E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e datës 14 mars 2007, Këshilli i Ministrave mori në shqyrtim dhe miratoi projektligjin "Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë". Në këtë projektligj janë pasqyru

Në mbledhjen e datës 14 mars 2007, Këshilli i Ministrave mori në shqyrtim dhe miratoi projektligjin "Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë". Në këtë projektligj janë pasqyruar të gjitha ndryshimet e propozuara gjatë shqyrtimit të tij në këtë mbledhje.

P R O J E K T L I GJ

PËR

ARSIMIN E LARTË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

VENDOSI:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi i ligjit

Ky ligj ka për qëllim të përcaktojë misionin, objektivat kryesore të arsimit të lartë dhe të rregullojë aspekte të krijimit, organizimit, drejtimit, administrimit, financimit, sigurimit të cilësisë në institucionet e arsimit të aartë, në përputhje me standardet europiane, si dhe rolin e shtetit e të shoqërisë në arsimin e lartë.

Neni 2
Misioni i arsimit të lartë

Misioni i arsimit të lartë është:

a. të krijojë, të transmetojë, të zhvillojë e të mbrojë dijet me anën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe shërbimeve; të zhvillojë dhe të çojë përpara artet, edukimin fizik dhe sportet; të formojë specialistë të lartë dhe të përgatisë shkencëtarë të rinj;
b. të ofrojë mundësi për të përfituar nga arsimi i lartë gjatë të gjithë jetës;
c. të ndihmojë zhvillimin ekonomik në nivel, kombëtar dhe rajonal;
ç. të kontribuojë në rritjen e standardeve të demokracisë e të qytetërimit të shoqërisë dhe në përgatitjen e të rinjve për një shoqëri të tillë.

Neni 3
Parime bazë

1. Institucionet e arsimit të lartë kanë autonomi dhe liri akademike.
2. Autonomia e institucioneve të arsimit të lartë shprehet në:

a) vetëqeverisjen e tyre, për të organizuar strukturat e tyre të brendshme dhe veprimtaritë e tyre, nëpërmjet statuteve dhe rregulloreve, të hartuara në përputhje me këtë ligj dhe me aktet e tjera ligjore në fuqi;
b) të drejtën për hartimin dhe zhvillimin e pavarur të programeve të studimit dhe të projekteve të kërkimit;
c) të drejtën për të caktuar kritere të pranimit të studentëve në programet e studimeve;
d) të drejtën për të mbledhur fonde dhe për të përfituar mjete materiale, sipas rregullave në fuqi, si dhe të drejtën për të realizuar marrëveshje të pavarura me qeverinë ose organizma të tjera për trajnime, kualifikime, ose për projekte kërkimore; të drejtën për të realizuar marrëveshje me institucione, shoqëri biznesi ose organizata të tjera, vendase ose të huaja, publike ose private; të drejtën për të administruar fondet publike e të ardhura të tjera, që disponojnë sipas mënyrës së përshkruar në ligj.
3. Liria akademike e institucioneve të arsimit të lartë shprehet në lirinë e mësimdhënies, lirinë e kërkimit shkencor, lirinë e krijimit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
4. Arsimi i lartë në Republikën e Shqipërisë zhvillohet në përputhje me rregullat dhe parimet e hapësirës europiane të arsimit të lartë.
5. Arsimi i lartë është, publik dhe privat. Arsimi i lartë publik është laik.

KREU II
ORGANIZIMI I INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT TË LARTË

Neni 4
Institucionet e arsimit të lartë

1. Arsimi i lartë ofrohet nga institucionet e arsimit të lartë, që krijohen, funksionojnë dhe akreditohen në përputhje me këtë ligj.
2. Institucionet e arsimit të lartë janë persona juridikë, publikë ose privatë, të drejtat dhe detyrimet e të cilëve përcaktohen në aktin e krijimit të tyre.
3. Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë programe të akredituara të studimeve. Struktura organizative e institucioneve të arsimit të lartë përcaktohet në varësi të llojeve e të programeve të studimeve, që ato ofrojnë.
4. Institucione të arsimit të lartë janë: universitetet, akademitë, kolegjet profesionale dhe shkollat e larta.

Neni 5
Universitetet

1. Universiteti përfaqëson një strukturë, të përbërë dhe të integruar, që realizon arsimim të lartë, zhvillim të dijeve, shkencës, profesioneve dhe transmeton njohuri në fusha dhe disiplina, shkencore dhe profesionale.
2. Universiteti siguron arsimim të bazuar në kërkim dhe njohuri shkencore e teknologjike bashkëkohore; siguron arsimim të vazhduar, kualifikime, specializime; përgatit specialistë dhe shkencëtarë të rinj.
3. Universiteti realizon kërkim shkencor e të aplikuar dhe veprimtari krijuese, ofron shërbime, në përputhje me misionin e tij, mbështet dhe realizon aftësimin e personelit akademik.
Në varësi të misionit kryesor që ka, të përcaktuar në statutin e tij, universiteti siguron raportin e përshtatshëm, ndërmjet mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe shërbimeve që ofron.
4. Universiteti ofron programe të studimeve për të tre ciklet, të përcaktuara në nenin 26 dhe ka në përbërje, së paku, dy fakultete.
5. Për kryerje të veprimtarive të arsimimit dhe kërkimit me interes të përbashkët, universiteti mund të bashkëpunojë me institucione të tjera: universitete, institucione kërkimore-shkencore, kulturore dhe ekonomike, publike dhe private. Për një bashkëpunim të tillë mund të krijohen qendra ndëruniversitare.

Neni 6
Akademitë dhe shkollat e larta

1. Akademitë ofrojnë arsimim të lartë profesional dhe veprimtari krijuese në fusha specifike të artit, sportit, rendit publik e fusha të tjera profesionale. Ato mund të ofrojnë programe të studimeve për të tre ciklet dhe kanë në përbërje, së paku, një fakultet. Akademitë ofrojnë edhe kërkim shkencor në fushat përkatëse, në varësi të ciklit të studimit, në përputhje me statutet e tyre.
2. Shkolla e lartë ofron arsimim të lartë, në ciklin e parë, ose, edhe të dytë të studimeve. Shkolla e lartë mund të ofrojë kërkim shkencor të aplikuar dhe shërbime në fushat përkatëse, në përputhje me statutin e saj. Ajo ngrihet dhe funksionon edhe me, së paku, një fakultet.

Neni 7
Kolegjet profesionale

1. Kolegji profesional ofron veprimtari, mësimore dhe trajnuese, në fusha të ndryshme të arsimit profesional jouniversitar, për përgatitjen e specialistëve me orientim praktik.
2. Kolegji profesional realizon veprimtari kërkimore tё aplikuara, artistike, sportive, etj., nëse është parashikuar në statutin dhe rregulloret e tij, si dhe ofron shërbime.
3. Kolegji profesional ofrojë programe të studimeve të ciklit të parë në disa fusha, në përputhje me procedurat e përcaktuara me akte nënligjore.
4. Kolegji profesional mund të ngrihet edhe pranë universiteteve, akademive apo shkollave të tjera të larta. Në këto raste, ai ka strukturë të ngjashme me fakultetin.

Neni 8
Njësitë pёrbёrëse të institucioneve tё arsimit tё lartё

1. Institucionet e arsimit të lartë mund të ndahen në njësi përbërëse organizative: kryesore, bazë dhe ndihmëse.
2. Fakultetet, institutet e kërkimit dhe zhvillimit, kolegjet profesionalë, si pjesë e institucioneve, dhe filialet e përcaktuara në shkronjën"a", të pikës 2, të nenit 11, konsiderohen njësi kryesore.
3. Departamentet dhe qendrat e kërkimit dhe të zhvillimit konsiderohen njësi bazë.
4. Laboratorët, stacionet eksperimentale, njësitë didaktike, bibliotekat dhe njësi të tjera, që realizojnë studime, projektime dhe shërbime, konsiderohen njësi ndihmëse.
5. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë vetë organizimin e brendshëm në statutet dhe rregulloret e tyre, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe me aktet nënligjore, që dalin në zbëtimtë tij.

