E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdec, "G99": Shteti harroi viktimat e tragjedisë

 

Banorët e zonës kanë përpiluar rreth 1.200 kërkesa për rivlerësimin e dëmeve

TIRANË- Përfaqësues të "G99" zhvilluan dje një vizitë në fshatrat e Gërdecit dhe Marqinetit, për të parë nga afër situatën në zonë pas tragjedisë së 15 Marsit. "G99", duke takuar përfaqësues nga shoqatat e të dëmtuarve si dhe banorë të këtyre fshatrave, ka ekzaminuar zhvillimet e fundit në kompensimin e dëmeve ekonomike dhe njerëzore që ju shkaktuan banorëve të fshatrave, si dhe proceset për rindërtimin dhe vazhdimin normal të jetës. Erion Veliaj, Artur Galanxhi dhe të tjerë aktivistë të "G99" u takuan me disa përfaqësues nga familjet e dëmtuara, të cilët paraqitën problemet dhe shqetësimet e tyre në përballje me pasojat e tragjedisë. Gjatë bisedave me përfaqësuesit nga komuniteti, "G99" u informua për paaftësinë totale të strukturave shtetërore për t'u përballur me pasojat e tragjedisë. Banorët vunë në dukje faktin se ekziston një mungesë totale e angazhimit shtetëror për të koordinuar strukturat që duhet të merren me menaxhimin e pasojave të tragjedisë, kompensimin e dëmeve materiale, vlerësimin e dëmtimeve të banesave, si dhe të tjera pasoja. Ata gjithashtu treguan se prej përfaqësuesve të strukturave shtetërore janë harruar të përfshihen në përllogaritje dëmet në kafshë dhe kultura bujqësore. Të tjerë thanë se në shpërndarjen e donacioneve janë duke ndodhur manipulime të natyrës politike, ku organet shtetërore janë duke dhënë fonde vetëm në baza preferenciale e njohjesh personale. Gjithashtu u theksua dhe fakti se shumë familje të cilat kanë humbur të afërm, nuk kanë pasur mundësi të marrin as shpenzimet e funeralit, të cilat u janë premtuar nga qeveria. Përfaqësuesit e "G99" gjithashtu mësuan se banorët e zonës kanë përpiluar rreth 1.200 kërkesa për rivlerësimin e dëmeve, duke qenë se dy komisionet shtetërore që kanë kryer vlerësimin, kanë nxjerrë vlera të cilat janë konsideruar tepër të ulëta nga banorët e dëmtuar. "Është e pafalshme që sot, viktimat e tragjedisë së Gërdecit duhet të merren me sekserë pranë strukturave shtetërore, për të përfituar dëmshpërblim për tragjedinë që e shkaktoi vetë shteti", - tha Erion Veliaj gjatë takimit. Ai shtoi se, është e domosdoshme që të mos heshtet në lidhje me mënyrën se si shteti po abuzon me vlerësimin dhe rimbursimin e dëmeve, shpërndarjen e donacioneve dhe menaxhimin e pasojave të tragjedisë, pasi vetëm kështu, shteti do të ndihet nën presion të vazhdueshëm dhe, gjithashtu, do të krijohet një standard që do të duhet të përdoret nëse të tilla tragjedi përsëriten në të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›