Kryeministri Berisha: Arsimi profesional do të jetë përparësi madhore e qeverisë në fushën e edukimit

-Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të rikonstruksionit të shkollës së mesme profesionale “Beqir Cela”, në Shkozet
Kryeministri Berisha u ndal sot në Shkozet, ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të rikonstruksionit të shkollës së mesme profesionale “Beqir Cela”, më vlerë 14 milionë lekë të reja, si dhe inspektoi punimet për ndërtimin e konfliktit të ri të kësaj shkolle dhe rikonstruksionin e konviktit ekzistues, me vlerë rreth 46 milionë lekë.
Në shkollës së mesme profesionale “Beqir Çela” mësojnë 500 nxënës dhe ajo është e rikonstruktuar sipas standardeve bashkëkohore. Për vite me radhë, nga vitit 1994-2004, qeveria zvicerane ka kontribuar në këtë shkollë me 3 milionë euro nëpërmjet një projektit mbështetës “Swisscontant”, të cilat kanë shërbyer për ndërtimin e laboratorëve ku nxënësit kryejne praktikën. Po ashtu, edhe Bashkimi Evropian ka dhënë në vitin 2008 rreth 50 mijë euro për instalimin e sistemit të menaxhimit të informatizuar ne shkollës. Kryeministri Berisha vizitoi nga afër disa nga laboratorët e kësaj shkolle, në të cilat nxënësit praktikojnë për profesione të ndryshme si; mekanik, elektricist, etj. Kryeministri u takua me nxënës dhe i përgëzoi ata që kanë vendosur të arsimohen në shkolla profesionale.
Duke vizituar ambientet e brendshme të shkollës, kabinetin e vizatimit teknik dhe atë të fizikës, Kryeministri Berisha u shpreh se “pas hapit të parë,që ishte pajisja e shkollave me kabinete informatike, hapi i dytë do të jetë përhapja e mënyrës së të mësuarit e-learning apo mësimi dixhital.
Në këtë shkollë mësojnë nxënës nga qytete të ndryshme të vendit. Në kuadër të shtimit të numrit të nxënësve që mësojnë në shkollat profesionale, po ndërtohet konvikti i ri i kësaj shkolle me kapacitet 350 nxënës. “Ka filluar ndërtimi i një konvikti të ri për këtë shkollë profesionale, ndërsa do të rikonstruktohet tërësisht edhe konvikti ekzistues. Kapaciteti i konviktit është 350 nxënës, të cilët do të vinë këtu jo vetëm nga Qarku i Durrësit, por nga mbarë Shqipëria. Ky është një nga shtatë konviktet e reja që janë në ndërtim e sipër. Por, siç kam theksuar, ne do të ndërtojmë aq konvikte sa të ketë nevojë për të plotësuar objektivin që; asnjë nxënës, i cili mbaron klasën e 9-të dhe që dëshiron të vazhdojë shkollën e mesme, të mos mbetet pa shkollë për shkak të mungesës së saj në lokalitetin ku ai ndodhet. Kjo është një praktike jashtëzakonisht e dobishme. Natyrisht kjo është e dobishme edhe për formimin dhe për disiplinimin e nxënësve në të gjitha aspektet. Jeta e konviktorit në qytet përbën avantazhin më të madh për t’ju përkushtuar tërësisht shkollës”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Mësuesit e kësaj shkolle u shprehën se shumë nxënës, të cilët kanë mësuar në këtë shkollë, janë punësuar menjëherë në sektorin privat apo kanë hapur bizneset e tyre.
Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se punësimin e këtyre nxënësve do ta ndihmojë edhe fakti që në këtë zonë do të instalohen një sërë kompanish të mëdha. “Siç e shihni Shkozeti është krejt tjetër. Ne do të ndërtojmë edhe rrugën. Ajo është tenderuar dhe shumë shpejt do të fillojë ndërtimi. Ndërsa, kjo shkollë është model për shkollat profesionale”, u shpreh Kryeministri.
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Së pari dëshiroj t’ju uroj përzemërsisht gëzuar shkollën e rindërtuar, një nga shkollat më të mira profesionale të vendit. Ju siguroj se qeveria do të mbështesë fuqishëm shkollën tuaj, në mënyrë që në këtë shkollë të rritet numri i nxënësve që shkollohen, të cilët marrin pjesë për profesionet më të kërkuara në vend. Gjithashtu, do të bëjmë çdo përpjekje që arsimi profesional t’i ketë dyert e hapura mbi bazën e koeficienteve të ndershëm për në universitetet e vendit dhe në ato të huaja.
Zoti drejtor,
Vizitova të gjitha ofiçinat në dispozicion të këtyre nxënësve dhe më informuan se këtu, “Swisscontant”, qeveria e Zvicrës dhe qeveria Suedeze, kanë dhënë një ndihmë të madhe dhe të çmuar. Dua t’i falënderoj përzemërsisht këto dy qeveri për bujarinë e tyre. Sikundër, nuk ka lidhje vetëm me këtë shkollë, por në mbarë Shqipërinë. Ju bëj thirrje qeveritarëve vendorë, zyrtarëve vendorë dhe qendrorë, që ngado që ne të inaugurojmë apo disponojmë; rrugë, shkolla, kanalizime, ujësjellës, Qendra Shëndetësore dhe çdo gjë tjetër, si kontribut të taksapaguesve të huaj, në nderim të tyre të vendosim edhe një pllakat mirënjohje ndaj tyre, sepse mirënjohja është një tipar shumë i vyer i shqiptarëve.
Edhe një herë ju uroj; gëzuar shkollën e rindërtuar, si dhe zotohem se arsimi profesional do të jetë përparësi e përparësive të qeverisë në fushën e edukimit.
Faleminderit!”
14/04/2009