Neni 9
Fakultetet

1. Fakulteti është njësi kryesore, që bashkërendon mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe zhvillimin kulturor në fusha mësimore-kërkimore, të përafërta ose të ndërthurura. Fakulteti ofron programe të studimeve të llojeve dhe niveleve të ndryshme, në përfundim të të cilave përfitohet diplomë.
2. Fakulteti organizohet në njësi bazë.Çdo fakultet ka, së paku, tre të tilla.
3. Fakulteti mund të jetë edhe i tipit të asociuar. Në fakultetet e asociuara bashkohen disiplina, të cilat nuk përbëjnë një specialitet të institucionit. Fakultetet e asociuara nuk lëshojnë diplomë.
4. Struktura e fakultetit, përbërja, funksionimi, si dhe drejtimi i tij përcaktohen në statutin dhe rregulloret e institucionit të arsimit të lartë.

Neni 10
Qendrat dhe institutet e kërkimit dhe të zhvillimit

1. Qendrat dhe institutet e kërkimit dhe të zhvillimit të institucioneve të arsimit të lartë kryejnë veprimtari kërkimore-shkencore dhe zhvillimi, si dhe marrin pjesë në realizimin e programeve të studimeve të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë.
2. Struktura e qendrave dhe instituteve të kërkimit dhe të zhvillimit, përbërja, funksionimi, si dhe drejtimi i tyre përcaktohen në statutin dhe rregulloret e institucionit të arsimit të lartë, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe me aktet nënligjore, që dalin në zbatim të tij.

Neni 11
Filialet e institucioneve të arsimit të lartë

1. Një institucion i arsimit të lartë ka të drejtë të hapë filialet e tij në rajone të tjera, jashtë selisë qendrore, për të ofruar programe të studimeve, kërkim shkencor e shërbime të ndryshme.
2. Filiali është:

a) një njësi e veçantë në strukturën e institucionit të arsimit të lartë (njësi kryesore, njësi bazë ose njësi ndihmëse);
b) pjesë përbërëse e njësive të selisë qendrore të institucionit.

3. Kriteret dhe procedurat për hapjen e filialeve përcaktohen në statut, në përputhje me këtë ligj.

Neni 12
Departamentet

1. Departamenti është njësi bazë mësimore–kёrkimore, që përfshin fusha kërkimi homogjene dhe grupon disiplinat mësimore respektive.
2. Strukturë të ngjashme me departamentin kanë edhe qendrat e kërkimit dhe zhvillimit, fushat e kërkimit të të cilave harmonizohen me interesa të departamenteve të fakultetit.
3. Departamenti nxit, bashkërendon dhe administron veprimtaritë e mësimdhënies, veprimtaritë kërkimore ose artistike, duke respektuar liritë akademike të personelit akademik dhe të drejtën e tij, për të shfrytëzuar burimet, materiale dhe finanziare, në dispozicion të departamentit.
4. Departamenti mund të organizohet në grupe, mësimore e kërkimore. Këto organizime mund të kenë edhe karakter të përkohshëm. Titullarët e grupeve përzgjidhen me konkurrim dhe emërohen nga autoriteti drejtues i njësisë kryesore, për një periudhë 4-vjeçare ose për periudhën, që përputhet me kohëzgjatjen e funksionimit të grupit.
5. Departamentet e fakulteteve të mjekësisë, që janë pjesë e spitaleve universitare, përbëhen nga shërbimet.
Shërbimi është njësi diagnostike dhe trajtuese themelore e spitaleve universitare, që formohet në bazë të specialitetit. Në shërbim kryhet procesi mësimor dhe kërkimi shkencor.
6. Në departamentet e fakulteteve të mjekësisë, përgjegjësi i departamentit përzgjedh për përgjegjës shërbimi, nga stafi pedagogjik i departamentit, ndër kandidatët me kualifikimin shkencor më të lartë. Ai i propozon drejtorit të spitalit universitar 2 kandidatura për çdo shërbim. Drejtori i spitalit universitar emëron përgjegjësit e shërbimeve në departamentet spitalore të fakultetit të mjekësisë, pasi të ketë marrë miratimin, me shkrim, të dekanit të fakultetit.
Mosmarrëveshjet për emërimin, të parashikuara në paragrafin e mësipërm, zgjidhen nga ministri i Shëndetësisë dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës.

KREU III
DREJTIMI DHE ADMINISTRIMI I INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT TË LARTË

Neni 13
Organet drejtuese dhe administruese në institucionet publike të arsimit të lartë

1. Organe, drejtuese dhe administruese, në institucionet publike të arsimit të lartë janë: Senati akademik, Rektorati, këshilli i administrimit, këshilli i etikës akademike dhe këshilli i fakultetit.
2. Institucionet publike të arsimit të lartë mund të formojnë dhe organe të tjera, në përputhje me misionin dhe veprimtaritë e tyre.

Neni 14
Senati akademik

1. Senati akademik është organ kolegjial vendimmarrës i institucioneve të arsimit të lartë, që përcakton politikat e zhvillimit të institucionit, programon, bashkërendon, drejton dhe kontrollon veprimtaritë e mësimdhënies e të kërkimit shkencor dhe vlerëson efikasitetin e tyre. Senati akademik kryesohet nga rektori dhe mblidhet periodikisht.
2. Funksionet kryesore të senatit akademik janë:

a) garanton respektimin e parimeve të autonomisë dhe mundësive të barabarta, të lirisë akademike e të kërkimit, si dhe të drejtat e studentëve;
b) miraton planin disavjeçar të zhvillimit të institucionit dhe programin vjetor të veprimtarive të tij;
c) miraton me shumicën e votave të anëtarëve të tij projektbuxhetin e institucionit, pasi merr miratimin nga këshilli i administrimit;
ç) miraton ndarjen e burimeve financiare;
d) miraton projektstatutin e institucionit me dy të tretat e votave të anëtarëve të tij;
dh) miraton rregulloret e institucionit, që janë kompetencë e tij;
e) vlerëson dhe miraton programet e reja të studimit, të kërkimit e zhvillimit dhe hapjen, ndryshimin ose mbylljen e njësive mësimore ose kërkimore;
ë) vlerëson, garanton dhe mban përgjegjësi për sigurimin e brendshëm të cilësisë në institucion, në përputhje me standardet shtetërore;
f) vlerëson veprimtarinë mësimore-kërkimore të personelit akademik;
g) siguron që kryerja dhe vlerësimi i të gjitha provimeve të bëhet në përputhje me standardet e institucionit, që garantojnë cilësinë dhe transparencën e duhur; etj.

3. Senati akademik kërkon mendimin e këshillit të dministrimit për probleme, që janë kompetencë e këtij të fundit.
4. Funksionimi i senatit akademik, përbërja, si dhe të drejta dhe detyra të tjera të tij, përcaktohen në statutin e institucionit të arsimit të lartë, në përputhje me këtë ligj.

Neni 15
Rektorati

1. Rektorati është organ kolegjial ekzekutiv, që përbëhet nga:

a) Rektori;
b) Zëvendësrektori/ët;
c) Dekani/Drejtori i çdo fakulteti dhe njësie tjetër kryesore;
ç) Kancelari i institucionit;

Rektorati kryesohet nga rektori.

2. Funksionet kryesore të rektoratit janë:

a) harton planin disavjeçar të zhvillimit të institucionit;
b) harton programin vjetor të veprimtarive, si dhe ndjek zbatimin e tij pas miratimit në senatin akademik;
c) formulon kriteret për shpërndarjen e burimeve financiare, materiale dhe njerëzore;
d) parashtron përparësitë mes kërkesave konkurruese për financime mes njësive kryesore të institucionit;
e) harton dhe propozon projektbuxhetin për miratim në senatin akademik;
f) harton planin për investime, kontratat dhe marrëveshjet, që janë kompetencë e tij;
g) paraqet rekomandime për projektet për programet e studimeve, të kërkimit shkencor dhe ndryshimet e nevojshme strukturore për realizimin e tyre;
h) zbaton të gjitha vendimet e miratuara nga senati akademik dhe këshilli i administrimit;
i) monitoron dhe publikon rezultatet e vlerësimit të veprimtarive të institucionit;
j) përgatit marrëveshjen, ndërmjet institucionit të arsimit të lartë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për rregullat e financimit;
k) propozon strukturën e përgjithshme dhe numrin e personelit të institucionit për të gjitha nivelet;
l) përgatit rregulloren e tij të punës, që miratohet nga senati akademik.

