E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa kryqëzon Edi Ramën, e cilëson si të papranueshëm

Në një deklaratë të përbashkët të presidentit të Partisë Popullore Evropiane Martens, ministrit të jashtëm italian Fratini dhe europarlamentarit Elmar Brok, rikonfirmohet qendrimi ndërkombëtar mbi legjitimitetin e qeverisë dhe të mazhorancës, ndërkohë që Edi Rama cilësohet si një politikan që vazhdimisht ka punuar për ta prishur konsensusin, pasi ai asnjëherë s’ka qenë i interesuar për zgjidhje


“Qeveria shqiptare ka bërë lëshime të shumta për t’i ofruar opozitës të gjitha hapësirat ligjore për kërkesat e saj, por Edi Rama ka depozituar kërkesa të reja, duke nënkuptuar se nuk është i interesuar për zgjidhje politike”. Kështu është shprehur grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, Partia Popullore përmes një reagimi zyrtar të Presidentit, Wilfried Martens, ministrit të Jashtëm italian, Franco Frattini dhe europarlamentarit Elmar Brok. Nisur nga takimi i fundit i Ministrave të Jashtëm të Partisë Popullore Evropiane (PPE) në Itali, krerët më të rëndësishëm të saj, adresuan një deklaratë të përbashkët, duke iu referuar perspektivës integruese të Shqipërisë dhe ngërçit politik. Popullorët evropianë shprehen se ka ardhur koha që opozita shqiptare të kryejë rolin e saj si opozitë në parlament dhe të njohë zgjedhjet e 2009-s, të cilat u certifikuan nga të gjitha hallkat gjyqësore të administrimit të procesit dhe nga qindra organizata të huaja që i ndoqën zgjedhjet nga afër përmes vëzhguesve të tyre. “Ne kërkojmë që Partia Socialiste, të qëndrojë në Parlament dhe të përmbushë rolin e saj si opozitë, duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve të certifikuara nga KQZ, Kolegji Zgjedhor, Gjykata e Apelit dhe vëzhguesit e organizatave ndërkombëtare. Vlen të përmendim se edhe pse qeveria shqiptare ka bërë një numër të konsiderueshëm koncesionesh në mënyrë që të trajtojë kërkesat e opozitës, sidomos duke i ofruar asaj shumicën dhe kryesimin e një komisioni hetimor parlamentar, Edi Rama dhe opozita kanë bërë vazhdimisht kërkesa të reja, të cilat bien në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin zgjedhor dhe vendimet e mëparshme gjyqësore, supozojmë pra, që zoti Rama nuk është i interesuar për një marrëveshje politike që të respektojë sundimin e ligjit dhe të Kushtetutës”, deklarojnë Presidenti i Popullorëve, Wilfried Martens, ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini dhe anëtari i Parlamentit Evropian Elmar Brok, në deklaratën e përbashkët për Shqipërinë. PPE vazhdon më tej se “pavarësisht nga kjo dhe pavarësisht nga akuzat e bëra nga opozita, qeveria e kryeministrit Sali Berisha është e ligjshme dhe parlamenti tani është plotësisht funksional”. Lidhur me procesin e integrimit dhe liberalizimit të vizave, popullorët evropianë japin garanci të plota se nuk do ndikohen nga sjellja e opozitës, por institucionet e BE-së do vazhdojë të mbështesin perspektivën e Shqipërisë. “Ne kemi theksuar, thuhet më tej në deklaratë se procesi i liberalizimit të vizave me Shqipërinë nuk duhet të vihet në pikëpyetje nga situata e tanishme politike, besojmë se çdo përpjekje e tillë do të ishte në dëm të popullit shqiptar. Ne mirëpresim progresin e arritur nga qeveria shqiptare, dhe besojmë se Këshilli dhe Parlamenti Evropian duhet të miratojë heqjen e vizave për Shqipërinë brenda vitit 2010. Ne i kërkojmë opozitës të respektojë plotësisht Kushtetutën e vendit dhe të veprojë sipas rregullave të shtetit të së drejtës, kujtojmë se ky është një nga kriteret e Kopenhagenit, kusht ky për anëtarësimin në BE. Ne besojmë se Bashkimi Evropian duhet të mbështesë dhe të inkurajojë qeverinë shqiptare në hapat e saj drejt forcimit të demokracisë dhe rrugës së integrimit në Bashkimin Evropian”, deklarojnë më tej në komunikatën e tyre, krerët më të lartë të Partisë Popullore Evropiane dhe personalitetet e saj Martens, Frattini dhe Brok.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›