Këshilli i Mandateve: Organizatorët e 21 janarit, 3 deputetët socialistë të vihen para hetimit

Mbështetet autorizimi i prokurorisë për ndjekjen penale të deputetëve Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Bare. Seancën e ardhshme Kuvendi do votojë për heqjen e imunitetit
Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit është shprehur sot “pro” nisjes së procedurës për ndjekje penale për tre deputetët socialistë Taulant Balla, Besnik Bare dhe Tom Doshi për të cilët prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të tyre si mundësi për vijimin e hetimeve për 21 janarin. Mbledhja e Këshillit të Mandateve e cila zgjati vetëm disa minuta, ka mbështetur autorizimin e prokurorisë për hetimin e tre deputetëve socialistë të cilët nuk ishin të pranishëm në sallë. Tre deputetët përmes një letre drejtuar Këshillit, theksonin se ishin dakord për heqjen e imunitetit të tyre, ndërkohë që gjithë sqarimet do t’i bëjnë në seancën e ardhshme plenare. Në mbledhjen e sotme, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka bërë të ditur se janë caktuar relatorët që do të merren me hartimin e raportit që do i paraqitet Kuvendit, për të votuar kërkesën e prokurorisë për imunitetin e Tom Doshit, Taulant Ballës dhe Besnik Barajt. Sipas saj, relatorë do të jenë nga Partia Socialiste Damian Gjiknuri dhe nga Partia Demokratike Viktor Gumi. Të hënën Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi në kryesinë e Kuvendit kërkesën për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë për të bërë të mundur sqarimin plotësisht të pozicioneve të tyre në lidhje me ngjarjet e 21 janarit.