3. Rektorati kërkon mendimin e senatit akademik dhe të këshillit të administrimit për aspekte të kompetencës së këtyre të fundit.
4. Rektorati raporton një herë në semestër në senatin akademik dhe në këshillin e administrimit.
5. Rektorati harton raportin vjetor të veprimtarisë mësimore – kërkimore dhe financiare dhe ia paraqet atë për miratim senatit akademik dhe këshillit të administrimit brenda datës 20 dhjetor, të çdo viti.
6. Rektorati mund t'ia delegojë kompetencat personelit apo organi tjetër të institucionit, në përputhje me rregulloren e tij.
7. Në statutin e institucionit publik të arsimit të lartë, në përputhje me këtë ligj, përcaktohen të drejta dhe detyra të tjera, si dhe funksionimi i rektoratit.

Neni 16
Këshilli i administrimit

1. Në institucionet e arsimit të lartë ngrihen dhe funksionojnë këshillat e administrimit. Këshilli i administrimit është organ kolegjial vendimmarrës, që mbikëqyr e kontrollon veprimtaritë e institucionit të arsimit të lartë, që lidhen me menaxhimin administrativ, financiar, ekonomik dhe të pronave të tij.
2. Funksionet kryesore të këshillit të administrimit janë:

a) miraton kriteret për ndarjen e burimeve financiare;
b) miraton, me kërkesën e senatit akademik, projektbuxhetin e institucionit me dy të tretat e votave;
c) vlerëson efikasitetin e përdorimit të fondeve nga buxheti i shtetit ose burime të tjera të ligjshme dhe publikon rezultatet e vlerësimit;
d) miraton strukturën dhe numrin e personelit të institucionit për të gjitha nivelet;
e) miraton raportin vjetor financiar, të paraqitur nga rektorati;
f) vlerëson planin e zhvillimit të institucionit e programin vjetor të veprimtarive të tij;
g) miraton rregulloren e brendshme për administrimin, financat dhe kontabilitetin;
h) miraton rregulloren e funksionimit të tij.
3. Numri i anëtarëve në këshillat e administrimit përcaktohet në varësi të madhësisë së institucionit. Rektori dhe kancelari i institucionit mund të marrin pjesë në mbledhjet e këshillit të administrimit, pa të drejtë vote, kur e vlerësojnë ata vetë apo kur thirrën nga ky këshill.
4. Këshilli i administrimit përbëhet nga:

a) anëtarë të personelit akademik, së paku me gradë shkencore, të zgjedhur drejtpërdrejt nga personeli akademik i i çdo njësie kryesore të institucionit;
b) anëtarë, të caktuar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, përfaqësues nga fushat e shkencës, ekonomisë, kulturës, autoritete të pushtetit qendror dhe vendor;
c) një anëtar, përfaqësues i zgjedhur nga këshilli i studentëve të institucionit.

5. Anëtarët sipas shkronjë"b", të pikës 4, të këtij neni, caktohen dhe shkarkohen nga ministri i Arsimit dhe Shkencës. Numri i anëtarëve të caktuar është një më pak se gjysma e numrit të anëtarëve me të drejtë vote të këshillit të administrimit. Këshilli i administrimit zgjedh kryetarin, prej anëtarëve të brendshëm të tij, me dy të tretat e votave të të gjithë anëtarëve.
6. Anëtarësia në këshillin e administrimit është e papajtueshme me detyrën e anëtarit të senatit akademik, të zëvendësrektorëve, të dekanëve/drejtorëve dhe të zëvendësdekanëve/zëvendëdrejtorëve.
7. Në statutin e institucionit publik të arsimit të lartë, në përputhje me këtë ligj, përcaktohen të drejta dhe detyra të tjera të këshillit të administrimit, numri, përbërja, mandati, mënyra e zgjedhjes së anëtarëve sipas shkronjë"a",të pikës 4,të këtij neni, si dhe funksionimi i këshillit.

Neni 17
Këshilli i etikës akademike

1. Këshilli i etikës akademike ngrihet pranë institucioneve të arsimit të lartë dhe diskuton probleme të etikës së jetës universitare. Ai i bën propozime rektorit për këto çështje.
2. Anëtarët e këshillit të etikës akademike përzgjidhen nga senati akademik. Këshilla të etikës akademike mund të ngrihen edhe pranë fakulteteve.
3. Përbërja, të drejtat, detyrat, organizimi e funksionimi i këshillit të etikës akademike përcaktohen në statutet e institucioneve të arsimit të lartë, si dhe rregulloret e tyre të brendshme.

Neni 18
Këshilli i fakultetit dhe njësive të tjera kryesore

1. Këshilli i fakultetit është organ kolegjial vendimmarrës, që programon e përcakton në bazë të propozimeve të departamenteve, përdorimin e burimeve, njerëzore dhe materiale, në dispozicion të fakultetit. Ai propozon për programe të reja studimi ose të kërkimit shkencor; për hapje, ndryshim ose mbyllje departamentesh ose njësish të tjera; merr vendime për problemet financiare të fakultetit, në përputhje me autoritetin, që i është deleguar atij; shqyrton dhe miraton raportin vjetor të dekanit për veprimtarinë mësimore dhe kërkimin shkencor. Këshilli i fakultetit i propozon senatit akademik planin strategjik të zhvillimit të fakultetit dhe mbikëqyr realizimin e tij.
Këshilli i fakultetit kryesohet nga dekani.
2. Në statutin e institucionit të arsimit të lartë përcaktohen, në përputhje me këtë ligj, të drejta dhe detyra të tjera, si dhe funksionimi i këshillit të fakultetit.
3. Këshillat e njësive të tjera kryesore të institucioneve të arsimit të lartë janë organe kolegjiale, me funksione të ngjashme me ato të këshillit të fakultetit. Detyra specifike të tyre, funksionimi dhe përbërja përcaktohen në statutin e institucionit dhe rregulloret e tij.

Neni 19
Këshilli i profesorëve

1. Për organizimin dhe drejtimin e studimeve të doktoratës dhe të kualifikimit shkencor e pedagogjik pas doktoratës, në fakultetet e institucioneve të arsimit të lartë, të cilat ofrojnë programe studimi të ciklit të tretë, ngrihet këshilli i profesorëve.
2. Përbërja, detyrat dhe funksionimi i këshillit të profesorëve përcaktohet në statutin e institucionit dhe në akte të tjera nënligjore.

Neni 20
Autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë

1. Autoritete drejtuese në një institucion publik të arsimit të lartë janë:

a) Rektori;
b) Dekani/Dr¬ejtori;
c) Përgjegjësi i departamentit/Qendrës së kërkimit dhe zhvillimit.

Rektori është autoriteti drejtues i institucionit të arsimit të lartë, i cili e përfaqëson atë dhe vepron në emër dhe për llogari të tij. Dekani është autoriteti drejtues i fakultetit dhe përfaqësuesi ligjor i tij.
Drejtori është autoriteti drejtues i një instituti të kërkimit dhe zhvillimit ose i një filiali (në rast se ai nuk ka statusin e fakultetit ose te departamentit) dhe e përfaqëson atë.
2. Autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë: rektori dhe dekani/dr¬ejtori duhet të kenë, të paktën, titullin "Profesor i asociuar". Përgjegjësi i departamentit/qendrës së kërkimit dhe zhvillimit duhet të ketë, të paktën, gradën shkencore "Doktor".
3. Për institucionet e arsimit të lartë, në varësi të Ministrisë së Brendshme, autoriteti drejtues, i barazvlefshëm me rektorin ose dekanin mund të jetë komandanti ose drejtori.
4. Për postin e autoriteteve, të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, mund të konkurrojnë individë të personelit akademik të institucionit të arsimit të lartë ose individë jashtë tij. Këta të fundit, në rastin kur rezultojnë fitues, bëhen anëtarë të personelit akademik të insitucionit.
5. Kriteret të tjera, që duhet të plotësojnë autoritetet drejtuese ose anëtarët e organeve drejtuese, detyrat dhe të drejtat e këtyre autoriteteve, që burojnë nga ky ligj, përcaktohen në statutet dhe rregulloret e institucioneve të arsimit të lartë.

