E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selmanllari: Bleva tokë të certifikuar

Shtetasi Rahman Selmanllari sqaroi dje opinionin publik se "disa të përditshme të kontrolluara dhe financuara nga opozita, publikuan shpifje, sipas së cilave Rahman Selmanllari ka vjedhur, zaptuar apo zbuar njerëz nga tokat e tyre". Ai thotë se "kam blerë tokë të certifikuar si të lirë e të rregullt në hipotekë, e për të cilën brenda ligjit kam paguar paratë, si dhe kam lëshuar apartamente në Tiranë në përfitim të pronarëve të tokës". Toka që unë kam blerë, vijoi ai, është e ndarë dhe e përcaktuar me kufij të qartë nga pronat e pronarëve të tjerë në zonë. "Ndryshe nga sa pretendohet, unë nuk kam ndërtuar asnjë metër katror në Orikum, por njësoj si shumë pronarë të tjerë, ia kam dhënë pronën e blerë, me përqindje një kompanie të njohur ndërtimi", sqaron Selmanllari. Ai insiston se që nga momenti që ka blerë pronën në fjalë e deri tani ku aty ka përfunduar ndërtimi, askush nuk e ka kontaktuar apo ngritur pretendimin as në rrugë ligjore e as në forma të tjera, qoftë edhe për një metër katror të pronës. "Nëse ju si media gjeni qoftë edhe një person që pretendon se ka qoftë dhe një centimetër tokë në përdorim brenda pronës sime, unë jam i gatshëm të ballafaqohem me të me letra dhe dokumente", u shpreh Selmanllari. Qëllimi dhe dëshira për të përfshirë emrin dhe pronën time në një histori konflikti, ndërkohë që ajo, sqaron Selmanllari, zhvillohet jashtë tokës dhe interesave të mia, janë dhe mbeten manovra politike të mediave mercenare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›