh Rezoluta e OKB-së. Dhe këtë e kam në raportin tim ku çdo nocion që i referohet Kosovës është në përputhje me Rezolutën e OKB-së, me të cilën veprojnë të gjitha pranitë ndërkombëtare.
Por më thoni çka më saktësisht po kërkoni nga autoritetet në Kosovë të bëjnë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar?
Të modernizojnë gjykatat, të rekrutojnë gjykatës të rinj dhe të arsimuar mirë, kjo vlenë edhe për nivelet e ulta si dhe të zhvillohet një bashkëpunim ndërmjet sistemit prokurorial dhe të policisë. Të gjitha vlerësimet ndërkombëtare janë se sistemi i policisë po funksionon më mirë se sa ai në nivelin ligjor, që nënkupton prokurorinë dhe në fund edhe gjykatat. Këto të fundit janë vlerësuar të jenë pika më e dobët. Gjithashtu EULEX-i është marrë me disa padi të rëndësishme por EULEX-i, në afat të shkurtër dhe aq më pak në atë afatgjatë, nuk mund të merret me rastet e komplikuara që ndërlidhen me taksat, korrupsionin dhe shpërlarjen e parave. Me këto raste duhet të merren autoritetet kosovare. Prandaj programet e mëdha për modernizimin e gjykatave janë shumë të rëndësishme. Gjithashtu e kam bërë të qartë në Asamble se mendoj se një prani e shtuar e Këshillit të Evropës mund të motivohet, të paktën jo kur bëhet fjalë për këto çështje të ndryshme, në fushën e rendit dhe të ligjit, efektiviteti në gjykata dhe në kontributet që ndërlidhen me sistemin juridik vetëqeverisës.
Ju keni përmendur në raportin tuaj edhe nevojën e marrëdhënieve mes Prishtiës e Beogradit. Ka ardhur koha për këtë?
Unë besoj dhe mendoj se kjo është një dëshirë e të gjithë atyre që i kushtojnë rëndësi Kosovës. Unë nuk e kam ngritur në mënyrë fundamnetale këtë çështrje që po e ngrini ju. Por në disa pjesë unë përfundimisht bëjë thirrje, psh bëjë thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë mes autoriteteve në Kosovë dhe atyre në Beograd rreth çështjes së pronave. Problemi më i madh është humbja e pronave të atyre njerëzve që kanë ikur ose kanë lëshuar Kosovën. Duhet të ketë një bashkëpunim më të ngushtë mes arkivave dhe agjencive në beograd dhe në Prishtinë. Në këtë mes EULEX-i dhe UNHCR mund të jenë ndërmjetës por një besim i mrië i ndërsjellë, ndërmjet Prishtinës e Beogradit, mund të lehtësojë kthimin ose në raste të pazgjidhshme, një kompensim ekonomik për ata që kanë humbur pronat dhe kjo në përputhje me zhvillimet në Evropë në 10 ose 12 vjetët e fundit. Kjo është pika kryesore në të cilën insistoj. Me këtë dua të theksoj mënyrën e zgjidhjes së humbjes psikologjike të besimit të njerëzve nga lufta e të kaluarës.
Por a është kjo e mundshme para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë?
Unë e kam hartuar raportin tim bazuar në standardet e jetesës. Dhe kjo mendoj se duhet të fillojë menjëherë me elaborimin dhe zhvillimin e një ndihme ndërkombëtare por me marrjen e më shumë iniciativave nga ana e qeverisë dhe administratës kosovare. Unë kam dëgjuar në Asamble një fjalim të mbajtur nga njëri anëtar i delegacionit serb, që përfaqësonte shumicën në Kuvendin e Serbisë, pra që fliste nga pikëpamja qeveritare. Më dukej se ata u shprehën se kur të merret vendimi i GJND-së do të vijë koha gjithashtu për një qëndrim të ri, ose qëndrim të rishikuar të qeverisë dhe Kuvendit në Serbi. Nuk është kjo fjala ime por po provoj t’u referohem atyre objektivisht aq sa mundem, por dua t’ju tërheq vëmendjen në këtë intervenim të bërë në Asamble. Nëse e kuptova këtë fjalë drejt, mund të ndodh që në Beograd të ketë ndryshim të politikave në kohën kur të jepet vendimi i GJND-së. Nuk qëndron kjo në raportin tim por ishte në debat kjo në Asamble.