Neni 21
Zgjedhja e organeve dhe e autoriteteve drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë

1. Në institucionet publike të arsimit të lartë organet dhe autoritetet e tyre drejtuese zgjidhen.
2. Organet drejtuese të një institucioni publik të arsimit të lartë përcaktohen, si më poshtë vijon:

a) Senati akademik përbëhet nga anëtarë, personel akademik, personel joakademik dhe studentë, të cilët zgjidhen drejtpërdrejt nga grupet përkatëse të anëtarëve të institucionit.
b) Këshilli i fakultetit përbëhet nga anëtarë të personelit akademik, të personelit joakademik dhe studentë, të zgjedhur drejtpërdrejt nga grupet përkatëse të anëtarëve të fakultetit.
c) Këshilli i instituteve të kërkimit dhe zhvillimit përbëhet nga anëtarë të personelit të tyre akademik dhe përfaqësues të personelit joakademik, të zgjedhur drejtpërdrejt nga grupet përkatëse të anëtarëve të institutit.
d) Këshilli i kolegjit profesional përbëhet, në shumicën e tij, nga anëtarë të personelit akademik, të personelit joakademik dhe studentë, të zgjedhur drejtpërdrejt nga grupet përkatëse të anëtarëve të kolegjit. Në përbërje të këtij këshilli bëjnë pjesë edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, sipas llojit të programeve të studimit, që kolegji profesional ofron.
e) Pjesëmarrja e studentëve në senatet akademikë dhe këshillat e fakulteteve/instituteve është 15 për qind.
3. Autoritetet drejtuese në një institucion publik të arsimit të lartë zgjidhen sipas modaliteteve të mëposhtme:

a) Rektori i institucioneve publike të arsimit të lartë zgjidhet me votim të fshehtë, nga i gjithë personeli akademik, personeli joakademik dhe studentët e institucionit.
b) Dekani/drejtori zgjidhet me votim të fshehtë nga i gjithë personeli akademik, personeli joakademik dhe studentët e fakultetit/institutit të kërkimit dhe zhvillimit/kolegjit profesional.
c) Përgjegjësi i departamentit/qendrës së kërkimit dhe zhvillimit zgjidhet me votim të fshehtë nga i gjithë personeli akademik respektiv.

4. Në zgjedhjen e autoriteteve drejtuese, votat e studentëve dhe votat e personelit joakademik përllogariten me përqindje, ato vlejnë 20% në totalin e përgjithshëm të votave për studentët dhe 5% në totalin e përgjithshëm të votave për personelin joakademik.
5. Rektori apo autoriteti i barazvlefshëm me të, në institucionet e arsimit të lartë në varësi të Ministrisë së Brendshme, propozohet nga ministri përkatës dhe emërohet nga Presidenti.
6. Dekani apo autoriteti i barazvlefshëm me të, në institucionet e arsimit të lartë në varësi të Ministrisë së Brendshme, emërohet nga ministri përkatës.
6. Përgjegjësit e departamenteve në institucionet e arsimit të lartë në varësi të Ministrisë së Brendshme, zgjidhen me të njëjtat procedura, përcaktuar nëshkronjën"c", të pikës 3, të këtij neni.
7. Presidenti i Republikës emëron rektorin e zgjedhur. Rektori emëron dekanin/drejtorin e zgjedhur. Dekani/drejtori emëron përgjegjësin e departamentit/ qendrës së kërkimit dhe zhvillimit.
8. Ministri i Arsimit dhe i Shkencës shpall ditën e fillimit të procesit zgjedhor në institucionet publike të arsimit të lartë. Zgjedhjet zhvillohen sipas rregullores së zgjedhjeve, të përgatitur dhe miratuar nga institucionet e arsimit të lartë, në përputhje me këtë ligj. Rregullorja e zgjedhjeve përcakton procedurat dhe kriteret për organizimin e zgjedhjeve në të gjitha nivelet për organet dhe autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë.

Neni 22
Autoritete të tjera të institucioneve publike të arsimit të lartë

1. Autoritete të tjera të institucionit publik të arsimit të lartë janë:

a) kancelari i institucionit;
b) zëvendësrektori/ët;
c) zëvendësdekani/ët apo zëvendësdrejtori/ët;
d) kancelari i fakultetit ose i njësive të tjera kryesore.

2. Kancelari i institucionit është përgjegjës për drejtimin e përditshëm, administrativ dhe financiar, të institucionit, për zbatimin e buxhetit, për mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimeve financiare, si dhe për zbatimin e ligjshmërisë.
3. Kandidatura për kancelar e një institucioni të arsimit të lartë përzgjidhet nga këshilli i administrimit dhe rektori ia paraqet atë ministrit të Arsimit dhe Shkencës për miratim. Kancelari i një institucioni të arsimit të lartë duhet të ketë formim universitar, juridik ose ekonomik, dhe së paku 5 vjet përvojë pune. Procedura e përzgjedhjes dhe emërimit të kancelarit të institucionit përcaktohet me akt të veçantë.
4. Zëvendësrektorët emërohen dhe shkarkohen nga rektori, pas miratimit të kandidaturave të propozuara prej tij në senatin akademik.
5. Zëvendësdekanët/zëvendësdrejtorët emërohen dhe shkarkohen nga dekani/drejtori pas miratimit të kandidaturave të propozuara prej tij në këshilln e fakultetit/institutit të kërkimit dhe zhvillimit.
6. Kancelari i fakultetit ose i njësive të tjera kryesore është përgjegjës për drejtimin e përditshëm, administrativ dhe financiar, të fakultetit, për zbatimin e buxhetit, për mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimeve financiare, si dhe për zbatimin e ligjshmërisë.
7. Kancelari i fakultetit ose i njësive të tjera kryesore duhet të ketë formim universitar, juridik ose ekonomik, dhe së paku 5 vjet përvojë pune. Ai emërohet nga rektori, mes tri kandidaturave të propozuara nga këshilli i administrimit i institucionit.
8. Institucionet publike të arsimit të lartë përcaktojnë në statutet dhe rregulloret e tyre të drejta dhe detyra të tjera të këtyre autoriteteve, si dhe kualifikimet respektive.

Neni 23
Kohëzgjatja e mandatit për organet dhe autoritetet drejtuese

1. Organet dhe autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë zgjidhen me një mandat 4- vjeçar. Autoritetet drejtuese zgjidhen jo më shumë se dy herë radhazi në të njëjtin funksion. Autoritetet e përcaktuara sipas shkronjë „c", të pikës 3, të nenit 21, zgjidhen pa kufizim të numrit të mandateve.
2. Rektori i një institucioni të ri publik të arsimit të lartë caktohet nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, me një mandat njëvjeçar në drejtim. Ky mandat mund të përsëritet, por jo më shumë se dy herë radhazi.
3. Rektori i emëruar cakton dekanin/drejtorin. Dekani/drejtori i emëruar cakton përgjegjësin e departamentit/qendrës së kërkimit dhe zhvillimit.
4. Postet për autoritetet drejtuese sipas pikave 2 dhe 3, të këtij neni, kriteret, që këto autoritete duhet të plotësojnë, dhe procedurat për përzgjedhjen e tyre, bëhen publike.
5. Mandati për organet dhe autoritetet e tjera, drejtuese dhe administruese, të një institucioni të ri publik të arsimit të lartë është i njëjtë me atë të rektorit.

KREU IV
ORGANIZIMI I STUDIMEVE NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË

Neni 24
Format e studimeve

1. Format e studimeve në institucionet e arsimit të lartë janë:

a) studime me kohë të plotë;
b) studime me kohë të pjesshme;
c) studime në distancë.

