E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriptoracizëm

Edmond Tupja

Po vazhdojnë të luhen, për kënaqësinë e shumë tifozëve ose për zhgënjimin e shumë të tjerëve, ndeshjet e Kampionatit Botëror të Futbollit në Afrikën e Jugut. është hera e parë që një veprimtari apo ngjarje (“event”, siç do të shpreheshin snobordhacët e sotëm të mediave shqiptare) sportive e përmasave planetare ka për teatër kontinentin e quajtur të “zi” historikisht aq të shfrytëzuar e të diskriminuar në shekuj. Kjo tregon se racizmi po merr një goditje të fortë aq më tepër që tani po kërkohet me ngulm që Afrika të ketë përfaqësuesin e saj të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Edhe në Shqipëri, lufta kundër racizmit ka gjetur një jehonë pozitive; ndër të tjera, le të theksojmë praninë e spoteve publicitare kundër racizmit, madje disa minuta para fillimit të ndeshjeve në fjalë në TVSH, ku parulla themelore është “Thuaji jo racizmit!”.
Por (ka gjithmonë një “por” që vjen e nxjerr ndonjë problem), për fat të keq, pikërisht në gojën e ndonjë komentatori sportiv shfaqen nganjëherë fjalë apo mënyra të thëni që shprehin, sigurisht në mënyrë të pavetëdijshme, racizëm ose më saktë, kriptoracizëm. Po shpegohem konkretisht:
Gjatë transmetimit, para disa ditësh, të ndeshjes Kamerun-Holandë, më bëri përshtypje mënyra se si komentatori, krejt natyrshëm, vetëm tri-katër herë i quajti lojtarët e ekipit të Kamerunit “kamerunasit”, tërë kohën i thërriste ata “afrikanët”, kurse lojtarët e ekipit të Hollandës vazhdimisht i quante “holandezët” ose “tulipanët” (tipar i tyre kombëtar) dhe asnjëherë nuk i quajti “europianët”. Kjo mënyrë sistematike të vepruari në emërtimin e lojtarëve më kujtoi se i njëjti komentator në transmetime ndeshjesh të tjera nuk i kishte thirrur kurrë lojtarët e ekipeve europiane “europianët”, por i kishte quajtur me emrat e kombësive të tyre, duke bërë edhe variacione si spanjollët/iberikët, portugezët/luzitanët, danezët/vikingët (tipare kombëtare me origjinë gjeografike për të parët e të dytët dhe historike për të tretët). Më erdhi ndër mend gjithashtu se, gjatë transmetimit të ndeshjeve të disa ekipeve të Amerikës së Jugut, herë pas here i kishte thirrur lojtarët e tyre me emrin “amerikanojugorët” ose “amerikanolatinët”, ndërsa pjesën tjetër të kohës, i kishte quajtur, sipas kombësisë së tyre, “argjentinasit”, “kilianët” apo “uruguajanët”, për shembull. Diskriminimi është i dukshëm si drita e diellit kur në qiell nuk ka asnjë re. Në gojën e komentatorit tonë, pra, edhe në mendjen e tij (por në mënyrë të pavetëdijshme, të paktën shpresoj të jetë kështu), lojtarët europianë nuk futen të gjithë në të njëjtin thes, ata të të njëjtit ekip thirren me emrin e kombësisë së tyre, sepse kanë dinjitetin e vet kombëtar; lojtarët nga vendet e Amerikës së Jugut herë futen në të njëjtin thes, herë nuk futen atje, pra, paskan pjesërisht, gjithnjë sipas logjikës së komentatorit tonë, njëfarë dinjiteti kombëtar (me shumë gjasë, sepse në damarët e tyre rridhka pak gjak europian falë pushtimit të vendeve të tyre nga kolonizatorët spanjollë, pra, europianë); kurse lojtarët nga vendet e Afrikës futen gati sistematikisht në të njëjtin thes duke u quajtur thjesht “afrikanë”, ata nuk na paskan, pra, dinjitet kombëtar, sepse janë thjesht të “zinj”! Ja ku dolëm tek racizmi që fle në nëvetëdijen e komentatorit tonë. Për këtë arsye e padis publikisht për kriptoracizëm, d.m.th. për racizëm të fshehtë, por, që, po e përsëris, buron pa vetëdije nga goja e tij. Rrjedhimisht, e këshilloj të pastrohet nga impulse të tilla kriptoraciste ose, në pamundësi, t’i frenojë ato, të paktën, kur të komentojë ndjeshjet e ardhshme të Kampionatit Botëror të Futbollit që po zhvillohet në Afrikën e Jugut, d.m.th. në kontinentin ku, miliona vjet të shkuara, u shfaq për herë të parë njeriu, homo spaiens-i, pra, nga e ka prejardhjen edhe komentatori ynë, edhe unë, dashamirësi i tij, edhe ti, lexues i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës.
Së fundi, më duket me vend të theksoj shkurtimisht por me forcë se një qëndrim i tillë në ekranin e TVSH-së, kanal televiziv publik, i cili përfaqëson shtetin dhe shoqërinë shqiptare, bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ku çdo shfaqje racizmi dënohet shprehimisht, dhe nuk është aspak i denjë për demokracinë e re, ende të brishtë, shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›