E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha prezanton në mbledhjen e qeverisë masat dhe kompensimin e çmimit për pajisjen e shtetasve me letërnjoftim

Kryeministri Berisha prezantoi sot në mbledhjen e qeverisë vendimin për kompensimin e çmimit për  pajisjen me letërnjoftimin elektronik të disa kategorive.

Për sa i përket personave në ndihmë ekonomike, Kryeministri informoi se kuponët do të blihen nga komuna dhe pas paraqitjes së faturave, do t’u mbahet vetëm 200 lekë për kupon.

“Kryetarët e komunave detyrimisht duhet të blejnë kuponët për të gjithë qytetarët në ndihmë ekonomike dhe sociale. Qeveria do të shtojë  në ndihmën ekonomike të muajit që vjen, në përputhje me faturat që do të sjellin,  të gjithë shumën e përdorur për blerjen e kuponëve dhe në ndihmën mujore ekonomike, atyre që kanë detyrimin për të paguar  do t’u mbahen 200 lekë për çdo person në ndihmë ekonomike në familje. Nëse një familje ka 5 votues, në ndihmën ekonomike do të derdhen 5 mijë lekë dhe ajo do të paguajë gjithsej 1 mijë lekë për kuponët. “

Në lidhje me studentët, Kryeministri Berisha tha se kuponët për letërnjoftimet do të blihen nga fakultetet dhe studentët duhet të paguajnë për to, gjithashtu, 200 lekë.   

“Fakultet të blejnë kuponët dhe do t’ua japin studentëve, të cilët do të kenë subvencionin prej 1 mijë lekësh dhe do të dorëzojnë vetëm 200 lekë. Studentët duhet të paraqesin letërnjoftimin për të hyrë në provim.”

Gjithashtu për pensionistët e fshatit dhe ata me pensione minimale në qytet, qeveria, informoi Kryeministri, do të vendosë në datën e pensionit të parë të muajit maj, shumën e përcaktuar prej 1 mijë lekë dhe ata do të paguajnë vetëm 200 lekë për letërnjoftim, duke e marrë atë me 1/6 e çmimit të saj. Kryeministri tha se edhe sanksionet do të jenë gjithashtu shumë të qarta. “Në rast se paratë merren dhe nuk blihet letërnjoftimi, atëherë nuk do t’u jepet pensioni tjetër.”

Duke konsideruar se pajisja me letërnjoftim është një detyrë e jashtëzakonisht rëndësishme shoqërore përsa i përket votimit, Kryeministri theksoi se dokumenti i identitetit është i detyrueshëm në qarkullimin e qytetarëve në të katër anët e vendit.

“Dokumentin e identitetit duhet ta ketë çdo popull, nuk është standard shqiptar. Nga 27 vende të BE-së, vetëm një prej tyre nuk e ka, 26 vendet e tjera e kanë. Në qoftë se ne kërkojmë pajisjen me dokumentin e identitetit, kjo është e detyrueshme. Por qytetarët kanë shansin që, meqenëse janë votimet, ta marrin atë me 1/6 e çmimit. Nëse nuk do të ishin votimit, nuk do të subvenciononim asnjë qindarkë, pasi çmimi është shumë i ulët. Kushdo duhet të ndjehet i detyruar për të pasur dokumentin që fakton se cili është ai. Këtë e kemi një kërkesë ligjore, të palidhur me votimet.”

“Këto masa, - vijoi Kryeministri, - pavarësisht se koston e kanë të lartë dhe po të llogariten së bashku me shpenzimet e zgjedhjeve, këto bëhen zgjedhjet të paktën, 3-4 herë më të kushtueshme se të gjitha zgjedhjet e tjera, ia vlejnë plotësisht. Ne nuk duhet të kemi asnjë lloj hezitimi dhe keqardhjeje, sepse ky test është një provë e qytetarëve shqiptarë, e forcave politike shqiptare, e qeverisë, në radhë të parë, ndaj vetes, pasi nuk ka pse të kemi dallime nga të tjerët në momentin më themelor të demokracisë, që janë zgjedhjet. Ndaj kjo shumë do të mbulohet e tëra nga fondet e kontigjencës, që janë parashikuar.”

Pasi paraqiti në detaje masat për pajisjen e me letërnjoftim të disa kategorive, Kryeministri Berisha, duke iu referuar kërkesave të opozitës për këtë çështje, u shpreh se “më vjen mirë që opozita e gjen të plotësuar këtë kërkesë të saj. Pavarësisht deklaratave politike, të cilat në vend që të përshëndesin këtë vendim që e kërkonin, tani e qortojnë. Unë kam kënaqësi që plotësohet edhe një kërkesë e opozitës,” u shpreh Kryeministri.


15/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›