2. Aplikimi dhe zbatimi i çdo njërës nga format e studimit, të parashikuara në këtë nen, bëhet me miratim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Neni 25
Programet e studimeve

1. Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë programe të akredituara të studimeve, të organizuara në module dhe të vlerësuara në kredite, sipas Sistemit Europian të Transferimit dhe Grumbullimit të Krediteve (ECTS). Sasia mesatare e krediteve të grumbulluara gjatë një viti, nga një student me kohë të plotë, është 60 kredite.
2. Programet e studimeve hartohen nga vetë institucionet dhe miratohen në senatet e tyre akademike.
3. Institucionet e arsimit të lartë shpallin publikisht programet e akredituara të studimeve që ofrojnë, para fillimit të aplikimeve për pranime në to.

Neni 26
Ciklet dhe titujt e studimeve universitare

1. Programet e studimeve në institucionet e arsimit të lartë organizohen në tre cikle të njëpasnjëshme: Cikli i parë, Cikli i dytë dhe Cikli i tretë:

1.1 Studimet e Ciklit të parë:

a) Programet e studimeve të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi specifike në një varietet të gjerë profesionesh e specialitetesh.
b) Programet e studimeve të ciklit të parë realizohen me 180 kredite dhe zgjatja normale e tyre është tre vite.
c) Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet diplomë e nivelit të parë (DNP) në fushën e arsimimit të kryer.

1.2. Studimet e Ciklit të dytë:

1.2.1. Programet e studimeve të ciklit të dytë
a) Programet e studimeve të ciklit të dytë japin njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim të pavarur në një fushë brenda një specialiteti.
b) Programet e studimeve të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është dy vite.
c) Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të dytë lëshohet diplomë e nivelit të dytë (DND) në fushën e arsimimit të kryer.
1.2.2. Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë
a) Institucionet e arsimit të lartë në fusha të veçanta ofrojnë programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku.
b) Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë realizohen me jo më pak se 300 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se pesë vite.
c) Në përfundim të programeve të studimeve lëshohet diplomë e integruar e nivelit të dytë (DIND) në fushën e arsimimit të kryer.
d) Programet e studimeve të kategorizuara sipas pikës 1.2.2.,shkronja "a", përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
1.2.3. Programet e studimeve Master i Nivelit të Parë
a) Programet e studimeve Master i Nivelit të Parë ju ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë të nivelit të parë, arsimim dhe trajnim të mëtejshëm profesional.
b) Programet e studimeve Master i Nivelit të Parë realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është një vit.
c) Në përfundim të këtyre programeve të studimeve jepet diploma "Master i Nivelit të Parë" (MNP), në fushën e arsimimit dhe trajnimit të kryer.

1.3. Studimet e ciklit të tretë
1.3.1. Programet e studimeve të doktoratës
a) Programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese të pavarura.
b) Këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite dhe përfshijnë edhe 60 kredite për studime të organizuara.
c) Kandidatët, që kanë diplomë të nivelit të dytë dhe diplomë "Master i Nivelit të Dytë", të përcaktuar në pikën 1.3.4, të këtij neni, nuk janë të detyruar të grumbullojnë 60 kredite të studimeve të organizuara teorike. Këta paraqesin disertacionin e doktoratës, sapo të kenë plotësuar kushtet e tjera, që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave për studimet e doktoratës.
d) Në përfundim të ciklit të tretë lëshohet diploma për gradën shkencore "Doktor" (Dr).
1.3.2. Programet e studimeve specializuese afatgjata
a) Programet e studimeve specializuese afatgjata janë programe të studimeve të ciklit të tretë, profesionalisht të orientuara, që ofrojnë njohuri për profesione specifike në fushat e mjekësisë, stomatologjisë, veterinarisë, drejtësisë, etj. Këto programe të studimeve përfshijnë studime teorike të kombinuara me aplikime praktike dhe trajnime profesionale. Mund të përfshihen në to dhe veprimtari kërkimore, nëse nevojitet.
b) Në përfundim të programeve të studimeve specializuese afatgjata lëshohet diplomë me titull "Specialist ...", për drejtimet e mjekësisë ose "Magjistër...", për drejtimet e shkencave plotike, juridike dhe sociale, ndjekur nga fusha e specializimit të kryer.
c) Për kryerjen e programeve të studimeve specializuese afatgjata, studenti duhet të grumbullojë 120-240 kredite dhe zgjatja normale e këtyre programeve të studimeve është 2 - 4 vite.
1.3.3. Programet e studimeve të doktoratës mund të ofrohen të integruara me studimet specializuese afatgjata, sipas planit dhe programit mësimor, të miratuar nga fakulteti dhe universiteti përkatës, pasi është marrë miratimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
1.3.4. Programet e studimeve Master i Nivelit të Dytë (MND)
a) Programet e studimeve Master i Nivelit të Dytë ju ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë të nivelit të dytë, arsimim dhe trajnim të një niveli më të lartë, shkencor ose profesional.
b) Programet e studimeve "Master i Nivelit të Dytë" realizohen me jo më pak se 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është minimumi një vit.
c) Në përfundim të këtyre programeve të studimeve jepet diploma "Master i Nivelit të Dytë" (MND).
2. Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë programe të studimeve të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë vetëm në ato fusha, ku ato përmbushin kriteret dhe standardet shtetërore, në përputhje me këtë ligj.
3. Programet e studimeve të ciklit të parë, të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë janë programe të studimeve universitare.
4. Institucionet e arsimit të lartë mund të ofrojnë edhe programe të studimeve jouniversitare, të natyrës profesionale, me jo më pak se 120 kredite. Zgjatja normale e këtyre programeve është jo më pak se 2 vite akademike dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë.
5. Në statutet e institucioneve te arsimit të lartë përcaktohen hollësi të tjera të programeve të studimeve.

Neni 27
Elemente të programeve të studimeve

1. Programet e studimeve të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë, si dhe ato specializuese ose të formimit të vazhduar, duhet të përmbajnë elementet e mëposhtme:

a) të dhëna të përgjithshme për programin, formën dhe objektivat kryesore, planin e tij mësimor, shoqëruar me kreditet e detyrueshme të studimeve;
b) klasifikimin e programit të studimit, që bëhet i zbatueshëm me krijimin e kuadrit shtetëror të kualifikimeve;
c) kushtet e pranimeve në programin e studimeve dhe kriteret seleksionuese në rastet e pranimeve me numër të kufizuar;
d) metodat e vlerësimit të studentëve dhe kushtet për përparim në program;
e) kushtet për transferime ndërmjet programeve dhe kushtet për përfundimin e pjesshëm të programit, nëse ai e parashikon këtë gjë;
f) titujt profesionalë, që akordohen sipas ligjit, etj.

2. Programet e studimeve të doktoratës ndërtohen si programe individuale për aftësim në kërkim shkencor të pavarur. Në to duhet të përcaktohen, veç të tjerash, fusha e studimit, përmbajtja dhe veprimtaria kërkimore.
3. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në statute dhe rregullore elementmë të hollësishme të programeve të ndryshme të studimeve.

Neni 28
Programet e studimeve ndërdisiplinore

1. Brenda një institucioni të arsimit të lartë, fakultetet mund të organizojnë programe të përbashkëta të studimeve ndërdisiplinore. Programe të tilla mund të organizohen edhe nga fakultete të institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë.
2. Në përfundim të programeve të studimeve ndërdisiplinore lëshohet diplomë e përbashkët nga të dy institucionet e arsimit të lartë.

Neni 29
Programet e studimeve të përbashkëta

1. Programet e studimeve të përbashkëta realizohen në një institucion të arsimit të lartë ose njësi kryesore të tij, në bashkëpunim me një ose disa institucione të tjera të arsimit të lartë, publike ose private, brenda ose jashtë Republikës së Shqipërisë.
2. Programet e studimeve të përbashkëta organizohen nga vetë institucionet e arsimit të lartë. Në përfundim të studimeve lëshohet diplomë e përbashkët ose diplomë e dyfishtë.

