Këshilli i Tiranës, e majta merr 28 anëtarë, të djathtët 27
Vota e qytetarëve të Tiranës është ndarë thuajse e barabartë jo vetëm për kreun e Bashkisë së Tiranës, por edhe për këshillin e saj. Për afro 390 kuti të numëruara për Këshillin Bashkiak të Tiranës, rezultati të cilave është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dy koalicionet që konkurrojnë në këto zgjedhje i ndajnë vetëm 1500 vota në favor të “Aleancës për të Ardhmen”, çka duket se mjafton për të siguruar dhe shumicën e anëtarëve në Këshill. Kështu, nga përllogaritja e bërë në bazë të një formule të posaçme, koalicioni i majtë “Aleanca për të Ardhmen”, deri më tani ka siguruar shumicën e vendeve ose thënë ndryshe 28 këshilltarë, ndërkohë që koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin” gjendet në minorancë me vetëm një këshilltar më pak.
Koalicionet
Deri dje në mbrëmje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportonte në faqen e tij në internet se për këshillin bashkiak të Tiranës ishin numëruar 390 kuti votimi, të cilat kishin prodhuar një avantazh të lehtë për koalicionin e majtë. Më konkretisht, sipas KQZ-së Aleanca për të Ardhmen kishte siguruar 97 858 vota kundrejt 96 355 votave që kishte marrë koalicioni Aleanca për Qytetarin. Ndërkohë që 3 550 vota i ndanin LZHK dhe PKSH. Duke llogaritur shumën e votave që ka marrë secili koalicion, rezulton se koalicionit të majtë i takojnë 28 vende dhe koalicionit të djathtë 27 vende, nga 55 anëtarë që ka i gjithë Këshilli. Nga kjo përllogaritje rezulton se asnjëra nga partitë jashtë koalicioneve nuk mund të ketë asnjë anëtar në këshill.
Partitë
Partia Socialiste, pavarësisht nëse kryetari i saj do të rizgjidhet ose jo kryetar i Bashkisë së Tiranës, ajo do të jetë forca që do të ketë më shumë anëtarë në Këshillin e ri Bashkiak dhe kjo falë votës së madhe që ka marrë si subjekt politik. Krahasuar me Partinë Demokratike, socialistët kanë siguruar një avantazh prej 20 mijë votash më shumë, çka i jep asaj të drejtën të ketë 25 anëtarë në Këshill. Ndërkohë që vetëm tri forca aleate të saj mundin të kenë nga një përfaqësues në këtë këshill, dhe bëhet fjalë për PDS-në e cila renditet si forca e dytë në koalicionin e majtë, PSV91 e Petro Koçit dhe PSD e Skënder Gjinushit. Ndërkohë që në koalicionin tjetër vendet ndahen në një gamë më të gjerë forcash politike, ku përveç PD-së, e cila fut 15 këshilltarë, në të do të jetë e pranishme dhe LSI me 5 anëtarë. Një numër të tillë përfaqësimi LSI-së ja japin 1 6612 votat që ka siguruar si parti politike (vetëm 380 kuti të numëruara). Pas saj renditet PDIU e çamëve, e cila me 5 643 vota fiton të drejtën për të patur dy anëtarë në Këshillin Bashkiak po për 390 kuti. Përveç tyre në këshill do jenë të pranishëm edhe republikanët dhe legalistët me nga një anëtar. Këto raporte përfaqësimi në Këshill duket se do ta bëjnë shumë të vështirë qeverisjen e kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës, pasi do ta ketë të vështirë të sigurojë një shumicë të qëndrueshme. Megjithatë, duhet sqaruar se bëhet fjalë për të dhëna të pjesshme, të cilat ashtu si edhe ato për kreun e Bashkisë së Tiranës, pritet të ndryshojnë kah pas çdo kutie të numëruar.