Opinioni publik dhe ai ndërkombëtar presin që demonstrata e 21 janarit të mos mbetet pa identitet
Më në fund, duket se Prokuroria e Përgjithshme po mëson që një edhe një bëjnë dy. Zvarritja për të vënë përpara përgjegjësisë shkaktarët e dhunës ndaj institucioneve shtetërore qysh të nesërmen e 21 janarit 2011, në mos qysh atë mbrëmje, nuk kishte shanse të mbijetonte më gjatë. Opinioni publik shqiptar dhe komuniteti ndërkombëtar prisnin dhe presin sot e gjithë ditën zbardhjen e së vërtetës një orë e më parë. 21 janari duhet të ketë një identitet për të hyrë në faqet e historisë, sepse është tentativë e hapur për grusht shteti. Përndryshe, pa identitet, zbardhja e ngjarjeve të “së Premtes së Zezë” do t’u mbetej barrë brezave, të cilët, në këtë tollovi politike që po përjetojmë prej një viti e ca, në këtë mishmash thëniesh e kundërthëniesh, do të mbeteshin të befasuar, në mos të trullosur, e nuk do ta gjenin dot kurrë fillin e Arianës, që t’i udhëhiqte drejt së vërtetës.
Megjithatë, a është në gjendje organi ynë i akuzës t’i shkojë deri në fund çështjes në mënyrë të paanshme?
Dita e mirë, thonë, duket që me mëngjes. Dhe mëngjesi i parë pas 21 janarit u shfaq i vrenjtur qysh në krye të herës. Njëanësia e Prokurores së Përgjithshme, e cila, duke synuar paralizimin e Gardës së Republikës me urdhër-arrestet e lëshuara pa asnjë provë, la të dyshohej se po bëhej palë në sulmin ndaj institucionit të Kryeministrit, në mos pastë qenë e tillë me kohë. Tashmë është i njohur fakti që ajo u ngut të bridhte pas pasojës, jo pas shkakut. Duke ditur kush e përdori turmën si mish për top, çdo prokuror në botë dosjen e parë do ta hapte në ngarkim të shkaktarëve. Të dytën, në ngarkim të atyre që ligji u njeh detyrën e mbrojtjes së institucioneve. Paralelisht, do të kërkoheshin edhe provat, edhe ekspertizat përkatëse, edhe dëshmitarët a gjithçka tjetër që do t’i shërbente një hetimi të paanshëm. Vetëm kështu do të sqaroheshin rrethanat në të cilat viktimat humbën jetën, dhe do të bëheshin të besueshme akuzat e ngritura.
As më shumë, as më pak, ngutja e zonjës Prokurore të Përgjithshme i turbulloi ujërat, në vend që t’i qartësonte. Sot, pas një viti, duke qenë nën trysni të shumëfishtë, ajo do ta ketë të vështirë, në mos të pamundur, të gjejë baraspeshën e humbur. Dashi zihet për brirësh, jo për bishti. Janë thënë e janë stërthënë ca të vërteta që tashmë i di i madh e i vogël në Shqipëri. Megjithatë, nuk ka sesi të mos i sjellim në kujtesë, pasi pyetjet vijnë padashur në majë të gjuhës.
Kinse për baraspeshë të jetë kërkuar heqja e imunitetit të tre deputetëve socialistë dhe, në të njëjtën kohë, sërish arrestimi i kreut të Gardës Kombëtare, pavarësisht faktit të ekspertizës? Apo kinse për t’iu qasur sa më pranë së vërtetës me paanësi?
Unë them për të dyja “kinse-të” bashkë, ndonëse në kohë dhe në rrethana politike aspak të përshtatshme. Koha ecën dhe nuk pret të përmendet zonja Prokurore, aq më tepër, nëse akuzat e bëra troç nga Kryeministri, do të vërtetohen prej drejtësisë, e cila, në fund të fundit, nuk identifikohet vetëm me petkun e prokurorit. Të mos harrojmë se, në periudha të ndryshme të historisë njerëzore, qysh prej lashtësisë e deri sot, drejtësia, përfshi edhe segmenti hetimor, është vërejtur si ideal themeltar për jetën sociale e qytetare të një vendi, për të respektuar autoritetin qeverisës të njohur zyrtarisht, qoftë i ligjshëm ose jo. Kurse rrotacioni i autoritetit qeverisës në rendet demokratike arrihet përmes mekanizmit të votës së lirë. Zonja Prokurore e Përgjithshme do të ishte më e besueshme të mësonte bukurshkrimin e “a”-së, përpara se t’i turrej “z”-së.
Zvarritjet e qëllimshme për të zbardhur të vërtetën e 21 janarit, kanë sjellë tek ne edhe acarimin e rrethanave politike tek s’mban më. E marr me mend reagimin e ndokujt se kreun e Gardës e lëshoi Kryeministri me vonesë. Nëse Berisha gaboi, siç mendon shumëkush, Kushtetuta parashikon mekanizma të tjera për zgjidhje, të cilat përfshijnë edhe Presidentin si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Mirëpo na del se ky i fundit paska kërkuar zgjedhje të parakohshme. Duhet të jesh i verbër që të mos e shohësh të vërtetën lakuriq. Duam-s’duam ne, do-s’do Presidenti, duan-s’duan ata që e mbështesin zotëri Topin, hallkat e zinxhirit për grusht shteti vijnë e shtohen përpara opinionit. Ndërkohë, organi i hetimit, tashmë, ka një argument më tepër për të hetuar çështjen, nisur edhe nga një këndvështrim tjetër përpos shprehjes banale për “ca ngjarje në bulevard”, ndonëse gjatë atyre ngjarjeve sulmoheshin institucionet e shtetit, plagoseshin uniformat e ruajtjes së rendit dhe nxiteshin njerëzit drejt vdekjes së sigurt.
Mua nuk ma do mendja që një kryeministër, i cilitdo vendi qoftë, të jetë aq i papërgjegjshëm, sa të hedhë një akuzë të pabazuar për kreun e shtetit. Nuk jam jurist, por ma do mendja se prokuroria, e cilitdo vendi qoftë, për kësi rastesh, duhet të hapte një dosje. Shembujt nuk mungojnë. Ish-Presidenti i Francës, Zhak Shirak, pasi e përfundoi mandatin presidencial, u ndoq e po ndiqet për një aferë korruptive. Por kur bëhet fjalë për afera të tjera, që kanë të bëjnë me ruajtjen e rendit kushtetues? Në rastin tonë, nuk është fjala as për fërkime politike mes një kryeministri dhe një presidenti, çka mund të haset rëndom në një rend demokratik si ky yni. Përkundrazi, këtu bëhet fjalë për identitetin e një ngjarjeje që, përpos viktimave, të cilat nuk mund të rikthehen më në jetë, përbën një precedent të rrezikshëm për rendin demokratik. Dhe të mos harrojmë se 21 janari i 2011-s ishte ndër ngjarjet politike më të rënda që ka njohur historia jonë kombëtare bashkë me 24 qershorin e 1924-s, siç u shpreh Kryeministri Berisha.