Neni 30
Programet e studimeve të formimit të vazhduar

1. Në vijim të programeve të ndryshme të studimeve, institucionet e arsimit të lartë ofrojnë programe të studimeve të formimit të vazhduar, si formë e të mësuarit gjatë të gjithë jetës. Këto programe shërbejnë për specializime afatshkurtra, plotësime, thellime dhe freskime të njohurive. Ato mund të jenë dhe programe të kërkimit të avancuar. Programet e studimeve të formimit të vazhduar ndihmojnë individët në rritjen e kualifikimit të tyre dhe të aftësive profesionale.
2. Në kuadrër të programeve të studimeve të formimit të vazhduar, institucionet e arsimit të lartë organizojnë edhe forma të tjera të ndryshme të mësimit informal si kurse, shkolla verore dhe veprimtari të ngjashme.
3. Struktura e programeve, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij neni, kohëzgjatja dhe kreditet e tyre përcaktohen në mënyrë të pavarur nga secili institucion i arsimit të lartë.
4. Në përfundim të programeve të studimeve të formimit të vazhduar, institucionet e arsimit të lartë lëshojnë certifikatat përkatëse.

Neni 31
Lëshimi i diplomave, certifikatave dhe dokumenteve të tjera

1. Institucionet e arsimit të lartë pajisin studentët, që kanë përfunduar të gjitha detyrimet e një programi studimi, me diplomën përkatëse, e cila është dokument zyrtar.
2. Diplomat për ciklin e parë dhe për ciklin të dytë, si dhe diplomat "Master i Nivelit të Dytë" shoqërohen me suplementin e diplomës.
3. Suplementi i diplomës hartohet nё përputhje me kërkesat e hapësirës europiane tё arsimit tё lartë. Ai përshkruan, në veçanti, natyrën, nivelin, përmbajtjen, rezultatet e studimeve, që janë kryer dhe përfunduar me sukses nga mbajtësi i diplomës, etj.
4. Përmbajtja dhe forma e diplomës dhe e suplementit të diplomës përcaktohen nga senatet akademike, në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
5. Individët, që kanë plotësuar detyrimet e një programi të formimit të vazhduar ose pjesë të një programi studimi, pajisen me diplomat ose certifikatat përkatëse, që janë dokument zyrtar.
6.Çdo formë diplome ose certifikate, përpara se të lëshohet nga institucioni i arsimit tё lartë, regjistrohet nё regjistrin shtetëror të diplomave dhe certifikatave për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, qё mbahet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Neni 32
Viti akademik dhe organizimi i mësimdhënies

1. Studimet në Institucionet publike të Arsimit të Lartë zhvillohen me bazë vitin akademik. Ministri i Arsimit dhe Shkencës shpall datën e fillimit të vitit akademik.
2. Viti akademik organizohet në semestra me së paku 20 orë mësimi leksione, seminare e laboratore në javë.
3. Organizimi i mësimdhënies për programet studimeve të formimit të vazhduar, përcaktohen në statutin e Institucionit të Arsimit të Lartë.

Neni 33
Pranimi në Ciklin e parë tё studimeve

1.Çdo shtetas shqiptar që ka përfunduar me sukses Maturën Shtetërore, ka të drejtë të kandidojë për t'u pranuar në Ciklin e parë të studimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë.
2. Kuotat e pranimit në Institucionet publike të Arsimit të Lartë, për Ciklin e parë të studimeve, miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës formulon propozimin e saj pas konsultimit me Institucionet publike të Arsimit të Lartë dhe rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës.
3. Kuotat e pranimit në programet e Ciklit të parë të studimeve, në Institucionet publike të Arsimit të Lartë në varësi të Ministrisë së Brendshme, miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministrit përkatës.
4. Kuotat dhe kriteret e pranimit për Ciklin e parë të studimeve për studentët e huaj në Institucionet publike të Arsimit të Lartë të Republikës së Shqipërisë bëhen sipas pikës 2 dhe 3 të këtij neni. Në përcaktimin e kuotave respektohen marrëveshjet dypalëshe a shumëpalëshe.
5. Institucionet e Arsimit të Lartë mund të përcaktojnë kritere të veçanta për përzgjedhjen e kandidatëve të cilët kanë mbaruar Maturën Shtetërore, për t'u pranuar në Ciklin e parë të studimeve. Këto kritere bëhen publikisht të njohura nga Institucionet e Arsimit të Lartë të paktën një vit para fillimit të pranimeve tё radhës në institucion, së bashku me informacionin e nevojshëm mbi institucionin respektiv dhe programet që ofron. Kriteret e pergjithshme dhe procedurat e pranimit në Ciklin e parë të studimeve përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Neni 34
Pranimi në Ciklin e dytë e në Ciklin e tretë të studimeve

1. Kanë të drejtë të aplikojnë për t'u regjistruar në Ciklin e dytë të studimeve individë që kanë përfunduar një program studimi të Ciklit të parë, si dhe plotësojnë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv.
2. Kanë të drejtë të aplikojnë për t'u regjistruar në Ciklin e tretë të studimeve individë që kanë përfunduar një program studimi të Ciklit të dytë ose program studimi ekuivalent me të dhe plotësojnë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv.
3. Kriteret e pranimit për standardet akademike të përzgjedhjes së kandidatëve për t'u pranuar në programet e Ciklit të dytë dhe të Ciklit të tretë të studimeve, përcaktohen në statutet e Institucioneve të Arsimit të Lartë, bazuar dhe në rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës.
4. Kuotat e pranimit në Institucionet publike të Arsimit të Lartë, për programet e studimeve të Ciklit të dytë dhe të tretë, miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës formulon propozimin e saj pas konsultimit me Institucionet publike të Arsimit të Lartë dhe rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës.
5. Kuotat e pranimit në programet e studimeve të Ciklit të dytë dhe të tretë, në Institucionet publike të Arsimit të Lartë në varësi të ministrise se Brendshme, miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministrise përkatëse.

Neni 35
Transferimet

1. Institucionet e Arsimit të Lartë ofrojnë mundësi për transferime të studentëve midis programeve të të njëjtit cikël brenda të njëjtit institucion apo institucioneve të ndryshme të Arsimit të Lartë, si dhe për transferime nga programet e mëparshme në programe të studimeve të ciklit të parë.
2. Vendimi për njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të grumbulluara nga një student me qëllim vazhdimin e studimeve, i takon strukturës mësimore që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në statutin dhe rregulloret e saj.

Neni 36
Ndjekja e një programi të dytë studimi

Individët që kanë përfunduar një program studimi, mund të ndjekin një program të dytë studimi. Në këtë rast, kandidatët përballojnë koston e plotë të studimeve. Nga ky rregull përjashtohen studentët e shkëlqyer.
Në statutet e Institucioneve të Arsimit të Lartë përcaktohen kriteret që duhet të plotësohen për t'u pranuar në një program të dytë studimi.

Neni 37
Njohja e diplomave, certifikatave, gradave dhe titujve tё huaj

1. Nëpërmjet procedurës së njohjes, një diplomë e huaj njehsohet me një diplomë shqiptare nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar arsimimin dhe e së drejtës për punësim. Kjo vlen dhe për njohjen e certifikatave, gradave ose titujve të huaj.
2. Institucioni përgjegjës për njohjen zyrtare në Republikën e Shqipërisë të diplomave ose certifikatave, tё lëshuara nga Institucione të huaja të Arsimit të Lartë është Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila e kryen këtë proces nëpërmjet njësisë përgjegjëse të njohjes së diplomave, që funksionon edhe si Qendra Kombëtare e Njohjes së Diplomave dhe e Informimit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës mund të autorizojë Institucionet e Arsimit të Lartë për kryerjen e këtij procesi për rastet e njehsimit të diplomës nga pikpamja e së drejtës për të vazhduar arsimimin. Këto raste përcaktohen me Udhëzim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
3. Institucioni përgjegjës për njohjen zyrtare në Republikën e Shqipërisë i gradave ose titujve shkencorë, tё lëshuar nga Institucione të huaja të Arsimit të Lartë është Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë.
4. Procedurat dhe kriteret për njohjen e diplomave, certifikatave, gradave e titujve tё lëshuar nga Institucione të huaja të Arsimit të Lartë përcaktohen me akt të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga vendi ynë për këtë qëllim.

