E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Mandateve, Mediu jep llogari javës që vjen

 Deputetët vlerësuan, thuajse në një zë, se dosja shtesë e Prokurorisë është voluminoze dhe në brendësi përmban edhe dokumente të panevojshëm

TIRANË- Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu do të paraqesë javën e ardhshme, në Kuvend, pretendimet që ka ndaj akuzave që ka ngritur Prokuroria për përgjegjësi ligjore në tragjedinë e Gërdecit. Këshilli parlamentar për Mandatet, Rregulloren dhe Imunitetin, në zbatim të Rregullores së Kuvendit, ka vendosur dje t'i japë të drejtën të akuzuarit Mediu, për t'u dëgjuar përpara se të japë vlerësimin për kërkesën e prokurorisë për dhënie autorizimi për ndjekje penale ndaj tij. I mbledhur dje me dyer të mbyllura, anëtarët e këtij Këshilli janë njohur dhe kanë marrë në shqyrtim dosjen voluminoze prej 648 faqesh, me të cilën Prokuroria e Përgjithshme shoqëron kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit, ish-ministrit të Mbrojtjes. Burime pranë Këshillit, bënë të ditur për gazetën se mbledhja u përqendrua kryesisht në lidhje me përmbajtjen e materialeve shtesë që prokuroria paraqiti pas kërkesës që deputeti republikan, Arian Madhi, bëri gjatë takimit të parë. Kështu, mësohet se deputetët kanë vlerësuar, pothuajse në një zë, se dosja shtesë e Prokurorisë është voluminoze dhe në brendësi përmban dokumente të panevojshëm për stadin e shqyrtimit të çështjes nga ky këshill. Deputetët kanë gjykuar se organi i akuzës nuk duhet të paraqiste të gjitha dokumentet që zotëron, lidhur me këtë çështje, por thjesht, të bënte një përmbledhje të argumenteve që ka në mbështetje të akuzave që ngre ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes. Të njëjtin qëndrim, anëtarët e këtij këshilli e kanë konfirmuar publikisht edhe pas mbledhjes, kur kanë konsideruar si të tepruar morinë e dokumenteve që prokuroria ka vënë në dispozicion të deputetëve."Morëm materialin e Prokurores së Përgjithshme, me atë vështrim të shpejtë që i bëmë materialit, nuk kishte asnjë gjë të panjohur deri tani. Kishte ligje, vendime të Këshillit të Ministrave dhe material, ligje të kohëve të ndryshme, të kohëve kur janë miratuar natyrisht", - u shpreh deputeti demokrat, Ilir Bano, pas mbledhjes. Ndërkohë duket se deputetët e opozitës kanë kërkuar me ngulm që volumi i madh i kësaj dosjeje, të mos bëhet pretekst për shtyrjen në maksimum të vendimmarrjes së këtij këshilli, lidhur me kërkesën e prokurorisë. "Nga ana jonë u kërkua me forcë që të mos ketë më humbje kohe, pavarësisht se materiali është shumë voluminoz. Nga ana jonë do të punohet për të qenë gati sa më shpejt dhe për të vazhduar me konkluzionin përfundimtar", - u shpreh deputeti socialist, Besnik Dervishi. Të njëjtat burime konfirmojnë gjithashtu se pjesë e debatit ka qenë edhe shkresa me të cilën prokuroria ka shoqëruar këtë dosje, ku dhe i kujton deputetëve, përgjegjësitë ligjore për mospublikimin e saj për shkak të hetimit. Anëtarët e këshillit kanë theksuar se një shkresë e tillë është e papranueshme, në radhë të parë, se ligji në fjalë nuk mund të veprojë ndaj deputetëve për shkak të imunitetit dhe se, pothuajse të gjitha materialet e paraqitura në dosje, tashmë janë bërë publike nga mediat. Pavarësisht këtij qëndrimi, këshilli ka vendosur që të mos i shpërndajë për mediat, materialet që prokuroria ka paraqitur në Kuvend.

Mediu, letër deputetëve: Jam në Amerikë

TIRANË- Paralel me dosjen voluminoze të kryeprokurores Ina Rama, për të cilën deputetët e Këshillit të Rregullores po diskutonin dje për imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes, në kryesinë e Kuvendit mbërriti edhe një letër e nënshkruar nga vetë Fatmir Mediu. Kryetari i Partisë Republikane shpjegon në letrën që u është dërguar disa deputetëve, kryesisht të mazhorancës, se është nisur për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për arsye familjare dhe se qëndrimi i tij në SHBA do të jetë i shkurtër. Ish-ministri i Mbrojtjes thekson se pas vizitës, do të jetë i gatshëm që të dëshmojë në mbledhjen e afërme të Këshillit të Rregullores dhe Imuniteteve. Burime nga PD, deklaruan dje për "Shekullin" se vizita e Mediut në SHBA ishte parashikuar për në fillim të muajit Prill. Por nisur nga rrethanat në të cilat ai ndodhet, duket se Mediu është detyruar ta shtyjë, për të konfirmuar udhëtimin pikërisht ditën kur për të po diskutohej gjerësisht në kryesinë e Kuvendit. Burimet citojnë se Mediu pritet të kthehet në fundjavë, për të qenë prezent javës që vjen, në mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve. Kryetari i PR-së, Famir Mediu do të duhet të përgjigjet për dosjen voluminoze që kryeprokurorja Ina Rama ka dërguar pranë kryesisë së Kuvendit, me qëllim marrjen e autorizimit për ta ndjekur penalisht për ngjarjen e ndodhur më 15 Mars në fshatin Gërdec.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›