E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave miraton projektligjin për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me të

Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave, i propozuar nga Ministri i Turizmit, Rinisë dhe Sporteve.

Kryeministri Berisha e konsideroi projektligjin jashtëzakonisht të rëndësishëm për infrastrukturën shpirtërore të kombit.

“Duke konsideruar laicizmin si trashëgiminë, traditën më të shkëlqyer të shtetit, natyrisht besimet fetare janë gurrat e mëdha, të cilat ushqejnë shpirtin njerëzor, shpirtrat e shqiptarëve. Ato kanë dhënë një kontribut të madh në rindërtimin e vlerave, të agresuara nga një regjim barbar, më shumë se në çdo vend tjetër, në Shqipëri.  Institucionet e kultit, drejtuesit lokalë dhe qendrore të besimeve fetare, besimtarët shqiptarë me përkushtim të madh ndaj vlerave dhe Zotit, Shqipërinë e ateizmit të imponuar e rikthyen gradualisht në Shqipërinë e vlerave njerëzore dhe hyjnore, së bashku me sistemin në tërësi. Miratimi i këtij ligji vjen pikërisht si një detyrim madhor i vendit dhe shtetit, për të njohur kontributin e madh, për t’u mundësuar atyre të ushtrojnë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga doktrinat fetare, të bashkuara të gjitha tek i gjithëfuqishme, Zoti,” u shpreh Kryeministri Berisha.


15/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›