Neni 38
Njohja dhe ekuivalentimi i diplomave dhe i periudhave të studimeve

1. Nëpërmjet ekuivalentimit, pjesë ose programe të plota studimi¬ ose diploma të marra në Institucione të tjera të vendit ose të huaja njihen dhe ekuivalentohen nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar arsimimin në një program studimi të njëjtë ose të ngjashëm.
2. Ekuivalentimi bëhet nga Institucioni i Arsimit të Lartë, pranë të cilit është paraqitur kërkesa dhe dokumentacioni i nevojshëm.
3. Procedurat dhe kërkesat për ekuivalentim përcaktohen në statutet e Institucioneve të Arsimit të Lartë, në përputhje me këtë ligj dhe akte të tjera nënligjore.

KREU V
HAPJA, NDRYSHIMI OSE MBYLLJA E INSTITUCIONEVE PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË

Neni 39
Statuti dhe Rregulloret e Institucioneve të Arsimit të Lartë

1. Statuti i një Institucioni publik të Arsimit të Lartë përmban normat që rregullojnë veprimtarinë e Institucionit.
2. Statuti hartohet dhe ndryshohet në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe aktet e tjera nënligjore në zbatim të tij dhe miratohet nga Senati Akademik i institucionit me dy të tretat e votave të anëtarëve të tij. Statuti i dërgohet Ministrit të Arsimit dhe Shkencës që brenda dy muajve kryen kontrollin e ligjshmërisë së tij. Kur konstatohen shkelje të ligjshmërisë, Ministri i Arsimit dhe Shkencës ja kthen statutin për ripunim Institucionit përkatës të Arsimit të Lartë. Kur Ministri i Arsimit dhe Shkencës nuk ka vërejtje për ligjshmërinë e statutit ose nuk shprehet brenda afatit të përcaktuar, rektori e shpall atë duke e konsideruar të miratuar. Ndyshimet në statut miratohen me të njejtat procedura.
3. Institucionet e Arsimit të Lartë dhe njësitë e tyre përbërëse rregullojnë veprimtarinë e tyre mbështetur në rregulloret e tyre të brendshme që hartohen nga vetë institucioni në përputhje me këtë ligj dhe statutin e institucionit. Rregulloret miratohen sipas mënyrës së përcaktuar në statutin e Institucionit të Arsimit të Lartë.
4. Në statut, në përputhje me këtë ligj dhe aktin e hapjes së Institucionit të Arsimit të Lartë, përcaktohen hollësisht organizimi i institucionit, veprimtaritë dhe puna e strukturave përbërëse të tij, e autoriteteve dhe organeve drejtuese, zgjedhja ose përzgjedhja e tyre, nivelet e delegimit të autoritetit nga organet drejtuese e administruese, periudhat e kryerjes së vlerësimit të brendshëm të strukturave ose programeve të studimit, detyrat dhe të drejtat e personelit akademik, joakademik ose të studentëve, si edhe detyra të tjera që rregullojnë veprimtarinë e Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Neni 40
Emri dhe stema e Institucioneve të Arsimit të Lartë

Çdo Institucion i Arsimit të Lartë, ka emrin zyrtar dhe stemën e tij, të cilat përcaktohen në aktin e hapjes së tyre. Institucioni i Arsimit të Lartë mund të propozojë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ndryshime të emrit ose stemës së Institucionit. Këto propozime bëhen nga titullari i institucionit mbështetur në vendimin e Senatit Akademik.

Neni 41
Hapja, mbyllja dhe ndryshimi i një Institucioni publik të Arsimit të Lartë

1. Hapja e një Institucioni publik të Arsimit të Lartë, mbyllja e tij ose bashkimi me ndonjë Institucion tjetër publik të Arsimit të Lartë, bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
2. Hapja e një Institucioni të ri publik të Arsimit të Lartë bëhet me plotësimin e kushteve materiale dhe të kushteve të tjera, të përcaktuara në këtë ligj apo akte të tjera nënligjore, të nevojshme për për të siguruar cilësinë e programeve të planifikuara të studimeve, si dhe të veprimtarive të tjera të institucionit.
3. Mbyllja e një Institucioni të Arsimit të Lartë apo bashkimi me ndonjë Institucion tjetër të Arsimit të Lartë, kërkon paraprakisht mendimin e Senatit Akademik ose Senateve Akademike të Institucioneve të Arsimit të Lartë, të përfshira në veprimet respektive.
4. Standardet, kriteret dhe procedurat për hapjen, ndryshimin dhe mbylljen e Institucioneve të Arsimit të Lartë miratohen nga Këshilli i Ministrave sipas propozimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
5. Hapja e njësive kryesore të Institucioneve tё Arsimit të Lartë bëhet mbi bazë tё propozimit të këtyre Institucioneve, me miratim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, kur efektet financiare përballohen nga buxheti i vetë institucionit.
6. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, para se të marrë vendim sipas pikave 2,3 dhe 5 të këtij neni, kërkon vlerësimin e Këshillit të Akreditimit të Arsimit të Lartë.
7. Për Institucionet publike të Arsimit të lartë që nuk janë në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, këto të drejta i ushtrojnë ministritë përkatëse.

Neni 42
Hapja dhe mbyllja e programeve tё studimeve tё Ciklit të dytë e tё Ciklit të tretë

1. Hapja dhe mbyllja e programeve tё studimeve tё Ciklit të dytë e tё Ciklit të tretë bëhet me miratim të Ministrit tё Arsimit dhe Shkencës kur ato përballohen nga buxheti i vet institucionit dhe me vendim të Këshillit të Ministrave dhe propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kur ato përballohen nga Buxheti i shtetit, mbështetur në propozimet e Institucioneve tё Arsimit tё Lartë.
2. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, para se të marrë vendim sipas pikës 1 të këtij neni, kërkon vlerësimin e programeve tё studimeve prej Këshillit të Akreditimit të Arsimit të Lartë.

KREU VI
ARSIMI I LARTË PRIVAT

Neni 43
Institucionet private të Arsimit të Lartë

1. Institucionet private të Arsimit të Lartë krijohen dhe funksionojnë sipas këtij ligji, përveç kur ligji flet specifikisht për Institucionet publike të Arsimit të Lartë si dhe akteve nënligjore të nxjerra në mënyrë specifike për to.
2. Një Institucion privat i Arsimit të Lartë mund të krijohet më kërkesë të një subjekti juridik, vendas ose të huaj. Subjekti juridik është përgjegjës për të gjithë veprimtarinë, administrimin dhe financimin e institucionit, të hapur me kërkesën e tij.
3. Një Institucion privat i Arsimit të Lartë fillon veprimtarinë e tij vetëm pas marrjes së liçencës. Linçensimi i tij bëhet kur ai plotëson standardet dhe kriteret shtetërore, të miratuara nga Këshilli i Ministrave sipas propozimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
4. Modeli i liçencës përcaktohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Neni 44
Liçencimi i një Institucioni privat të Arsimit të Lartë

