E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligjërojeni atë!

Inida Gjata (Zhaku) 

Ej… se mos pandehni se dotë flas për Marijuanën! Xix!… Tët!… Largqoftë! Jo, jo. Nuk kam aspak ndër mend t'u kujtoj gjyshërve tanë ...Çajin që u jepnin prindët për t'i vënë në gjumë. Apo bimët që kultivonin në bahçet e shtëpive. Nuk do shkruaj për lidhjen e ngushtë të Kombit tonë qysh në kohë të lashta me opiate të llojeve të ndryshme! As për eliminimin e kësaj kulture gjatë regjimit komunist. As për rikthimin e kultivimit, përdorimit, shpërndarjes apo dashurisë së këtij populli për Marijuanën, qysh pas ardhjes së Lirisë, Demokracisë, Shkëlqimeve dhe Rënieve të Maxhorancave! 
Apo për fushat e gjera me bar që lulëzojnë nëpër Atdhe! Jo, jo! Unë nuk dua t'ju propozoj të legalizoni Marijuanën. Është më qejf kështu, fshehurazi :! Unë dua vetëm të kuptoj nëpërmjet këtij shkrimi, nëse populli, si ai që ha bar, ashtu edhe ai që ha me lugë floriri, do të ishte i gatshëm të nisë e të propozojë projektligje në interes të komunitetit në të cilin bën pjesë, në mënyrë krejt të pavarur nga çdo doktrinë.
Kam përshtypjen që Shqipëria, hallin nuk e ka te mungesa e ligjit apo e rregullave. Të gjithë e dimë se të përkthyera në shqip, ligjet e Botës janë shkruar, miratuar, aprovuar, amenduar etj., etj… dhe e kane bërë Shqipërinë nëpër letra një "alamet" shteti! E megjithatë, shqiptarët jetojnë secili sipas hallit të vet. Të papërfshirë në këtë çështje kaq të rëndësishme për një komb, sa ç'janë vendimet për ligjet mbi bazën e të cilave nuk do të jenë vetëm 100 e ca deputetë që do të ndërtojnë të ardhmet, por i gjithë populli! 
Unë e kuptoj, është e vështirë të takohesh me deputetin e zonës. Ai apo Ajo ka halle të tjera e shumë më të rëndësishme se të dëgjojë problemet tuaja. E kuptoj gjithashtu se mbase jo të 100, por të paktën kusuri tjetër i deputetëve mendojnë ende se detyra e tyre është vetëm të ngrohin sedijlet e kolltukëve qyl, makinave qyl, pagave qyl, e të tjera Qyleve që partitë e pluralizmit shqiptar ofrojnë për lloj-lloj dangallësh. Unë i di të gjitha këto. Ashtu siç e di mirë e gjithë pjesa tjetër e popullit. Por nuk është kaq e vështirë sa ç'duket lobimi për një të mirë të komunitetit. Politika shqiptare është vetëm një Uonë bi Juropiën! (të duash të ngjash si evropian)! Prandaj dhe këtij Kombi "nuk i ka DUK asnjë gjë" (nuk nxjerr asgjë në dritë)! Sepse shqiptarët nuk ndihen të përfshirë në ndërtimin e vendit të tyre. Gjatë fushatave, përpara të shurdhëve çirren të verbrit. Ia marrin mendjen dynjallëkut edhe me nja dy-tre këngëtaruce shalë jashtë e kryestolisur, e pasi kanë marrë ca vota humbamenosh, nisin e gënjejnë veten e botën se ky Shtet funksionon aq mirë sa s'ka ku të shkojë. Mbushin kartat e raporteve për BOTËN me reformat e jashtëzakonshme të ndërmarra me shumë sukses. Mbulojnë fasadat e godinave mjerane me Yjet e Komuniteteve Euro Atlantike! Krijojnë realitete artificiale, e blejnë kohë televizive nëpër televizione nga më "prestigjiozët" tek më "surrogatet" për të transmetuar "halucinacionet" e atyre, që e bëjnë Shqipërinë të ngjajë një goxha vend dhe i hyjnë me këmbë një deti që nuk ka Moisi (ai i Biblës) që t'ua bëjë rrugë!
Mirëpo, edhe pse në Parajsën Artificiale, Shqipëria duket sikur është përmirësuar, alternativa të reja punësimi nuk ka. Përkundrazi, edhe ato të vjetrat janë drejt përkeqësimit. Përmirësim të sistemit arsimor nuk ka. Çdo brez, sa vjen e më i paedukuar, deformuar e çkulturuar është. Favorizim të biznesit vendas nuk ka. Përkundrazi, sa vjen e më e pamundur është ta bësh të funksionojë një biznes. I rrofshin "Uan stop shop-et" qeverisë. Dallkaukët kanë hedhur rrënjë, ngado!
Mua më dhimbsen bashkatdhetarët e mi, sepse prej zgjedhjeve të tyre e "ha" edhe unë, ndaj dhe i lutem të gjithëve të nisin e të mendojnë rreth Shqipërisë ideale për popullin e Shqipërisë hallemadhe. Të ndërtojnë një feste të përshtatshme për çdo lloj koke. Për çdo lloj cepi. Për çdo lloj kaptine. Ta bëjnë jorganin të gjatë aq sa për këmbët e veta. Të kujtojnë ç'kishin, të shohin ç'kanë e të qartësojnë mbi të gjitha pritshmëritë për të ardhmen. Çfarë do të donin? Si do ta donin shqiptarët vendin e tyre? E të mos marrin shembullin e gërdecarëve që marrin mendtë e MJAFT!, e hedhin në gjyq Qeverinë! Populli është më i rëndësishëm se çdo shoqëri civile! Se çdo Qeveri! Se çdo Parlament! Se Presidenti, po e po! Partia Popullore, fiton mbi çdo parti! Kurajo! Populli im, duhet ta marrësh veten në dorë! Jam e sigurt se shumë prej atyre që lexojnë këtë shkrim thonë me vete: Kush Popull thua moj?! Ky farë populli injorant?! Ky farë populli i trashë?! Kokëbosh?! E varfanjak?!
Besomëni, ata që e kanë drejtuar historikisht këtë vend, kanë qenë edhe më keq. Janë edhe më keq se aq. Janë gjithashtu, hajdutë! Manipulatorë. Falsifikatorë! Shfrytëzues! Gënjeshtarë! Etj., etj., etj!
Ej… popull! Ligjërojeni atë! Kuptoni çfarë do t'jua bënte jetën më të lumtur në Shqipëri, si do të ishte më mirë për ju dhe ma shkruani në kuzhakuzha@gmail.com ose në adresën: Top Albania Radio, tek ish-Piramida. Për Zhakun e Kopirajt!
Që të bindeni se unë nuk jam dhe aq e ikur nga trutë, lexoni çfarë shkruaj, mendoj dhe botoj në: inidagjatazhaku.wordpress.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›