1. Subjekti që kërkon të hapë një Institucion privat të Arsimit të Lartë, paraqet projektin e tij në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
2. Ministri i Arsimit dhe Shkencës përcakton dokumentacionin që duhet të përmbajë projekti i paraqitur për dhënien e licensës dhe që ka të bëjë më misionin dhe objektivat afatgjata të institucionit, programet e studimeve, skemën e financimit, si dhe afatet dhe procedurat për shqyrtimin e projekteve.
3. Ministria e Arsimit dhe Shkencës shprehet me vendim të argumentuar për projektin e paraqitur. Para se të japë gjykimin e saj, Ministria e Arsimit dhe Shkencës i kërkon Agjencisë publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, të paraqesë vlerësimin e saj mbi programet e studimit të paraqitura në projekt.
4. Një institucion privat, që zotëron një formë akreditimi nga një shtet tjetër është i detyruar të paraqesë një certifikatë mbi këtë akreditim në Këshillin e Akreditimit, i cili bën vlerësimin e tij në përputhje me liçencën e kërkuar, sipas dispozitave të këtij ligji.
5. Kur projekti mbi veprimtaritë, programet e studimeve, burimet materiale e financiare për hapjen e institucionit privat dhe statuti i institucionit janë në përputhje me këtë ligj dhe aktet e tjera nënligjore, Ministria e Arsimit dhe Shkencës përcjell opinionin e saj në Këshillin e Ministrave për dhënien e liçencës.
6. Ministria e Arsimit dhe Shkencës refuzon një projekt në këto raste:
a) Agjencia publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësim negativ për të gjitha programet e studimeve;
b) Institucioni i kërkuar i Arsimit të lartë nuk provon se është në gjëndje të ofrojë garancitë e nevojshme, financiare dhe të infrastrukturës, për veprimtaritë e kërkuara;
c) Statuti i tij është në konflikt me aktet ligjore në fuqi;
d) Raste të tjera të argumentuara.
Në rastin e refuzimit të një projekti të paraqitur, Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon aplikantin mbi vendimin dhe shkaqet e marrjes së tij. Vendimi mund të apelohet në gjykatë.
7. Liçenca e dhënë bëhet e pavlefshme në rastet kur institucioni privat nuk fillon veprimtarinë mësimore-shkencore as në vitin akademik pasardhës.
8. Liçenca për fillimin e veprimtarisë së një institucioni privat përmban edhe detyrimin, që në rastin kur ai institucion ndërpret veprimtarinë e tij, të ofrojë mjetet e nevojshme financiare dhe mundësitë për përfundimin e studimeve të filluara, për të gjithë studentët që janë të regjistruar në institucion.
9. Një institucion privat ndërpret veprimtarinë vetëm në fund të vitit të akademik.
Neni 45
Organizimi i studimeve në Institutionet private të Arsimit të Lartë

1. Organizimi i programeve të studimit në Institucionet private të Arsimit të Lartë bëhet sipas:
a) përshkrimeve të bëra në nenet 25, 26, 28, 29 dhe 30 të këtij ligji;
b) një modeli tjetër, kur ai ofrohet nga një institucion që jep diplomë të një institucioni të huaj ose të ngjashëm me të. Në këtë rast, ato duhet të shoqërohen edhe me vlerësimin në kredite sipas Sistemit Evropian të Transferimit dhe Grumbullimit të Krediteve (ECTS), për të mundësuar njohjen e studimeve dhe transferimet e studentëve.
2. Një Institucion privat i liçençuar i Arsimit të Lartë, që ka organizim të programeve të studimit të ndryshëm nga ai i shkronjës "a", të pikës 1, të këtij neni, është i detyruar ta njoftojë këtë publikisht, para se të fillojë regjistrimin e studentëve.
3. Institucionet private të Arsimit të Lartë duhet të paraqesin çdo fillim viti akademik gjendjen financiare të institucionit, përbërjen e stafit akademik, si dhe tarifat e shkollimit për vitin në vazhdim, për secilin program studimi.
4. Për Institucionet private të arsimit të lartë të cilat nuk respektojnë këtë ligj si dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës vendos masa konkrete deri në pezullimin e veprimtarisë së tyre, për një periudhe deri në dy vjet (mospranim të studentëve të rinj), apo heqjen e licencës.

KREU VII
PERSONELI I INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT TË LARTË

Neni 46
Personeli i Institucioneve të Arsimit të Lartë

1. Personeli i Institucioneve të Arsimit të Lartë përbëhet nga personeli akademik, personeli ndihmës mësimor-shkencor dhe personeli administrativ.
2. Detyrat dhe të drejtat e personelit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, përcaktohen në statutin e Institucioneve përkatëse e në rregulloret e tyre, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.

Neni 47
Personeli akademik dhe titujt akademikë

1. Personelit akademik kryen veprimtari të mësimdhënies, kërkim shkencor ose të aplikuar, shërbime për zhvillim të institucionit, konsultim dhe këshillim për studentët dhe detyra administrative. Raportet ndërmjet veprimtarive të ndryshme përcaktohen në rregulloret e Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe janë pjesë e kontratave të punës mes palëve.
2. Personeli akademik në Institucionet e Arsimit të Lartë, sipas rolit dhe veprimtarisë që kryen, kategorizohet në: a) profesorë, b) docentë dhe c) lektorë.
a) Në kategorinë "Profesorë" janë anëtarët e personelit akademik, titullarë të lëndëve ose moduleve dhe udhëheqës të veprimtarisë së kërkimit shkencor. Anëtarët e personelit akademik të kësaj kategorie kanë gradën shkencore "Doktor" dhe titujt akademikë: "Profesor i asociuar", "Profesor", "Profesor emeritus" dhe "Akademik".
b) Në kategorinë "Docentë" janë anëtarët e personelit akademik, që zhvillojnë kryesisht veprimtari mësimore. Anëtarët e personelit akademik të kësaj kategorie kanë titullin akademik "Docent" ose gradën shkencore "Doktor".
c) Në kategorinë "Lektorë" janë anëtarët e personelit akademik që zhvillojnë veprimtari mësimore-kërkimore. Lektorët duhet të kenë diplomë "Master i Nivelit të Dytë". dhe të përmbushin kriteret e që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
3. Ndarja në nivele, brenda secilës kategori, emërtimi dhe renditja e tyre, si dhe kritere të më të hollësishme kualifikimi për secilin rast, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, referuar edhe përshkrimit të vendit të punës.
4. Numri i përgjithshëm i personelit në çdo Institucion publike të Arsimit të Lartë, miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës. Struktura dhe organika e personelit të Institucionit të Arsimit të Lartë për të gjitha nivelet miratohet nga titullari institucionit.
5. Niveli i pagave sipas kategorive dhe vendeve të punës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
6. Titujt akademikë jepen nga Institucione të Arsimit të Lartë, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe nga Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë. Titulli "Profesor i asociuar", "Profesor Emeritus" dhe "Docent" jepen nga Institucionet e Arsimit të Lartë. Titulli "Profesor" jepet nga Këshilli i Vlerësimit të Titujve Akademikë.
Titulli "Akademik" jepet nga Akademia e Shkencave në përputhje me ligjin "Për Akademinë e Shkencave".
Titulli "Docent" u jepet anëtarëve të personelit akademik që kanë gradën shkencore "Doktor". Ai u jepet edhe anëtarëve të personelit akademik me diplomë "Master i Nivelit të Dytë", ose ekuivalent i saj në vende të tjera, të vlerësuar me rezultatin "shumë mirë" ose "shkëlqyer" dhe që kanë veprimtari mësimore-kërkimore në një Institucion të Arsimit të Lartë prej së paku 5 vitesh, përjashtuar diplomat e ekuivalentauara, sipas paragrafit të tretë, të nenit 89, të këtij ligji.
7. Kriteret dhe procedurat e dhënies së titujve akademikë "Docent", "Profesor i asociuar", "Profesor" dhe "Profesor emeritus" përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Neni 48
Personeli akademik i ftuar

1. Për të plotësuar nevojat e procesit mësimor, Këshillat e fakulteteve, me propozim të departamenteve, ftojnë për veprimtari mësimore e kërkimore personel akademik, sipas kërkesave të vendit të punës, për periudha semestrale ose një vjeçare, të përsëritshme.
2. Përzgjedhja e personelit akademik të ftuar duhet të kombinojë nevojën e njësisë për mësimdhënie ose kërkim shkencor me kualifikimet e tyre.
3. Kritere të detajuara për aktivizimin dhe përzgjedhjen e lektorëve të ftuar përcaktohen në rregulloret e njësisë përkatëse kryesore.

Neni 49
Personeli akademik me kontratë

1. Institucionet e Arsimit të Lartë kanë të drejtë të punësojnë me kontratë personalitete, vendase ose të huaja, për periudha të shkurtra kohe. Ky personel punësohet me vendim të senatit akademik, sipas propozimeve të njësive kryesore të institucionit.
2. Institucionet e Arsimit të Lartë kanë të drejtë të punësojnë mbi bazën e një kontrate të përkohshme ed

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›